Raporti i Eurostat: Shqiptarët i paguajnë dritat "sa frëngu pulën"

Raporti i Eurostat: Shqiptarët i paguajnë dritat "sa frëngu pulën"
Shqiptarët me fuqinë blerëse që kanë, në fund të muajit nxjerrin më shumë pará nga xhepi i tyre për faturën e energjisë edhe më shumë se një francez, holandez, finlandez, suedez, etj

Paguhen si shqiptarë, por ama energjia elektrike u kushton si të jetonin në zemër të Evropës.

Ky është realiteti i qytetarëve të këtij vendi, të cilët e paguajnë këtë produkt jetësor “sa frëngu pulën”. Dukuri kjo e konfirmuar nga të dhënat më të fundit zyrtare të Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat).

Sipas tyre, shqiptarët me fuqinë blerëse që kanë, në fund të muajit nxjerrin më shumë pará nga xhepi i tyre për faturën e energjisë edhe më shumë se një francez, holandez, finlandez, suedez, etj. Konkretisht, për fuqinë blerëse të një shqiptari, 100 kilovat energji kushtojnë 18.9 euro, tregues ky që në Francë është vetëm 16 euro, në Holandë akoma dhe më pak, vetëm 14 euro dhe në Finlandë e Suedi përkatësisht 13 dhe 15.6 euro.

Në tërësi, çmimi që kap energjia në Shqipëri, gjithmonë sipas fuqisë blerëse të qytetarëve të saj është gati i njëjtë me atë të Bashkimit Evropian, e cila e ka këtë tregues 20.5 euro.

E thënë më thjesht, për shqiptarin energjia është e shtrenjtë, gati sa një qytetar evropian.

Por të mos harrojmë faktin, se ata nuk kanë të njëjtë as nivelin e pagës dhe të pensioneve, por as edhe atë të mirëqenies dhe të detyrimeve të tjera që paguajnë.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy në shifrat e servirura nga vetë ekspertët evropianë për energjinë, është edhe fakti se pas Malit të Zi, Shqipëria e ka atë më të shtrenjtën në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke bërë kështu që qytetarët e saj ta paguajnë energjinë më shumë se një qytetar serb, kosovar apo edhe maqedonas.

Dhe kjo, pasi nëse në Shqipëri kostoja zyrtare e 100 kilovatëve energji, sipas Eurostat-it, është 8.6 euro; në Serbi ajo është më e ulët, vetëm 7 euro, kurse në Kosovë dhe Maqedoni, përkatësisht 6 dhe 8.1 euro.

Madje, mund të thuhet se këto vende të rajonit tonë e kanë më të lirë energjinë elektrike, edhe po të krahasohet sipas fuqisë blerëse të qytetarëve të tyre.

Kështu, nëse sipas kësaj fuqie, energjia në Shqipëri kushton 18.9 euro, në Serbi ky tregues është vetëm 14.7 euro apo 18.8 euro në Maqedoni.

 

8.6

Euro është çmimi i energjisë elektrike për 100 kilovat, në Shqipëri, ndërsa Bashkimi Evropian e ka këtë tregues 20.5 euro. Kurse në rajon, ky është çmimi i dytë më i lartë

18.9

Euro është çmimi i energjisë elektrike për 100 kilovat në Shqipëri, sipas fuqisë blerëseve të qytetarëve të saj, ndërsa Bashkimi Evropian e ka këtë tregues 20.5 euro

Çmimet e gazit në Shqipëri, ende nuk figurojnë në listat zyrtare evropiane

Në një kohë që Instituti Evropian i Statistikave (Eurostat) ka servirur dje shifrat zyrtare të çmimit të energjisë elektrike, ku ka përfshirë edhe ato të Shqipërisë, në ato për produktin tjetër me rëndësi të energjisë, siç është gazi, vendi ynë nuk figuron që të ketë ende të tilla. Një dukuri kjo, e cila tregon ndoshta se vendi ynë akoma nuk ka një database zyrtare për koston dhe çmimet me të cilat tregtohet ai në vendin tonë. Kjo, derisa edhe për disa kohë, pritet që të përfundojë projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) dhe të mund të vihet në zbatim masterplani i gazit. Situatë kjo, e cila në fakt nuk shkon paralel me vendet evropiane, madje edhe me disa prej atyre nga rajoni ynë, të cilat tashmë gazin e kanë kthyer në një produkt të rëndësishëm për të përmbushur nevojat e popullatës së tyre me energji, përveç asaj elektrike.

 

Në Evropë çmimi i energjisë është ulur, në Shqipëri nuk ka ndryshuar

Në Bashkimin Evropian çmimi i energjisë elektrike ka shënuar vjet një rënie të tij, ndërsa në Shqipëri një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Të paktën sipas shifrave të Eurostat-it, sipas të cilave rezulton, se gjatë vitit 2017 ka patur një rënie në nivelin prej -0.2% të produktit të energjisë elektrike si i tillë. Ndërsa në vendet e Eurozonës, ky nivel ka qenë më i ulët, vetëm -0.1%, por gjithsesi, tregon që edhe në vendet me mirëqënie mjaft të lartë të qytetarëve të tyre, siç janë ato, sërish janë marrë masa që energjia të kushtojë më pak. Teksa ka edhe vende të zhvilluara si Italia, e cila e ka ulur me nivelin prej -11% çmimin e energjisë elektrike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: