“Rusi 2018”, pesë kapitenët e skuadrave që prekin historinë   

Publicitet
Publicitet
“Rusi 2018”, pesë kapitenët e skuadrave që prekin historinë   
Edhe dy ditë nga finalet e Kupës së Botës, Rusi 2018, gjithçka gati dhe të gjithë me dëshirën të shkruajnë historinë

Aranit Muraçi

Disa janë relativisht të rinj dhe pa eksperiencë. Disa debutues në botëror, të tjerë janë familjarizuar me emocionet e jashtëzakonshme që dhurojnë finalet e Kupës së Botës. Lojtarët që vendosën të udhëheqin si kapitenë ekipet e tyre në këtë botëror janë përzgjedhur me kohë. Por vetëm njëri prej tyre do të ketë mundësi që më 15 korrik të ngrejë trofeun aq të lakmuar, po aq edhe prestigjioz, i cili padyshim do të kthehet në një hero për kombin e tij. Megjithatë edhe arritja në një fazë të avancuar do të ishte historike për shumë nga 32 ekipet pjesëmarrëse të këtij botërori.

Essam El Hadary (Egjipt)

Gati të thyejë një rekord. Portieri egjiptian (15/01/1973) si dhe ish-portieri kolumbian Faryd Mondragon mbajnë rekordin si lojtarët më të vjetër që kanë marrë pjesë në finalet e një botërori. Ky i fundit luajti në Brazil 2014 në moshën 43-vjeç. Portieri dhe kapiteni i Egjiptit, Essam El Hadary do të jetë në  Rusia 2018, në ndeshjen e parë, 45 vjeç e 150 ditë, dhe duket se është gati të hyjë në histori pa nisur aktiviteti.

 

Harry Kane (Angli)

Sulmuesi anglez Harry Kane është vetëm 24-vjeç. Megjithatë instinktet e tij prej një golashënuesi si dhe të një lideri në fushë ranë shpejt në vëmendjen e trajnerit  Gareth Southgate, të cilit i besoi menjëherë shiritin e kapitenit. Shiritin që më herët e kanë mbajtur Wayne Rooney, John Terry, David Beckham e Gary Lineker, sulmuesi i Totenhem, i cili ka realizuar mbi 100 gola në katër sezonet e fundit, do të përpiqet ta shfrytëzojë ashtu siç duhet, edhe për faktin se është kapiteni më i ri i këtij botërori.

 

Neymar (Brazil)

Konsiderohet një super-yll në kulmin e fuqisë së tij. Nuk ka askush dyshim se ai është një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror. Braziliani 26-vjeçar mori kohët e fundit shiritin e kapitenit dhe ka përgjegjësinë të udhëheqë “Seleçao”, për triumfin e gjashtë në Botëror. Ai u dëmtua papritur katër vjet më parë, në gjysmëfinale ndaj Gjermanisë dhe kaloi një periudhë dëmtimi edhe para finaleve të këtij botërori, por u kthye me gol në një miqësore të fundit ndaj Kroacisë. U rikthye me stilin dhe nuhatjen e shkëlqyer të një sulmuesi tipik që kërkon Brazili për të shkruar sërish historinë.

 

Aron Gunnarsson (Islandë)

Një debutim i paharrueshëm. Rritja e pabesueshme e Islandës që debuton në këtë finale të Botërorit nuk ka ardhur rastësisht. Vendi që arriti kualifikimin historik në edhe Euro 2016 duke shkuar deri në çerekfinale, do të udhëhiqet nga Gunnarsson, 29-vjeç, i cili me shiritin e kapitenit kërkon të që të lërë gjurmë bashkë me shokët e tij, ashtu si dy vjet më parë në Francë.

 

Radamel Falcao (Kolumbi)

Mund të quhet ndryshe “Hakmarrja e tigrit”. Më 22 janar 2014, Radamel Falcao këputi një ligament gjuri, që e detyroi të humbte finalet e botërorit të kaluar. Kolumbia shkoi deri në çerekfinale të atij botërori, por golashënuesi më i mirë i historisë së këtij vendi e ndoqi suksesin nëpërmjet ekranit. Jeta ndonjëherë të jep një shans të dytë. Falcao, 32-vjeç, me shiritin e kapitenit në krah do të përpiqet ta shfrytëzojë këtë shans për të shkruar një kapitull të ri në historinë e Kolumbisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: