Shqiptarët ende më të varfrit e Evropës, me konsumin e të ardhurat më të pakta

Shqiptarët ende më të varfrit e Evropës, me konsumin e të ardhurat më të pakta
Shqiptarët vazhdojnë që të jenë ende qytetarët më të varfër të Evropës.

Përveçse konsumojnë më pak se evropianët, ata kanë edhe të ardhurat më të pakta, nëse i krahasojmë me ta.

Kjo dukuri rikonfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit Evropian të Statistikave, sipas të cilit, edhe për vitin që shkoi, shqiptarët u renditën të fundit në listën e vendeve të kontinentit të vjetër sa u përket këtyre dy treguesve kyçë për jetesën.

Konkretisht, sipas tyre, rezulton se një shqiptar konsumon mesatarisht sa 37% e nivelit mesatar të konsumit të një qytetari të Bashkimit Evropian. E cila përkthehet në një tendencë të shtuar të tyre për të kursyer dhe për të mos e shpenzuar paranë. Teksa edhe kjo e fundit, rezulton që të jetë më e pakët në duart e tyre, krahasuar me evropianët.

Gjithmonë sipas Eurostat-it, rezulton se një shqiptar i ka të ardhurat e tij mesatare gati sa çereku i atyre që ka një qytetar i BE-së.

Në nivel shifrash, ky tregues është 29%, ose më i ulëti në gjithë listën e vendeve evropiane. Duke treguar në këtë mënyrë se të ardhurat mesatare të një shqiptari janë më të ulëta madje edhe se shtetasit e tjerë të rajonit që e rrethojnë atë.

Për shembull, se maqedonasit, apo serbët, të cilët i kanë të ardhurat e tyre deri në nivelin prej 37% krahasuar me evropianët; apo edhe boshnjakët, që gjithashtu i parakalojnë ata me një nivel të ardhurash prej 32%, krahasuar me mesataren evropiane.

Për të mos marrë fare mundimin të krahasohemi me vende model në këtë aspekt, siç është për shembull Luksemburgu, ku të ardhurat e shtetasve të saj e tejkalojnë madje edhe mesataren e BE-së, me 153%. Apo Zvicra deri 58% dhe Norvegjia 50%, etj.

 

RAPORTI

Eurostat: Azilkërkuesit shqiptarë në BE, më të shumtët pas vendeve të luftës

Pas Sirisë, Irakut, Afganistanit, Pakistanit dhe Eritreas, Shqipëria është vendi i cili po i “dhuron” më shumë azilkërkues Bashkimit Evropian. Një dukuri e tillë konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat), sipas të cilave rezulton se që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil. Numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n.

Shqipëria vijon të renditet kështu, në listën e 10 shteteve me numrin më të lartë të azilkërkuesve, duke zënë 4% të totalit të tyre. Nga ana tjetër, ajo rezulton se renditet ndër vendet me normë më të ulët të pranimit të kërkesës për azil nga BE-ja, së bashku me Kosovën apo Serbinë. Sikundër, përmendet ndër shifrat e Eurostat edhe si ndër vendet  që kanë numrin më të madh të tërheqjeve nga aplikimet për azil në Be, konkretisht, rreth 10% e të interesuarve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: