SI PO E BËN PD, ERION VELIAJ KRYEMINISTËR - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

SI PO E BËN PD, ERION VELIAJ KRYEMINISTËR - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Skenat e 18 qershorit në Komisionin Parlamentar të Medias në të cilin ishte thirrur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ngjajnë si dy pika uji me ato të vitit 2002, kur në një komision të posaçëm u thirr kryebashkiaku Edi Rama. Atë kohë, Edi Rama ishte një yll në zenit në krye të bashkisë së Tiranës, cilësohej djalë i zoti dhe simbol i një gjetje brilante të PS-së. Media e majtë e cilësoi modelin më të mirë të pushtetit lokal në të gjithë Shqipërinë dhe shumica e banorëve të Laprakës, Kombinatit, Ali Demit e cep më cep Tiranës, ishin bërë për vete nga 2  metroshi që ishte ndryshe nga politikanët e majtë e të djathtë dhe që solli ndryshim radikal në një qytet të pistë dhe të pashpresë. Aq simbolik mori kjo, saqë në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2003, gjatë një fjalimi elektoral, një kandidat i PD-së u premtoi zgjedhësve të vet se, do ta bënte qytetin e tyre siç kishte bërë Edi Rama Tiranën. Por, sipas rregullit të pashkruar, kjo “natyrë e qetë” nuk zgjati shumë. Marrëveshja e famshme mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës solli shumë e shumë viktima, një prej të cilëve ishte edhe Edi Rama. Një sulm i paparë dhe i padëgjuar më parë u krye ndaj kryebashkiakut Rama, deri në atë pikë sa kuotat e tij ranë ndjeshëm. Nga star i politikës, ai u kthye në një thes boksi, ndaj të cilit opozita lëshoi gjithë arsenalin e akuzave, duke e cilësuar hajdut, abuzues e deri te problemet familjare; ndërkohë që, shumica, pra Partia Socialiste, nuk reagoi fare. Ajo i ngjante titullit të romanit të famshëm të skocezit Archibald Cronin, “The stars look down” (Dhe yjet rrinë e vështrojnë). Kulmi arriti kur në një komision të ngritur enkas për të në Parlament, e vendosi Ramën përballë një lumi akuzash, tashmë jo me fjalë, por me dokumente dhe letra të siguruara nga opozita në sirtarët e bashkisë së Tiranës. Papritur, nga i përkëdheluri i madh i medias, Rama e pa veten në qendër të stuhisë. Nga një i mbështetur i madh i shumicës, e pa veten zbuluar dhe të braktisur prej saj; nga i vlerësuari i madh, befas u zbuluan se disa punë janë bërë keq dhe disa të tjera shumë keq. Ndërsa në kampin e PD-së, entuziazmi kishte arritur kulmin teksa i gëzoheshin faktit se shtinë në dorë “peshkun” e madh të politikës së asaj kohe. Pamjet e Edi Ramës me megafon në dorë, por i djersitur dhe në siklet, me fjalor të pasur epitetesh, por i zbehur në fytyrë, ishin shfaqje të një prove të madhe që ai po kalonte pas 4 vitesh që ishte futur në politikë. Përballë kishte një shpurë deputetësh  demokratë, me në krye të ndjerin Sokol Olldashin që, realisht e vunë Ramën me shpatulla pas murit, duke i bërë hetuesinë e duke triumfuar në një betejë që për opozitën u quajt fitore nga më të mëdhatë që kishte arritur. Natyrisht, kjo ishte një strategji e pastër e PD-së së asaj kohe, për ta dëmtuar  figurën e Ramës, i cili pas disa muajsh do kërkonte një mandat të dytë – ndajdobësimi i kundërshtarit ishte një taktikë politike me qitje të largët.

Pikërisht në këto moment, duket se Edi Rama duhet të ketë marrë një vendim tjetër në karrierën e tij, se për të arritur suksese por edhe hakmarrje politike, kostumi i kryetarit të bashkisë së Tiranës i rrinte ngushtë. Afërmendsh, ai duhet të jetë betuar me veten, se një ditë do t’ua kthente reston, por që kjo të arrihej duhej të ishte në një pozicion të lartë - atë të kryeministrit.

Nuk gabojmë të themi se, prezenca e Erion Veliaj në komisionin parlamentar të Medias, ngjan aq shumë me atë të Edi Ramës. Pavarësisht se në karrierën e tij politike ka bërë beteja, Erion Veliaj nuk ishte përballur ndonjëherë si seanca e 18 qershorit - që nisnin nga fjalori i përdorur e deri në tendenca për dhunë fizike. Por fundja është politikë, nuk është romancë dhe rregulli i pashkruar në Shqipëri, e ka dashur që kush futet në të, në mos nuk nxihet do bëhet pis. Ndërsa për rastin e Veliaj, gjërat janë edhe më larg dhe lart se kaq. Ai po ndjek rrugën që kanë nisur dhe kanë përshkruar deri më sot, të gjithë politikanët shqiptarë që kanë arritur deri në majën e pushtetit, pra që janë bërë kryeministra. Ka kohë që në politikën e majtë emri i Erion Veliajt përflitet si pasardhës i Edi Ramës. Dhe ai gati-gati po ndjek rregullin e artë se ajo gjë që nuk të vret, të bën mirë.

Një cilësi që çdo lider në Shqipëri e ka kaluar, sikur të kenë ecur si akrobati në ushtrimin e fortë të ekuilibrit të telit. Vetëm pak moment që ishte zgjedhur kryetar i Partisë Sociaiste, Fatos Nano u arrestua dhe katër vjet burg të tij ishin çmimi më i rëndë që ka paguar një politikan shqiptar. Kjo kalitje bëri që, jo vetëm të konfirmohej si një politikan i lartë, por pasi ujërat u turbulluan, Fatos Nano u bë edhe dy herë të tjera kryeministër.

Sali Berisha përjashtoi rregullin për herën e parë në pushtet, por pas largimit të tij si president i Republikës u ngrit nga hiri, pikërisht përmes proceseve të njëpasnjëshme. Kulmi ishte në nëntor të vitit 2002, kur për katër orë u shoqërua në drejtorinë e Policisë së Tiranës, një veprim që edhe sot kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, habitet se si ka ndodhur.

Kështu, Fatos Nnao arriti të bëhej kryeministër. Kështu, Sali Berisha arriti të bëhet kryeministër. Kështu edhe Edi Rama arriti të bëhet kryeministër. Erion Vleiaj duket se po stërvitet për tu bërë i tillë. Por që të arrijë deri te statura e Nanos, Berishës dhe Ramës, i duhet të ketë luspa shumë të trasha. Dhe që ta arrijë këtë, i duhet të përballet. Por PD-ja realisht po i vjen në ndihmë. Sulmi i 18 qershorit është një provë gjenerale se duhet të kthehet në tabelë qitjeje, që të shkojë larg dhe lart në karrierë. Pa dashur, partia Demokratike po e ndihmon duke e kthyer në tabelën kryesore të sulmeve. Një ditë, Erion Veliaj do jetë kryeministër. A nuk janë zgjedhur të gjithë kryeministrat kështu?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: