Sëmundjet e lindura të zemrës dhe shtatzënia, simptomat dhe kujdesi

Publicitet
Publicitet
Sëmundjet e lindura të zemrës dhe shtatzënia, simptomat dhe kujdesi
Shtatzënia përkeqëson sëmundjet e mëparshme të zemrës, por, në të njëjtën kohë, vetë shtatzënia jep shenja dhe simptoma të cilat imitojnë sëmundjet kardiake, çka e bën më të vështirë diagnostikimin dhe trajtimin nga kardiologët. Si duhet ndjekur një grua shtatzënë, kur ka probleme të zemrës. Mjekja gjinekologe, Kozeta Mustafaraj, tregon këshillat për trajtimin e gruas e deri në lindjen e bebit

Sonila Isaku

Sëmundjet e lindura të zemrës janë të shpeshta, pothuaj 9 në 1000 të lindur vuajnë nga një anomali e lindur e zemrës. Shtatzënia përkeqëson sëmundjet e mëparshme të zemrës. Në të njëjtën kohë, vetë shtatzënia jep shenja dhe simptoma të cilat imitojnë sëmundjet kardiake, çka e bën më të vështirë diagnostikimin dhe trajtimin nga kardiologët .

Sëmundja

[caption id="attachment_94999" align="alignright" width="300"] Pregnant woman lying and doing breathing exercise[/caption]

Përgjithësisht, preferohet që gruaja të jetë e vlerësuar dhe trajtuar më parë se të nisë shtatzania. Për shkak të rritjes së ngarkesës së volumit, sëmundjet kardiake mund të manifestohen në trimestrin e parë. Këto sëmundje mund të jenë në forma të lehta, sikur defekte atriale, defekte ventrikulare , apo forma të rënda dhe komplekse, sikur tetralogji Fallot të reparuara, ventrikul i vetëm pas një procedure Fontan, proteza valvulare etj. Gjëja më e rëndësishme për t’u vlerësuar, është ngarkesa e volumit , që nis të rritet në trimestrin e parë dhe arrin maksimumin në mes të trimestrit të dytë , rreth 50 % mbi bazën. Pavarësisht sëmundjes bazë, është ventrikuli ai që i duhet të përballojë këtë ngarkesë, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Shtatzënia shoqërohet edhe me një rënie të pasngarkesës, ndërkohë që presioni i gjakut ulet, frekuenca e rrahjeve të zemrës rritet, së bashku me volumin dalës të zemrës. Rënia e këtij volumi nuk do të tolerohet mirë në rastet e stenozës së aortës, për shkak të rritjes së gradientit. Ndërsa në rastet e regurgitimit, ndryshimet e volumit tolerohen më mirë.

Sëmundjet kardiake ku nuk rekomandohet shtatzënia

Gratë të cilat vuajnë nga Hipertensioni pulmonar, sindromi Eisenmenger, pasi kanë mortalitet amtar të lartë, rreth 30%. Po kështu, shtatzënia nuk është e rekomandueshme edhe për gratë të cilat kanë funksion ventrikular të ulët, ku fraksioni hedhës është më u vogël se 30%, pasi ky funksion ventrikular nuk e përballon dot ngarkesën e volumit. Aorta e dilatuar (sindromi Marfan), ose valvula bikuspide aortite, është një tjetër pengesë. Nëse aorta është më e gjerë se 45 mm, shton rrezikun për disekim apo rupturë të saj, gjatë shtatzënisë. Në rast të lezioneve obstruktive, sikur Stenoza e aortës duhet bërë më parë trajtimi i tyre, për të parandaluar një ndërhyrje urgjente kirurgjikale gjatë shtatzënisë. Protezat Valvulare nuk janë kundër indikacione për shtatzëninë, por kërkojnë një konsultim të mirë më parë, dhe ndjekje në qendra të specializuara. Kontrolli prekoncepsional është çelësi i suksesit të përballimit të shtatzënisë.

2 çështje kryesore

Janë dy çështje shumë të rëndësishme, kur bëhet fjalë për praninë e sëmundjeve të zemrës, siç është rreziku amtar dhe rreziku fetal. Është e nevojshme të bëhet një vlerësim i plotë i nënës, ekzaminim klinik, ekokardiograf, dhe provë ushtrimore . Pacientet me sëmundje kongenitale të zemrës, nuk japin kurrë një provë ushtrimore normale. Duhet parë çfarë rreziqesh sjell shtatzënia, çfarë medikamentesh është duke marrë dhe cilët mund të marrë gjatë shtatzënisë. Ndërsa për fetusin, duhet menduar sa shanse mund të ketë fëmija të ketë anomali kardiake, a do të jetë i sigurt nën efektin e medikamenteve të nënës. E rëndësishme është të përllogaritet ndikimi i ndryshimeve hemodinamike gjatë shtatzënisë tek këto gra. Nëse gruaja vuan nga anomali madhore të zemrës, e rëndësishme është të qartësohet, sa mundet kjo grua të jetojë për të rritur fëmijën e saj të dëshiruar. Ndjekja e grave me anomali të lindura, duhet të bëhet në qendra të specializuara. Gjatë shtatzënisë janë të kundër indikuara përdorimi i frenuesve të enzimës angiotenzin konvertuese (ACE), bllokuesit e receptorëve angiotenzin (ARBs), statinat. Përdorimi i medikamenteve bëhet duke përllogaritur riskun dhe përfitimin amtar.

Menaxhimi i situatës

Gjendja më problematike gjatë shtatzënisë për një grua me probleme në zemër, është valvula mitrale mekanike. Cilat janë tre strategjitë që duhen ndjekur? Të vazhdohet Coumadin gjatë shtatzënisë. Të jepet heparin e pafraksionuar ose heparin me peshë molekulare të ulët), në tremujorin e parë, të kalohet në Coumadin gjatë shtatzënisë, dhe heparin para lindjes. Si dhe të merret qeparin, gjatë gjithë kohës së shtatzënisë.

Shtatzënia është gjendja protrombotike më e lartë e mundshme . Coumadina është antikoagulanti më i mirë, po ka një risk deri 6%, për anomali të embrionit. Ky rrezik është i lidhur me dozën e medikamentit, për doza ditore 5mg është shumë i ulët. Ndërkohë që risku për trombozë amtare dhe jo vetëm për tromboemboli, edhe gjatë marrjes së heparinës, mbetet i lartë, deri 17% . Kjo bën të domosdoshme ndjekjen e këtyre rasteve, në qendra të specializuara duke bërë monitorimin e antifaktori Xa.

Lindja

Është mit që gratë me anomali kardiake, duhet të lindin me operacion. Kjo nuk është e vërtetë. Humbja e gjakut gjatë një ndërhyrje kirurgjikale është më e madhe sesa gjatë lindjes vaginale . Shumica e grave munden të lindin me rrugë natyrale, nëse aktiviteti është i shkurtër, dhe jo më tepër së 24 apo 30 orë, pasi mund të ndodhin ndryshime hemodinamike të papritura.

Indikacione për lindje me operacion

Rastet për të shkuar drejt një lindje me operacion, janë ato kur aorta e dilatuar për të shmangur shtytjen për një kohë të gjatë, dhe hipertensionin pulmonar. Stenoza e aortës është një dëmtim stenotik me rekompensim. Pas episodit të parë të kardiomiopatisë perinatale,në 20%-40% të grave funksioni ventricular i tyre, do të normalizohet . Edhe nëse fraksioni i ejksionit do të normalizohet, përsëri mbetet risk i lartë për tu përsëritur gjatë shtatzënisë tjetër, me një rekourencë të paktën 20%. Por, në shtatzëninë e dytë, ky fraksion do të ulet me një tjetër 20%, dhe nëse nuk normalizohet më, atëherë rritet risku për shtatzëninë (shkon 45 %) çka rrit mortalitetin amtar.

 

Sëmundjet kardiake ku nuk rekomandohet shtatzënia

- Gratë të cilat vuajnë nga Hipertensioni pulmonar, sindromi Eisenmenger, pasi kanë një mortalitet amtar të lart, rreth 30%.

- Gratë të cilat kanë funksion ventricular të ulët, ku fraksioni hedhës është më i vogël se 30%, pasi ky funksion ventricular nuk e përballon dot ngarkesën e volumit.

- Aorta e dilatuar (sindromi Marfan), ose valvula bikuspide aortike. Nëse aorta është më e gjerë se 45 mm, shton rrezikun për disekim apo rupture të saj gjatë shtatzënisë.

- Në rast të lezioneve obstruktive, sikur Stenoza e aortës duhet bërë më parë trajtimi i tyre për të parandaluar një ndërhyrje urgjente kirurgjikale gjatë shtatzënisë.

- Protezat Valvulare nuk janë kundërindikacione për shtatzëninë, por kërkojnë një konsultim të mirë më parë, dhe ndjekje në qendra të specializuara.

- Kontrolli prekoncepsional është çelësi suksesit të përballimit të shtatzënisë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: