“Quo Vadis” Euro? Monedha evropiane prek nivelin më të ulët të një dekade

Publicitet
“Quo Vadis” Euro? Monedha evropiane prek nivelin më të ulët të një dekade
“Quo Vadis” Euro? Ku po shkon monedha evropiane?

Në Shqipëri, ajo ka prekur dje nivelin më të ulët të një dekade.

Vetëm 125.92 ka qenë shifra zyrtare e këmbimit të saj me lekun, monedhën shqiptare. Një nivel ky, të cilin kjo monedhë nuk e kishte kapur që prej dhjetë vitesh, përkatësisht në fundvitin 2008, kur ajo u këmbye me 124-125 lekë.

Në atë periudhë, ekspertët e lidhën rënien drastike të euros me efektet e krizës financiare ndërkombëtare. Ndërsa këtë herë, ata duket se po ia faturojnë ofertës së lartë të monedhës evropiane, krijuar sipas tyre pikërisht nga niveli i lartë i investimeve të huaja direkte në vend, apo edhe prurjeve të turistëve etj.

Por ajo që ende nuk po thuhet dot me siguri është se deri ku do të shkojë më tej kjo rënie, teksa në mbërritje janë tre muajt e pikut të sezonit turistik, ku oferta “euro” e turistëve për Shqipërinë, do të jetë më e lartë se në të gjitha pjesët e tjera të vitit.

Pa harruar këtu edhe faktorin tjetër mjaft të rëndësishëm në shtimin e kësaj oferte, siç janë remitancat, apo siç njihen ndryshe, dërgesat e emigrantëve. Të cilët gjithashtu, gjatë muajve në vijim janë më të pranishëm se në pjesët e tjera të vitit në realitetin shqiptar me paratë e tyre, teksa vijnë për pushime, apo u dërgojnë më shumë pará të afërmve të tyre.

Dhe duke përllogaritur edhe këto efekte sezonale, i bie që tregu shqiptar i këmbimit valutor të përballet gjatë muajve të verës me vazhdimësinë e zhvlerësimit të monedhës evropiane, euro, kundrejt asaj kombëtare, lekut.

Për të vijuar në këtë mënyrë trendin e vënë re gjatë gjithë këtij viti, kur ajo njohur një rënie graduale.

Konkretisht, sipas të dhënave zyrtare, vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, euro ka rënë me 7.51 lekë, ose është zhvlerësuar me një nivel prej 5.6%.

Sipas ekspertëve, nga 102 ditë tregtimi zyrtar në pesë muajt e parë të këtij viti, euro figuron se ka rënë në 72 prej tyre.

Shifra këto që tregojnë vërtetësinë e këtij trendi.

125.92

Ka qenë shifra zyrtare e këmbimit të monedhës evropiane, euro, gjatë ditës së djeshme, me monedhën shqiptare, lekun, vlera kjo më e ulët në dhjetë vitet e fundit, që nga 2008-ta

5.6%

Është shënuar niveli rënës i monedhës evropiane në tregun  brendshëm të këmbimit valutor, ose me një vlerë nominale prej 7.51 lekësh vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti

 

Vlera më e ulët e euros? Verë 2005, kur u këmbye me vetëm 121 lekë

Vlera e këmbimit prej 121 lekësh, në verën e vitit 2005 mund të cilësohet si më e ulëta që monedha evropiane ka shënuar ndonjëherë në tregun e brendshëm valutor.

Kjo konfirmohet nga shifrat që ka referuar së fundmi vetë Banka e Shqipërisë, mbi ecurinë e këmbimit të saj kundrejt monedhës vendase, që nga viti 2002, kur ajo edhe u lançua si monedha zyrtare e disa vendeve të Bashkimit Evropian të atëhershëm.

Konkretisht, në janar të këtij viti, ajo hyri në Shqipëri me një vlerë zyrtare këmbimi prej 122-123 lekësh. Për të vijuar ndër vite ecurinë e saj mes luhatjesh të ndryshme, të cilat e arritën kulmin e tyre pikërisht në vitet 2011-2012, kur këmbehej me deri 142.6 lekë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: