Sot 140 vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Rama e Thaçi mesazhe nga larg qytetit historik

Sot 140 vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Rama e Thaçi mesazhe nga larg qytetit historik
Sot 140 vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Rama e Thaçi mesazhe nga larg qytetit historik

Shënimi i 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë ka nisur me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të qeverisë së saj, një organizim i Kryeministrisë së Kosovës, që së bashku me qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë, në kuadër të shënimit edhe të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kanë nderuar edhe veprën e heroit tonë kombëtar.

Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

“Lidhja e Prizrenit u përball me heshtjen e fuqive të mëdha për çështjen e shqiptarëve. Lidhja nuk jetoi gjatë, por aktet e saj janë të gjalla përjetë. Lidhja shkaktoi një jehonë të madhe në rajon e botë, ndaj dhe nuk është një relikë historike, por një vepër frymëzuese. Lidhja është një frymëzim për të rinjtë shqiptarë. E paharruar vepra e themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, u shpreh presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i pranishëm në këtë aktivitet.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga presidenti Meta, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e personalitete të tjera, mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar, të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe Muzeut të Prishtinës.

Në këtë ekspozitë, në ambientet e brendshme të Lidhjes së Prizrenit u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, si dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke filluar nga viti 1926 e deri më sot.

Mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama:

“Sot përkujtojmë 140 vjetorin e themelimit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, mesazhi i së cilës kumbon i thjeshtë por domethënës, dje, sot e përgjithmonë: asnjëherë virtuti dhe aq më pak fati e kanë braktisur një Shqipëri të përbashkuar. Kjo ditë na kujton gjithashtu se po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të Vitit të Skënderbeut, arritjet pa zhurmë dhe eventet unike të të cilit po zhvillohen anembanë kombit shqiptar në trojet e tij stërgjyshore dhe në diasporë.

Në meditim të mesazheve madhore të tij jeni të ftuar të lundroni në informacionin e bollshëm multimedial të faqes në internet të Vitit tonë mbarëkombëtar”.

Mesazhi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi:

“Në qytetin historik të Prizrenit, më 10 qershor 1878, delegatë nga të gjitha viset shqiptare u mblodhën për ta themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, organizatën më të rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive, që nga koha e Skënderbeut. Lidhja Shqiptare e Prizrenit iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare, pas dobësimit të Perandorisë Osmane me kryengritje, memorandume dhe forma tjera të rezistencës.

Lëvizja kulturore e Rilindjes sonë Kombëtare, si vetëdije kulturore dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si vetëdije politike, janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ideatorët, burrështetasit dhe ushtarakët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi etj., mbeten figura të mëdha historike, frymëzuese edhe pas 14 dekadash.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: