Regjistrimet në çerdhe, 29 qershori afati i fundit

Regjistrimet në çerdhe, 29 qershori afati i fundit
Dokumentacioni dhe kriteret që duhet të plotësojnë prindërit për të regjistruar fëmijët gjatë këtij viti. Reduktohen një sërë dokumentesh, shtohet vetëm vërtetimi i pagesës dhe i kontributeve, lëshuar nga zyrat e punës

Sonila Isaku

Përmirësimi i kushteve në çerdhet publike në Tiranë, ka bërë që të rriten ndjeshëm kërkesat për t’i dërguar fëmijët në këto institucione. Regjistrimet kanë filluar në datën 25 qershor dhe do të zgjasin deri në 29 qershor në të 33 çerdhet, të cilat kanë një kapacitet prej rreth 3 mijë vendesh.

Regjistrimi

Të gjithë prindërit, të cilët i kanë fëmijët nga 6 muaj deri në 3 vjeç, duhet të bëjnë gati dokumentet dhe të shkojnë në çerdhen më të afërt për të regjistruar fëmijën e tyre. Për të treguar më saktë situatën në çerdhe dhe kopshte, Zhaneta Beqiri, drejtoreshë në Qendrën Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, sqaron se janë disa kategori të cilat përfitojnë shërbimin falas në çerdhe. Beqiri shprehet se prioritet kanë aplikuesit që vijnë nga shtresat sociale ekonomike në nevojë.

Përsa u përket shtresave, të cilat nuk bëjnë pjesë në kategoritë e sipërpërmendura, Zhaneta Beqiri shprehet se prioritet u jepet fëmijëve me dy prindër të punësuar. Një prej dokumenteve të kërkuara është dhe vërtetimi i pagës së prindërve pasi ata me paga më të ulëta renditen më përpara për të pasur një vend për fëmijët e tyre në çerdhe. “Kanë prioritet fëmijët me dy prindër të punësuar. Të dy prindërit duhet të sjellin vërtetimin e punës dhe të pagës së tyre. Kategoria tjetër janë fëmijët me të dy prindërit që punojnë në privat, duke sjellë vërtetimin që paguajnë sigurimet shoqërore. Duke qenë që fluksi është i madh, në momentin që unë shikoj që një pagë është e konsiderueshme nuk do e vë atë si rast prioritar, por do vë një prind tjetër që ka një pagë më të ulët, sepse çmimi që ne ofrojmë është shumë më i ulët se çmimet e tjera alternative që kemi”, ka pohuar Beqiri. Sipas saj, nëse do të ketë vende përgjatë vitit, të tjerë fëmijë do të pranohen duke respektuar kushtet për kapacitetet akomoduese dhe punonjës. Sipas saj, e rëndësishme është mirërritja e fëmijëve dhe të gjithë bashkë duhet të kontribuojnë për të arritur këtë gjë.

Kategoritë në nevojë

Ndryshe nga herët e tjera këtë vit, dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim është i ndarë sipas kategorive sociale që kanë fëmijët. Kështu, për fëmijët me statusin e jetimit duhet të dorëzohet libreza e statusit të jetimit të fëmijës, certifikata personale dhe familjare. Për fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit, nevojitet libreza e statusit të kujdestarit ligjor të fëmijës, certifikata personale e fëmijës dhe familjare. Për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike, sëmundje të renda sipas raportit të komisionit mjeko-ligjor është e nevojshmet dorëzohen dokumente të tilla, si raporti mjeko-ligjor i fëmijës, certifikata personale e fëmijës dhe familjare. Për kujdestarë me aftësi të kufizuara, sëmundje të renda nevojitet dorëzimi i raportit mjeko-ligjor i kujdestarit të fëmijës, certifikata personale e fëmijës dhe familjare. Në rastet e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike nevojitet certifikata personale e fëmijës dhe familjare, si dhe vërtetimi nga njësia administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor.

Për fëmijët e familjeve mono-prindërore, ku kujdestari ligjor ka pagën nën nivelin e pagës minimale nevojitet certifikata personale e fëmijës dhe familjare, vërtetim page i kujdestarit ligjor, i cili duhet të jetë nën pagën 24 mijë lekë, vërtetim nga Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për individin E-sig 025/a të kujdesit shëndetësor. Sa u përket familjeve, ku kujdestari ligjor është i divorcuar, ose i ve, (sipas certifikatës familjare), por që është në/nën pagën minimale në shkallë, nevojitet certifikata personale e fëmijës dhe familjare, vërtetim page i kujdestarit ligjor i cili duhet të jetë nën pagën 24 mijë lekë, vërtetim nga Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për individin E-sig 025/a të kujdesit shëndetësor.

Fëmijët që kanë prioritet dhe reduktim të pagesës

  1. Fëmijët që kanë statusin e jetimit, e vërtetuar me certifikatën e statusit të jetimit që një prej prindërve duhet ta ketë me vete gjatë aplikimit, e shoqëruar me certifikatë personale të fëmijës dhe certifikatë familjare.
  2. Fëmijë të prindërve që kanë statusin e jetimit
  3. Fëmijë që kanë raport mjeko-ligjor për nevoja të veçanta që mund të jenë fëmijë me sëmundje të ndryshme, fëmijë me sindromën down, fëmijë me autizëm
  4. Fëmijë të prindërve me nevoja të veçanta
  5. Fëmijë, prindërit e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, e vërtetuar me dokumentin përkatës që prindërit duhet ta kenë me vete në ditën e aplikimit.
  6. Një tjetër kategori me prioritet janë fëmijët me mono prindër, pra që në certifikatën familjare janë vetëm nëna ose babai. Këta prindër duhet të sjellin edhe vërtetim page , ku prioritet kanë ata me pagë sa paga minimale ose më të ulët. Është e njëjta gjë edhe për fëmijët me prindër të divorcuar.

 

Tarifat që duhen paguar

– Tarifa e ditëngrënieve për çerdhet 130 lekë/ditë

– Tarifa e ditëngrënieve për kopshtet 160 lekë/ditë

– 5000 lekë fondi i garancisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: