Rilinda Velaj: Dëshira dhe pasioni mposhtin lodhjen

Publicitet
Publicitet
Rilinda Velaj: Dëshira dhe pasioni mposhtin lodhjen
Flet këngëtarja përmetare, Rilinda Velaj: Jam munduar t’i bëj të dyja njëkohësisht, si arsimimin ashtu edhe këngën; besoj se ia kam dalë, sepse kam mbaruar studimet në degën e Psikologjisë Klinike. Prindërit kanë respektuar vendimet e mia, duke më mbështetur që mos të lë asnjëherë pas dore, si këngën ashtu edhe mësimet.

Ka shumë vite që sjell në skenë dhe aktivitete këngën e bukur të Jugut, veçanërisht lirikat e ëmbla përmetare. Rilinda Velaj - e lindur në qytetin e luleve, por e rritur në Tiranë, në sallat me talente të pallatit të pionierëve - ndoqi gjurmët e babait të saj, gjurmët e respektit për folklorin e bukur të zonës, për vargjet e çmuara mbi dashurinë dhe familjen, natyrën dhe mirësinë. Vjen në një rrëfim mbi rrënjët e saj, aktivitetin dhe projektet, zëri më i bukur i gjeneratës së re të perlës së jugut shqiptar, Përmetit.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju këndoni me dashuri këngën e Shqipërisë së Jugut dhe veçanërisht atë përmetare. Por si erdhët deri tek kënga?

Kënga ka qenë gjithmonë frymëzim për mua. Që në moshë shumë të vogël, këndoja në aktivitetet e shkollës dhe më pas u regjistrova në pallatin e pionierëve në Tiranë. Ishin ato vitet kur aty fitova çmimin e 3-të me këngën “Ding Dong”. Më pas në vitin 2008, kam shkuar në Bylis me grupin “Zëri i Trebeshinës”. Ka një veçanti në këtë aspekt, sepse president i këtij grupi është babai im, Gani Velaj, pra ka një traditë familjare. Me këtë grup kam interpretuar këngën “Nusja me vjehrrën” dhe po atë vit kam publikuar albumin tim të parë "Si rrufe dy zemra".

Na tregoni diçka më shumë për veten, ku ke lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj?

Kam lindur në Përmet, në qytetin e trëndafilave. Më pas kur isha në 8-vjeçare kam ardhur në Tiranë. Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur dhe mbaj mend që, kur dilja në skenë, gjithmonë babai më jepte zemër e më thoshte: “Ke për të shkëlqyer!”

Në cilin vit ose moshë jeni aktivizuar me këngën për herë të parë? Mund të na tregoni ato emocione?

Për herë të parë, kam dalë në skenë në moshën 8-vjeçare në koncertet e fëmijëve ku kam kënduar këngën "Ding Dong". Mbaj mend se, kur dola për herë të parë, më dridheshin duart dhe kisha emocione të shumta, por më pas, kur kam nisur të këndoj këngën me ikën plotësisht emocionet dhe bëra maksimumin, duke u përqendruar vetëm te kënga dhe dola shumë mirë, duke marrë dhe çmimin e 3-të.

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin tuaj për këngën?

Familja ka qenë shtysa më e madhe imja. Kur them familja kuptoj të gjithë pjesëtarët, - si motrat ashtu edhe dy prindërit e mi, ndjehen shumë krenarë për mua dhe për atë çka unë kam arritur. Kjo sigurisht që më motivon shumë.

Lexova diku se ke qenë edhe një nxënëse shumë e mirë me mësime. Nuk kishte merak familja se arti do ju pengonte në mësime?

Mendoj se jam munduar t’i bëj të dyja njëkohësisht, si arsimimin ashtu edhe këngën dhe besoj se ia kam dalë, sepse kam mbaruar studimet në degën e Psikologjisë Klinike. Prindërit kanë respektuar vendimet e mia, duke më mbështetur që mos të lë asnjëherë pas dore, si këngën ashtu edhe mësimet.

A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje?

Mendoj që jeta e një artisti është shumë e bukur, sepse ke gjithmonë mundësinë të shohësh vende të reja. Sigurisht që ka edhe vështirësi, por mendoj që kur është fjala për të kënaqur publikun, kur je e aftë dhe do të këndosh, mendoj se ia vlen.

Si arrini ekuilibrin midis artit, angazhimeve dhe jetës së përditshme?

Kam mësuar diçka nga familja ime, nëse ti dëshiron ta bësh atë që kë pasion, çdo gjë realizohet. Mendoj se dëshira dhe pasioni të bëjnë që mos ta ndjesh lodhjen; ato e mposhtin lodhjen!

Jeni një vajzë përmetare. Sa e fortë është lidhja me qytetin e trëndafilave?

Përmeti me pëlqen shumë dhe më vjen mirë kur them se jam përmetare, sepse është qyteti i kulturës, i trëndafilave. E ku ka më bukur të lindësh në një vend ku ka lule.

Sa keni marrë ju nga lirika përmetare?

Mendoj se kam marrë shumë nga Përmeti, sepse jam shumë e qetë. Ne përmetarët mbahemi për njerëz të qetë.

Kur zgjidhni repertorin tuaj, a hulumtoni në mesin e këngëve të vjetra të zonës?

Mundohem të mësoj shumë këngë për të pasuruar repertorin tim, pa lënë pas edhe këngët e Përmetit, edhe ato më të vjetrat, më pëlqejnë ato këngë.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë në këngë?

Bashkëpunëtorë kam shumë, duke filluar nga babai im, Gani Velaj, i cili është edhe menaxheri im, duke vazhduar me kompozitorët e ndryshëm me të cilët kam bashkëpunuar për këngët e mia si Adrian Hila, Sokol Marsi, disa poetë të ndryshëm që kanë shkruar këngët e mia, Nexhip Sera, Arben Duka dhe Pëllumb Alia.

Merreni shumë me pamjen tuaj të jashtme gjatë aktivitetit? Kujdeseni vetë apo keni bashkëpunëtorë?

I kushtoj shumë rëndësi pamjes sime, respektoj kështu veten dhe publikun, Mundohem që zgjedhjet si në look ashtu dhe stilim t’i bëj vetë, por kam bashkëpunëtoren time Linda, pa duart e saj nuk mundem t’ia dal.

Cilat janë planet në ardhmen e afërt në këngë?

Këtë verë jam tepër e angazhuar me aktivitete si koncerte ashtu edhe dasma, pra me pak fjalë do jem gjithë kohës në lëvizje.

Je një vajzë e re, a ka ndonjë ëndërr që kërkon të realizosh në art?

Mendoj se ëndrra më e madhe për mua është realizuar; ajo është kënga, që unë e kam pasion dhe vazhdon të realizohet çdo ditë.

Si është një ditë e jotja e zakonshme jashtë karrierës muzikore?

Dita ime nis zakonisht në orën 9-të. Kam një biznesin tim ku kaloj pjesën e shumtë të ditës dhe më gjej kohën për një kafe me shoqërinë ose kaloj kohë me nipërit dhe mbesat e mia.

Kur ndjek koncerte me këngë popullore, si të duken ato?

Kënga popullore më pëlqen jashtë mase, aq sa edhe në makinën time të gjitha disqet i kam me këngë popullore! Më bëjnë të ndjehem shumë mirë.

A ka mjaftueshëm aktivitete për këngën popullore burimore?

Mendoj që nuk mjaftojnë aspak aktivitetet, duhet të ketë edhe më shumë, sepse kështu përçohet edhe kultura brez pas brezi dhe kënga popullore vetëm në këtë mënyrë nuk humbet kurrë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: