REAGON HAFIZI/ Tre gola për 12 minuta, Kombëtarja në gjendje “kome”

Publicitet
Publicitet
REAGON HAFIZI/ Tre gola për 12 minuta, Kombëtarja në gjendje “kome”
Reagon ish-trajneri, Astrit Hafizi, pas humbjes së tretë radhazi 4-1 me Ukrainën: Panucci na ktheu disa kohë mbrapa, mund të jetë edhe shumë konfuz që pas humbjes me Norvegjinë

Aranit Muraçi

Ndeshjet miqësore nuk luhen për pikë, por fitoret kanë vlerë morale dhe i japin besim ekipit për të ardhmen. Pas humbjes 3-0 me Kosovën pak ditë më parë, trajneri Christian Panucci premtoi se, në miqësoren e dytë ndaj Ukrainës që u zhvillua dje në Evian të Francës, historia do të ishte krejt tjetër. Dhe ndodhi e kundërta. Vjen edhe humbja e dytë në miqësore, me shifra të thella madje, 4-1 me Ukrainën. Një humbje që u gatua në pjesën e parë të lojës, kur mbrojtja e Shqipërisë në 45 minuta la shumë për të dëshiruar. Tre gola amatoreskë, ndonëse në mbrojtje aktivizoheshin disa nga lojtarët më të mirë, dy prej të cilëve Hysaj e Ajeti, ndër më të dalluarit në Seria A me klubet e tyre, Napoli e Crotone. Po ashtu edhe Djimsiti e Mavraj kishin eksperiencë të mjaftueshme për të frenuar pësimin e tre golave në 12 minuta lojë.  Dy teste thuajse të dështuara dhe aspak bindëse për të grumbulluarit e Christian Panuccit, ndryshimet e të cilit ishin kryer kryesisht në mesfushë dhe sulm. Rey Manaj, i përzgjedhuri në sulm, u largua pas 56 minutave lojë, ndërsa goli i nderit u shënua në fund të takimit nga një debutues, Emanuele Ndoj, që aktivizohet në Serinë B me Breshian. Në vigjilje të ndeshjeve zyrtare të shtatorit, kuqezinjtë në lojë dhe rezultat lënë shumë për të dëshiruar, duke mos bindur aspak dhe duke vënë në pikëpyetje për momentin të ardhmen e trajnerit italian.

Golat 

Golat u realizuan në harkun e 12 minutave lojë, në fund të pjesës së parë, nga 32’ deri në 44’, duke i çuar kuqezinjtë të demoralizuar në dhomat e zhveshjes. Me të njëjtin rezultat, ata ishin mundur edhe në miqësoren me Kosovën, pak ditë më parë. Golat për Ukrainën në pjesën e parë i realizoi i njëjti lojtar, Jarmolenko, i cili përfitoi nga përgjumja dhe pakujdesia e mbrojtjes. Pjesa e dytë nuk solli asgjë pozitive për Shqipërinë përveç minutës së ’87, kur Emanuele Ndoj shënon golin e nderit, pasi vepron bukur në zonë dhe me një gjuajtje të befasishme shtangu portierin Lunin. Shqipëri-Ukrainë 1-3. Por ndeshja mbyllet me një rezultat më të thellë, sepse Konopianka realizon për Ukrainën dhe mbyll ndeshjen në favor të ekipit të tij.

Analiza

Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi e sheh problemin pas dy humbjeve tek trajneri aktual, Christian Panucci, duke u shprehur se ai gaboi me të gjitha vendimet e tij pas humbjes së dytë me Ukrainën. “Nëse do të vazhdosh eksperimentet, dërgoji deri në fund. Sot na ktheu disa kohë më mbrapa. Hysaj ishte shumë i konsumuar. Përse nuk u fut Lika në krahun e djathtë, për të parë se deri ku do të shkonte? Përse u kthye te Mavraj, pasi ai nuk ka luajtur te Hamburgu? Përse u kthye te Veseli apo edhe Manaj?”, ishin disa nga çështjet që ngriti Hafizi.  “Nëse do të kërkosh të luash në sulm, kjo nuk bëhet me skemën 4-5-1. Nuk duhet të harrojmë që ka pësuar 7 gola në dy ndeshje (3-0 humbja me Kosovën pak ditë më parë në Zyrih). Nuk i kuptoj këto skema dhe as  idetë e Panuçit. Ai mund të jetë edhe shumë konfuz që pas ndeshjes me Norvegjinë”, u shpreh Astrit Hafizi. Kjo ishte humbja e tretë radhazi, në po kaq ndeshje miqësore që ka zhvilluar SHqipëria gjatë vitit 2018, duke pësuar tetë gola dhe ka shënuar vetëm një ndaj Ukrainës në ndeshjen e fundit.

 

Shqipëri-Ukrainë 1-4

Shënues: Ndoj 87’/Jarmolenko 32’, 36’, 45’, Konopianka 90'

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Mavraj, Gjimshiti, Veseli, Lilaj (Ajeti 64’), Ndoj, Roshi (Balaj 46’), Lenjani (Memolla 46’), Ramadani (Qaka 26’), Manaj (Cikalleshi 56’). Trajner: Christian Panucci

Ukraina: Lunin, Butko, Krivtsov, Burda, Sobol, Marlos (Sharapenko 56’), Zinçenko (Sydorçuk 70’), Malinovski (Kovalenko 70’), Jarmolenko, Besedin (Zelsenov 46’), Konoplianka. Trajner: Andriy Shevchenko

Shpërndajeni me miqtë tuaj: