SHNANDOU I MYSLIMANËVE – OPINION NGA FRROK ÇUPI

Publicitet
Publicitet
SHNANDOU I MYSLIMANËVE – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po të ishte Kisha e Shna Ndout vetëm e katolikëve, nuk do të kishte kaq shumë pelegrinë. Dje, në ditën e Shenjtit, nuk kishte vend “për një kokërr mollë”, në tërë atë mal ku ngrihet kisha... Vendi ynë me shumicë absolute të besimit mysliman, mbush edhe malet rreth kishës. Fakti se në kishën e Shna Ndout, luten me mijëra myslimanë nga mbarë vendi, tashmë është i njohur botërisht... Po të mos kishim kaq shumë të pashpresë, nuk do të kishim aq ka shumë “të pafé”, ose njerëz që besojnë të dy besimet; ose myslimanë që shkojnë në kishë, etj...

Çfarë ka ndodhur me këtë njeri të papërcaktuar?

Shna Ndou nuk ka portë

Njerëzia, natyrshëm, zgjedh rrugën më të lehtë. Në Kishën e Shna Ndout e gjen më lehtë “lumturinë”. Askush nuk i thotë “jo, nuk ta jap atë që kërkon”. Të gjithë pelegrinët mbetën të kënaqur, kur kthehen nga kisha kanë marrë atë që kanë kërkuar. Njeriu i telendisur sa nga varfëria, sa nga malli për njeriun që nuk e ka pranë, sa për fatin që nuk e di, ka gjetur “fuqinë” e tij te shenjti. Aty ai përballet me të gjithë që e kanë mundur deri në këtë moment: Me sëmundjen, me hasmin, me drejtësinë, me hajdutin e pronave dhe me vetë shtetin. Sa më shumë njerëz shikojmë në Malin e Kishës, aq më shumë njerëz të dëshpëruar kemi. Këtu jeton një komb që, çdo anëtar i tij ka mbi vete tre konflikte gjyqësore, mesatarisht; secili ka edhe 4 deri 5 mijë euro borxh shtetit. Po sikur të mos ishin malet e pafund ku ndodhet Kisha dhe ku e zotërojnë njerëz të pashpresë, ku do të shpërthente ky “lumë i verbër”, vallë?

Po shteti pse nuk i vë portë “Shna Ndout”?

Kjo ka ndodhur vetëm në shtetin komunist, një shtet “idiot” që zuri vendin e zotit. “Idiotësia” ishte në të vërtetën që nuk njihte veten sa i dhunshëm ishte: Aq i dhunshëm, saqë mori mbi vete përgjegjësitë e veta dhe përgjegjësitë e Zotit. Në shtetin postkomunist, përgjegjësinë kryesore e ka Zoti, ose Shna Ndou... Si e ka përgjegjësinë shenjti i vdekur që në shekullin 12?! Se kur njeriu lodhet e lodhet me shtetin, atëherë i drejtohet Zotit, ose Shna Ndout. Të gjithë ata mijëra njerëz që ndodheshin ditën e Shna Ndout, secili prej tyre ka trokitur një ose disa herë në dyert e shtetit, por nuk i janë hapur. Atëherë ka marrë rrugën drejt maleve të Laçit ku nuk ka portë. Në qershorin që vjen, me siguri atje do të jenë minatorët që protestuan sot para qeverisë, do të jenë edhe Robert Ndrenika, Ben Derhemi, Mirush Kabashi dhe artistët e tjerë që po protestojnë për prishjen e godinës së Teatrit. Shteti postkomunist nuk mbaron kurrë punë me njerëzit; ose përdor grevat e opozitës për të shkarkuar tensionet, ose i nis njerëzit për andej nga Shna Ndou...

Në demokraci, prifti bëhet diktator

Askush, deri më sot, nuk është ngritur mes turmave në malin e Kishës së Shna Ndout që t’u thotë njerëzve: “Hej, ku po shkoni? A keni punë shëndeti?... A keni punë pune?... A keni punë prone?...”. Kthehuni e kërkojani shtetit!”

Është interesant se, të gjithë diktatorët e bëjnë të keqen “në të mirë të popullit”. Edhe prifti që jeton me famën e numrave njerëzor, ka një interes ngazëllues që të shikojë sa më shumë njerëz në kolonën e gjatë që zvarritet drejt malit të Kishës. Të paktën, të kishin bërë një listë me njerëz që kanë probleme shëndeti; dhe këta emra t’i shpallnin për idenë e qeverisë mbi “shëndetësinë falas”. Ose të rrënuarit nga vendimet e padrejta mbi pronat... Këta mund të ishin orientuar për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të paktën. Se edhe vetë Shna Ndou, ose Shën Antoni, erdhi që nga një kishë e Padovës në Europë; dhe për në Padova u nis nga Portugalia ku ishte quajtur Fernando Bulhão. Edhe shenjti kishte vuajtur në udhëtime, kishte ndërruar edhe emrin, sakrificën e kishte bërë për të drejtën. Pse nuk nxiten njerëzit për veprim, por mblidhen në kisha e në parti politike me qëllim që të shkarkojnë energjitë dhe zjarrin e zemrës?...

Demokracia liberale është si komunizmi.

Pas vitit 1989, pasi ishte shembur Muri dhe po binte komunizmi në botë, me Baptistët ndodhi siç dëshmon studiuesi Robert Buchar. Të devotshmit e kishës kërkuan që, Baptistët ta kthenin kishën në një “institucion demokratik”. Dhe një ditë, presidenti i Baptistëve i tha autorit: “Tani, çdo kishë ka diktatorin e saj”.

Vetë komunizmi është stërzgjatur me rregullat e tij në jetën postkomuniste. Demokracia liberale ka shumë gjëra të përbashkëta me komunizmin: Si dikur komunizmi e donte çdo gjë “komuniste”, në demokracinë liberale, çdo gjë përshkohet nga “demokracia”. “Familja komuniste”, si “familja demokratike”; “njeriu komunist” si “njeriu demokrat”, “vrulli komunist” si energjia demokratike”, “zgjidhja komuniste” si “zgjidhja demokratike”, “mëshira komuniste” si “mëshira demokratike”, etj. Njerëzit, pa e kuptuar, shpesh herë ndodhen në të njëjtin cikël. Shteti komunist nuk kishte kontratë me individin as me shoqërinë; as shteti pas komunizmit nuk ka kontratë me individin. Shteti bën gjithçka pa pyetur askënd: Bën kullat, bën rrugët me pagesë, shemb teatrin, paguan mediat private me fonde publike, rrit borxhin, rrëzon lekun, djeg terrenin e akademizmit...

E shikoni sa punë komuniste bën demokracia liberale? Përplasjet e mëdha politike në Europë, po ndodhin pikërisht për arsyen se qeveritë liberale nuk kanë pyetur për kontratën me të qeverisurit. Lëvizjet konservatore populiste, po i japin frymë tjetër Europës; gjë që do të ndodhte edhe në vendin tonë po të kishim opozitë politike të stilit të kohës dhe perëndimore.

Mirëpo, meqë është Kisha e Shna Ndout, njerëzit “lihen të lirë” për atje, si të krishterë edhe myslimanë - njësoj. As atje nuk ka kontratë, por atje njerëzit kanë mundësinë që ta përdorin lirinë në dëm të tyre...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: