REAGIMI QYTETAR NUK ËSHTË OPOZITARIZËM - OPINION NGA PLATOR NESTURI

REAGIMI QYTETAR NUK ËSHTË OPOZITARIZËM - OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Opozita ndjehet e gëzuar nga përballja e grave të Cërrikut me kryeministrin Rama. Kjo sepse duket se vetë nuk ofron gjë tjetër. As nuk arrin të bindë njeri. Ndaj dhe ngritja e shqetësimeve të qytetarëve në takimet publike të Ramës nëpër Shqipëri po vishet si trajta më e lartë e opozitarizmit. Por është Kryeministri ai që po përballohet me njerëzit, pavarësisht se dhe ai e ndjen se gjërat nuk janë aq fjollë dhe me aq shkëlqim siç paraqet propaganda e mazhorancës. Vetë opozita nuk arrin të mbledhë njerëz as ta dëgjojnë e jo më të ngrejë probleme.

Ndaj, në këtë mënyrë duket se Rama ka marrë përsipër të bëjë jo vetëm Kryeministrin por edhe opozitën. Pasi nuk ia përton të kritikojë edhe sektorë të veçantë të administratës së tij. Pavarësisht se kjo shkon deri në nivel drejtorësh lokalë, ku më të "persekutuarit" prej tij janë ata të Zyrave të Punës dhe të ALUIZNI-t. Deri në këtë nivel. Pasi të metat nuk shkojnë kurrë më lart, në nivel drejtorësh të përgjithshëm, zëvendësministrash apo dhe ministra.

Me ministrat merret opozita, por askush nuk po e ndjek, pasi me oshilacionet e veta nëpër gërxhet e politikës, edhe zëri i ka ikur. Jo sepse punët janë mirë, dhe problemet janë fashitur nga sukseset e Qeverisë. Por se tashmë nuk ka pika reference kë të dëgjojnë. Prej kohësh duket se kemi një situatë të rënduar ku kahet e politikës deklamojnë një antagonizëm të theksuar. Mjafton retorika në media si dhe ligjëratat që mbahen në kuvend nga përfaqësuesit e saj, për të thënë se jemi një shoqëri me krisje të thellë dhe gati në shpërthim. Por nuk ndodh kështu. Që prej një viti, nga protestat e çadrës në bulevard përpara zgjedhjeve, ndonëse akuzat politike janë shtuara, nuk kemi parë asnjë aksion ballafaqimi në terren përveçse në epruvetën e Parlamentit. Që prej kohës së çadrës, pjesëmarrja në aksionet opozitare sa vjen dhe shkon në kuota më minimale. Pavarësisht tentimit për rritje të agresivitetit. Në fund të fundit një masë e madhe qytetarësh në protestë është dominante me peshën e vet, dhe mungesa e kësaj peshe nuk mund të zëvendësohej me asnjë skenar konfliktualiteti.

Në të kundërt të këtyre ftesave, që bëhen gjithsesi në emër të së drejtës, kushtetuese apo qytetare, indiferenca dhe hezitimi për të ndjekur këtë rrugë është një sinjal që ka mesazh brenda. Sidoqoftë, rritja e masës së spektatorëve se çfarë po ndodh sot me politikën, ligjet apo dhe qeverisjen, nuk mund të përkthehet se janë dakortësi me mazhorancën për mënyrën si operon apo si menaxhohet vendin. Njerëzit thjesht janë lodhur nga të njëjtat fytyra që për sa kohë janë në opozitë, dinë vetëm të ftojnë mbështetësit e qytetarët për kauza që mund të jenë të drejta, porse që vetë ata i harrojnë menjëherë kur hipin në pushtet. Dhe cikli përsëritet sërish dhe të njëjtat argumente të shkeljeve ligjore do ti rithonë nesër të sotmit e mazhorancës kur më vonë të jenë në opozitë.

Ndaj, nëse e marrim të mirëqenë thënien që "çdo popull e meriton qeverisjen që ka", duhet ta pranojmë që e meritojmë dhe këtë klasë politike që kemi. Pavarësisht nëse e duam apo jo, nëse na pëlqejnë përfaqësuesit tanë të të dy palëve. Kjo klasë politike i ka gjetur më së miri mekanizmat për të mos u shkulur nga drejtimi i vendit, dhe ne duam apo nuk duam, jemi të pazotë ta ndryshojmë. Pasi dhe vetë mekanizmi i votës duket i pamjaftueshëm përballë makiavelizmit të kësaj klase politike. Votat jepet për subjektin, por skifterët e bletët punëtore i përcakton partia e shefat e mëdhenj pasi kemi Shef për secilën palë. Në këto kushte akaparimi të gjithanshëm, gjithkush do të ndihet më pak qytetar dhe gjithmonë e me shumë spektator. Kështu ndodh që qytetari, edhe kur është në hall dhe e ndjen në palcë abuzimin, papunësinë dhe arrogancën, nuk beson më askënd. Si dhe tërhiqet në qoshe, sado thirrjeve për të protestuar ndaj gjendjes kur kjo bëhet nga politika. Më e shumta ai mund të reagojë spontanisht siç bënë qytetarët e Kukësit, apo kur hedhin romuze e përballen me kryeministrin në takimet me elektoratin. Në fakt janë të vetmet raste kur mund të reagojnë. Por kjo nuk është opozitarizëm, dhe për vetëm kaq nuk pse opozita të gëzojë. Ajo vetë nuk di të reagojë ndaj kësaj mazhorance.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

 Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: