Skënderbeu në CAS, UEFA: Kukësi në Champions

Skënderbeu në CAS, UEFA: Kukësi në Champions
Partizani “bingo”, me përjashtimin e Skënderbeut nga Champions League, pasi fiton automatikisht të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League. Nesër në Nion hidhet shorti i ndeshjeve kualifikuese

Aranit Muraçi

Sezoni 2018/19 i UEFA Champions League nis më 26 qershor 2018 dhe mbyllet më 1 qershor 2019, me finalen e madhe që do të luhet në Madrid. Real Madrid kampion i sapo-shpallur për herë të tretë, për të mbrojtur kurorën në rast se arrin finalen, do të luajë në stadiumin e ekipit rival të Altetico Madrid. Shorti i ndeshjeve kualifikuese para fazës së grupeve do të hidhet nesër, ndërsa ajo që vlen të theksohet është fakti se Shqipëria do të përfaqësohet nga Kukësi i vendit të dytë dhe jo Skënderbeu që fitoi titullin kampion.

Kukësi në Champions League

Skënderbeu është pezulluar me 10 vjet nga UEFA, për mospjesëmarrje në Kupat e Europës dhe ndonëse çështja ndodhet në CAS, (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), UEFA siç pritej ka mbajtur në fuqi vendimin e saj. Skënderbeu priste përgjigje nga CAS, për anulimin e këtij vendimi, por për shkak të dosjes voluminoze që kërkon kohë për t’u marrë në shqyrtim dhe për t’u analizuar, është e pamundur që përgjigja të vijë në kohë, çka do të thotë se Skënderbeu është i detyruar të respektojë këtë sezon vendimin e UEFA-s. “Albanian Free Press” mësoi se shansi i vetëm i Skënderbeut për t’u rikthyer në Europë është rifitimi i së drejtës nga CAS, dhe kjo nuk mund të ndodhë më këtë sezon. Në rast se ekipi i drejtuar nga Ilir Daja fiton pafajësi të plotë, UEFA mund të dëmshpërblejë Skënderbeun për akuzat dhe për përjashtimin e këtij ekipi nga Europa. Konfirmimi i Kukësit në Champions League, ndonëse zuri vendin e dytë, ishte paralajmëruar më herët dhe madje u qartësua nga merkatoja e shpejtë e nisur nga verilindorët për këtë kompeticion prestigjioz.

Partizani në Europa League

Përjashtimi i Skënderbeut nga Champios League i hap rrugë Partizanit, për pjesëmarrjen në Europa League, si ekipi i tretë i Shqipërisë, pavarësisht se u pozicionua në vend të pestë në edicionin e sapo-mbyllur. Edhe të kuqtë ishin në dijeni të këtij fakti dhe kanë nisur me kohë projektin për Kupat e Europës. Partizani në dy ditët e ardhshme do të bëj publik emrin e trajnerit të ri dhe përforcimet e merkatos së verës para se të nisë të bëj llogaritë në Europa League. Dy ekipet  e tjera pjesëmarrëse nga Shqipëria në Europa League janë Laçi dhe Luftëtari i Gjirokastrës, përkatësisht vendi i tretë dhe i katërt i kampionatit.

32 ekipe

26 nga 32 ekipe që do të garojnë në fazën e grupeve të Champions, gjatë këtij sezoni janë konfirmuar. Gjashtë të tjerat do të konfirmohen në gusht, pas ndeshjeve kualifikuese dhe atyre “play-off.” Ekipi kampion i Shqipërisë e nis aventurën në korrik, raundi i dytë kualifikues dhe nëse kalon luan “play-off”, për të prekur fazën e grupeve.

Vazot

Për t’u kompletuar vazot pritet të përcaktohen edhe 6 ekipe nga faza eliminatore dhe “play-off”, fazë ku ndodhet edhe Kukësi. Gjithashtu edhe pozicionet e disa ekipeve që kanë siguruar fazën e grupeve. Roma e Liverpul mund të vendosen në vazot 2 dhe 3, me Valencia, Viktoria Plzeň, Club Brugge e Galatasaray, që mund të jenë në vazot 3 ose 4.

Vazot e fazës së grupeve

Vazo 1: Real Madrid (kampion), Atletico M. (fitues i UEFA Europa League), Bayern M, Barcelona, Juventus, PSG, Manchester C, Lokomotiv M.

Vazo 2: Borusia D, Porto, Manchester U, Shakhtar D, Napoli, Totenham, (2 papërcaktuar)

Vazo 3: Schalke, Lyon, Monaco, CSKA Moskva, ( 4 papërcaktuar)

Vazo 4: Inter, Hoffenheim, (6 papërcaktuar)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: