SI PO KTHEHEMI NGA EKSPORTUESI MË E MADH, NË IMPORTUES EMIGRANTËSH – ANALIZË NGA ALFRED PEZA

SI PO KTHEHEMI NGA EKSPORTUESI MË E MADH, NË IMPORTUES EMIGRANTËSH – ANALIZË NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Për herë të parë pas 1990, e ndoshta edhe përgjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar, tema kryesore e ditës nuk është emigrimi i qytetarëve tanë jashtë kufijve të vendit, "për një jetë më të mirë" në perëndim kryesisht, por për të kundërtën. Po flitet çdo ditë e më shumë, për ardhjen dhe mundësinë e futjes së një numri gjithnjë e më të madh emigrantësh të huaj, nga vende kryesisht në luftëra, kriza humanitare, por edhe nga shtete me nivel të lartë emigracioni, që tentojnë nëpërmjet kufijve të Ballkanit, Gjermaninë dhe shtetet e tjera të BE-së.

"Nga muaji janar e deri më 13 qershor të këtij viti, rreth 2 500 vetë kanë hyrë në Shqipëri dhe 1 500 kanë kërkuar azil", - bëri të ditur zyra e UNHCR në qendrën rajonale në Bosnjë. Ajo që po kërkohet nga vendet pritëse ose tranzit të Ballkanit, është sigurimi i strukturave dhe zbatimi i procedurave sipas standardeve ndërkombëtare. Që do të thotë: identifikimin e njerëzve me nevoja të veçanta, si viktima trafikimi ose fëmijë të pashoqëruar ose të shkëputur nga familja, për t'i drejtuar ata në institucionet përkatëse. Zëdhënësi i shtypit të UHNCR-së, Neven Crvenkovic, i tha "Deutsche Welles" se ka prezencë në të gjitha pikat kryesore të kufirit dhe organizata e koordinon punën e saj me policinë kufitare dhe atë të migracionit,  duke e monitoruar situatën.

Këto shifra kërkesash për azil, janë krejt të pazakonta për një vend si Shqipëria, një shtet historikisht i varfër që ka eksportuar prej dekadash e më shumë se një shekulli, emigrantë drejt vendeve më të zhvilluara, kryesisht të Europës dhe kontinentit amerikan. Një fenomen që ende vazhdon në forma, rrugë e mënyra nga më të ndryshmet, përfshi edhe numrin e pazakontë të aplikimeve për lotarinë amerikane. Ende pa u ndaluar kjo rrjedhje, mediat tona po japin alarmin se mos toka e Shqipërisë mund të shndërrohet në një strehë dhe vendngulim i kampeve të refugjatëve. E gjitha kjo si një këmbim politik, për mundësinë e marrjes së votës pro në proceset e avancimit drejt BE-së.

 

Kategoritë e emigrantëve në Shqipëri

Deri më sot, drejt Shqipërisë janë identifikuar tri lloj grupesh ose "kategorish" të emigrantëve potencialë. Grupi i parë janë emigrantët politikë, që janë pjesëtarë të opozitës iraniane në mërgim, pjesëtarë të organizatës së Muxhahedinëve MEK. Bëhet fjalë për një numër relativisht të vogël, pjesë e një marrëveshjeje të Shqipërisë me SHBA-në.

Grupi i dytë janë emigrantët hipotetikë të mundshëm, që po diskutohen aq shumë këto ditë, se mund të vijnë në Shqipëri, për shkak të një diskutimi të vendeve të BE-së, kryesisht austriak, për hapjen e kampeve të refugjatëve në territorin tonë. Spekulimet janë shtuar dhe ndoshta mund të shtohen, sa më shumë që i afrohemi datës 28 qershor kur Këshilli i Ministrave të BE-së në Bruksel do shprehet rreth vendimit për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë.

Shtypi austriak ka shkruar, disa ditë më parë, rreth bisedimeve që qeveria austriake po zhvillon me vendet e Ballkanit si Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, për ngritjen e qendrave pritëse për emigrantët e ardhur ilegalisht, që janë futur në Austri dhe kanë marrë përgjigje negative azili, dhe nuk mund të kthehen në vendin e tyre. Edhe kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen, ka folur në fillim të muajit për plane për krijimin e kampeve të tilla, që nuk janë brenda Bashkimit Europian, por që ndodhen në Evropë.

"Asnjë diskutim nuk ka pasur për ngritje kampesh në Shqipëri ose gjetkë," tha Komisari i Bashkimit Europian për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, pasi doli të martën e kësaj jave, nga një takim në Bruksel me ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit. Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe ministri shqiptar, Fatmir Xhafaj.

Kategoria e tretë janë "emigrantët e rregullt" që ne u themi ndryshe, qytetarë të huaj që jetojnë e punojnë në mënyrë të rregullt në Shqipëri, të pajisur me leje qëndrimi nga autoritetet. Sipas një publikimi të fundit, çdo vit në Shqipëri ka mbi 3 000 kërkesa nga të huajt (mesatarisht 10 në ditë), për tu pajisur me leje pune. Ndërkohë që në total, statistikat flasin për rreth 13 mijë qytetarë të huaj nga shtete të ndryshme të botës, që janë pajisur me leje qëndrimi në vendin tonë.

Dikur Shqipëria ishte e preferuar kryesisht nga kinezët, të cilët vërtet nuk kanë krijuar një China Town si pothuajse në çdo shtet tjetër të botës së zhvilluar, por kanë qenë gjithmonë një komunitet për tu marrë në konsideratë. Por pas shumë vitesh, ata kanë zbritur nga "froni", për t’ia lënë dominimin në këtë drejtim, italianëve. Ajo që duket interesante është fakti se, në Shqipëri leje qëndrimi kanë kërkuar edhe shumë shtetas të tjerë indianë, filipinas, grekë, zviceranë, etj.

Tregu shqiptar i punës është interesant për një kategori të caktuar shtetasish të huaj, pasi ka ende një kërkesë dhe nevojë të lartë për punonjës të kualifikuar në profesione kryesisht të vjetra e tradicionale, të cilat për mungesë të shkollave profesionale për një periudhë të gjatë, mungojnë në Shqipëri.

Një nga fushat më joshëse për të huajt, është ajo e sektorit të teknologjive të reja dixhitale, e cila kërkon burime njerëzore për procese specifike, ku specialistët vendas për një pjesë të tyre, ende mungojnë. Kostoja e ulët e jetesës në raport me vendet e tyre të origjinës dhe politikat lehtësuese të taksimit për bizneset e huaja, bëjnë që Shqipëria të shihet si një treg me kërkesë gjithnjë e në rritje për shtetasit e huaj që vijnë me leje të rregullta qëndrimi.

 

Sfida globale e emigracionit dhe Shqipëria

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) publikoi raportin e Trendit Global mbi krizën e refugjatëve. Ajo çfarë bie në sy në raportin e fundit ishte se, popullsia e zhvendosur me dhunë në botë ishte në një "nivel rekord". Sipas raportit, gjithsej 68.5 milionë njerëz u zhvendosën deri në fund të vitit 2017, duke u rritur me 2.9 milionë që nga viti 2016. Vetëm gjatë vitit 2017, 16.2 milionë njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre. Kjo është rritja më e madhe e refugjatëve që UNHCR-ja ka parë në një vit të vetëm.

Në bazë të këtij raporti, një nga 110 persona në botë, është i detyruar të largohet nga shtëpia ose thënë më mirë, një person në çdo dy sekonda, bëhet refugjatë në botë. Ikjet si refugjatë bëhen kryesisht në vende me të ardhura të mesme ose të varfra. Merret lehtë me mend se, përse SHBA dhe Gjermania janë dy destinacionet kryesore që synohen nga emigrantët.

Shqipëria nuk hyn te shtetet e pasura ose te popullsi me të ardhura të larta e standard të lakmueshëm social ekonomik. Por kjo nuk e përjashton mundësinë që, në të ardhmen, nisur edhe nga ky trend global i lëvizjes së njerëzve për arsye emigracioni, të jemi një destinacion gjithnjë e më i preferuar. Pozicioni gjeografik pranë atyre që njihen si "rrugët" ose "autostradat" e emigrantëve drejt Gjermanisë, kryesisht dhe shteteve të tjera të BE, e favorizon këtë.

Sa më shumë Shqipëria avancon me proceset e anëtarësimit me të drejta të plota në BE, aq më shumë do të shndërrohet në një destinacion joshës për refugjatët dhe një vend pritës për emigrantët. E para, sepse ky mund të jetë nesër një detyrim për shkak të përgjegjësive të përbashkëta me vendet anëtare. E dyta, sepse jep më shumë garanci dhe mundësi për një pjesë sado të vogël emigrantësh, në atë masë milionash e milionash që "prodhojnë" hallet e botës çdo vit, që të qëndrojnë këtu e të mos futen më në thellësi të kontinentit.

Në asnjë rast, kjo nuk është një gjë e keqe jo e jo, por as që duhet parë me alarm e të trajtohet negativisht. Përkundrazi, ne si bij, familje dhe popull emigrantësh që jemi, nuk mund t’u kthejmë shpinën atyre që sot apo nesër mund të kenë nevojë për ne. Nga ana tjetër, qenia një vend tërheqës për emigrantët është shenja e parë pozitive, se po bëhesh një vend i zhvilluar ose me perspektivë të afërt të tillë.

Ditën që shqiptarët do të punësojnë emigrantët në bizneset e tyre këtu në Shqipëri, do të jetë një ditë e mirë. një ditë ku do të kuptojmë se, pas dekadash të qeni një vend që eksporton emigrantë, më në fund, edhe ne po bëhemi një vend që importojmë emigrantë. Shenjë e sigurt se,  pas kësaj do të vijë edhe një zhvillim më i madh ekonomik dhe një mundësi më tepër për të gjithë emigrantët shqiptarë në botë, për t’u rikthyer e ndërtuar ëndrrën e tyre, në vendin e vet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: