Shtrenjtohet ndërtimi, rriten më tej kostot

Shtrenjtohet ndërtimi, rriten më tej kostot
Aktiviteti i ndërtimit duket se po merr një hov të ri, jo vetëm falë lejeve gjithmonë e më të shumta që i kanë dhënë institucionet, por edhe shtimit të kostos së tij

Ndërtimi në Shqipëri, duket si një aktivitet i cili nuk ka më kthim pas. Jo vetëm falë lejeve gjithmonë e më të shumta që po merr nga institucionet, por edhe për koston e tij.

Të dhënat më të fundit zyrtare flasin sërish për një rritje të tyre, duke konfirmuar kështu se të ndërtosh në këtë vend, po bëhet një aktivitet mjaft i shtrenjtë. Kësisoj, edhe produkti që ai realizon kushton më tepër se më parë, pikërisht falë këtyre kostove.

Konkretisht, sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2018 të këtij viti ka shënuar një rritje me nivelin prej 0.5%, në krahasim me një vit më parë. E cila përkthehet në shpenzime më të larta që kanë dalë nga xhepat e ndërtuesve, për të ngritur të njëjtat ndërtesa.

“Sipas grupeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vërehet se indeksi i grupit “Shpenzime transporti” u rrit me nivelin prej 2.1%, pasuar nga grupi ”Kosto të tjera” me 1.9%, “Shpenzime për paga” me 1.7% dhe “Shpenzime materiale” me 0.5%”, cilësojnë ekspertët e INSTAT-it. Sa i përket rritjes më të lartë, asaj nga transportet, kjo mund të shpjegohet me rritjen e nivelit të çmimit të karburanteve, nga viti në vit.

Kurse ato për paga, me nivelin më të lartë që paguhet një punëtor i ndërtimit, krahasuar me vjet.

Kosto këto që duket se u balancuan me  një rritje më të ulët të kostos së shpenzimeve materiale, që përbëjnë në fakt edhe zërin me peshën kryesore në aktivitetin ndërtues.

Por a do të mund të përkthehen këto rritje kostosh në një rritje të çmimit të ndërtesave?

Në fakt, sipas ekspertëve, ky zë nuk është se ushtron presione domethënëse të menjëhershme në rritjen e çmimeve të shitjes, edhe pse mund të ketë gjithsesi njëfarë ndikimi.

Sipas Entit të Banesave, kosto e ndërtimit në Shqipëri është mes 32 dhe 33 mijë lekë për m2, me diferenca të vogla mes bashkive të ndryshme.

 

Lejet e ndërtimit nuk ndalen, sektorit vetëm i shtohet puna 

Aktiviteti i ndërtimit mund të cilësohet jo vetëm si ndër sektorët që kontribuon më shumë në ekonominë e vendit, por edhe si një që vetëm i shtohet puna. Këtë e konfirmon edhe numri i madh i lejeve që atij i janë akorduar së fundmi, duke parashikuar kështu një “front” të ri ndërtimesh në rang vendi.

Konkretisht, në tremujorin e parë të këtij viti janë miratuar gjithsej 221 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 101 të tilla, të miratuara në tremujorin e parë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje në nivelin prej 118.8%. Ku nivelin më të lartë të tyre e kanë zënë pikërisht ato për qëllime banimi, konkretisht 127 të tilla. E duke treguar në këtë mënyrë, se në këtë vend vazhdon që të ketë kërkesë të lartë për strehim nga popullata, e ciula reflektohet pikërisht edhe në një kërkesë të shtuar që ndërtuesit paraqesin pranë institucioneve për t’u pajisur me një leje. Prej të cilave, shumica rezulton se janë me një kat dhe më pak me dy kate e lart.

Ndërkaq, sa i përket ndarjes gjeografike se për ku jepen lejet, Tirana vazhdon që të mbajë vendin e parë në vend, duke u konfirmuar ende si një “kantier” i vërtetë ndërtimi. E duke treguar në këtë mënyrë, se në kryeqytetin e Shqipërisë, ka ende një kërkesë të lartë për banesa.

Ndërkaq, një problem jo i vogël me të cilin po përballet ky sektor është edhe ai i zhvlerësimit të monedhës evropiane, euro, në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Kjo pasi prej kohësh apartamentet dhe dyqanet në tërësi shiten me këtë monedhë dhe rënia e saj, sinjifikon më pak lekë për ndërtuesin, në momentin që mund t’i konvertojë ato. E nga ana tjetër, një kosto më e lirë blerje për qytetarët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: