Evis Kushi: Qeverisja pa LSI-në? PS-ja, në aleancë të re me njerëzit e zakonshëm

Publicitet
Evis Kushi: Qeverisja pa LSI-në? PS-ja, në aleancë të re me njerëzit e zakonshëm
Intervista/Deputetja e Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Evis Kushi: Shqipëria ka bërë progres në të gjitha prioritetet kyçe për integrimin në BE, ndërkohë opozita duhet të vlerësojë më shumë kontributin që mund të japë në këtë proces

Partia Socialiste, pesë vjet pas ardhjes në pushtet, në mandatin e dytë po qeveris prej një viti e vetme pa LSI-në. Në prag të vendimit të rëndësishëm nga vendet e Bashkimit Europian për çeljen zyrtare të negociatave me Shqipërinë, deputetja e PS-së për qarkun e Elbasanit, Evis Kushi,  ndodhej në një seminar 3-ditor në Austri, ku edhe u takua me komisionerin Johannes Hahn. Pas kthimit në një intervistë për “Albanian Free Press”, deputetja socialiste flet rreth atmosferës që mbizotëron në kancelaritë evropiane për të ardhmen e Shqipërisë në BE, reformat e ndërmarra nga qeveria në sektorë prioritarë si drejtësia, ekonomia,  arsimi etj, dhe efektet që ato po japin për të përshpejtuar rrugëtimin e vendit drejt Europës:  

Intervistoi për Albanian Free Press, Aranit Muraçi:

Sapo jam kthyer nga një seminar 3-ditor në Austri, organizuar nga Joint Vienna Institute lidhur me forcimin e politikave dhe institucioneve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij seminari, së bashku edhe me kolegët e tjerë të delegacionit shqiptar, patëm një takim me komisionerin Johannes Hahn, i cili në fjalën e tij e shprehu qartë edhe një herë tjetër mbështetjen e plotë për Shqipërinë. Ai theksoi se tashmë Shqipëria ka momentin që të bëjë sa më shumë progres me Reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, si dhe u shpreh optimist për anëtarësimin në vitin 2025 të vendeve të Ballkanit në BE.

Opozita akuzon qeverinë se është bërë pengesë kryesore për çeljen e negociatave, madje ka lëshuar vazhdimisht akuza kohët e fundit mbi lidhjet e saj kryesisht me trafikun e drogës…

Përkundrazi, unë besoj se Qeveria ka luajtur një rol të rëndësishëm në progresin e bërë vitet e fundit nga Shqipëria lidhur me rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. Rekomandimi i dhënë pa kushte nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave natyrisht nuk ishte dhuratë por ishte i bazuar në merita. Në raport shprehet qartë që Shqipëria ka bërë progres në të gjitha prioritetet kyçe dhe ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në ekonomi, arsim, shëndetësi, administratën publike, duke përfshirë edhe luftën kundër lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar.  Ndërkohë, unë mendoj që opozita duhet të vlerësojë më shumë kontributin që ajo vetë mund të japë në këtë proces. Mungesa e saj në diskutimin e të gjitha ligjeve në komisionet parlamentare dhe bllokimi i seancave plenare prej disa javësh nuk ndihmojnë por përkundrazi bëhen pengesë, si për funksionimin normal të parlamentit ashtu edhe për stabilitetin politik, imazhin e Shqipërisë, investimet e huaja direkte, zhvillimin e turizmit, etj.

Partia Socialiste, gati pesë vjet në pushtet, po qeveris e vetme prej një viti. Çfarë e dallon në këtë vit qeverisjen e majtë nga ajo e katër viteve më parë, kur ishit në koalicion me LSI-në?

Gjatë këtij mandati PS po qeveris në një aleancë të re me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Për këtë arsye, menjëherë pas fitores vitin e kaluar ne prezantuam portalin e bashkëqeverisjes, i cili synon pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe luftën kundër korrupsionit. Me vjen mirë që kësaj aleance i bashkohen çdo ditë e më shumë qytetarë, çka tregon besimin e tyre dhe mirëfunksionimin e bashkëqeverisjes. Përveç kësaj, prej disa javësh ministrat, zv.ministrat, drejtuesit e institucioneve, deputetët dhe pushteti lokal po zhvillojnë takime në të katër anët e vendit, në çdo qytet, në çdo njësi administrative, në një proces llogaridhënieje, jo vetëm për të shpjeguar arritjet dhe reformat e deritanishme, por sidomos për të dëgjuar qytetarët, shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.

Ekonomia shqiptare shpesh është shoqëruar me të dhëna paradoksale gjatë viteve të fundit dhe kjo besohet se lidhet prej informalitetit të saj. A është rënia drastike e euros një paradoks në logjikën ekonomike, nëse ekziston një analizë konkrete ofertë-kërkesë mbi valutën e huaj?

Ka shumë faktorë që ndikojnë në luhatjen e kursit të këmbimit apo zhvlerësimin e një valute të caktuar në treg. Zakonisht këta faktorë mund të jenë të brendshëm, por edhe faktorë të ndikuar nga lëvizjet në bursat ndërkombëtare. Në rastin konkret unë dua të theksoj që, përveç të tjerave, dy faktorë të rëndësishëm për këtë situatë në Shqipëri janë edhe turizmi dhe remitancat. Me fillimin e sezonit turistik të verës, tradicionalisht ka një ofertë të shtuar të monedhës së huaj nga emigrantët dhe turistët. Por këtë vit sipas parashikimeve pritet një fluks akoma më i lartë i turistëve, madje sipas informacioneve një pjesë e madhe e hoteleve i kanë marrë që në dimër rezervimet dhe parapagimet, dhe kjo ka filluar të japë ndikim më herët se zakonisht. Duke iu referuar analizave të Bankës së Shqipërisë, duhet të nënvizohet dhe fakti i efekteve pozitive të ndryshimeve me karakter strukturor, si përmirësimi i bilancit të pagesave, deficiti i ulët buxhetor, përmirësimi i raporteve import-eksport, shtimi i investimeve të huaja direkte, etj.

Arsimi i është nënshtruar gjithashtu një reforme nga e majta. Megjithatë, a është aktualisht në gjendje ky sektor të nxjerrë juristë, ekonomistë, mjekë, inxhinierë apo profesionistë të zotë në çdo sektor, të denjë për të çuar përpara vendin, duke qenë se pothuajse të gjitha kombet zhvillimin e kanë të bazuar në dije?

Pavarësisht të gjitha problematikave që ka trashëguar sistemi ynë arsimor ndër vite, unë mendoj që reformat rrënjësore që janë ndërmarrë po fillojnë të japin rezultate shumë pozitive. Mbyllja e universiteteve private jashtë standardeve, reforma e arsimit të lartë, sistemi i portalit për emërimin e mësuesve, përmirësimi i cilësisë së teksteve, e shumë e shumë të tjera, janë hapa të rëndësishëm që e ngushtojnë çdo ditë e më shumë distancën midis sistemit tonë arsimor dhe atij europian. Pa dyshim që ka akoma shumë punë për të bërë, por unë besoj plotësisht që në Shqipëri diplomohen çdo vit në të gjitha fushat profesionistë të aftë jo vetëm për institucionet tona brenda vendit, por që konkurrojnë me sukses edhe nëpër institucione të rëndësishme europiane dhe ndërkombëtare. Dhe këtë e them sidomos bazuar në eksperiencën time 20-vjeçare si pedagoge në universitet, çka bën që t’i shoh dhe prek nga afër edhe problematikat por edhe efektet e reformave dhe transformimeve në sistemin tonë arsimor.

Shprehja “Punë ka, por nuk ka profesionistë” është përdorur shpesh nga kryeministri Rama dhe ministrat e qeverisë. Ekonomia shqiptare bazohet kryesisht në tre sektorë: bujqësia, turizmi dhe ai i ndërtimit, ndaj edhe më konkretisht këto sektorë mendoni se kanë vuajtur e vuajnë për “rregulla loje” dhe “vizion zhvillimi” për t’u zhvilluar si vendet fqinje, apo për mungesë profesionistësh?

Gjatë këtij mandati janë përcaktuar qartë sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik, të cilët janë infrastruktura, energjia, bujqësia dhe agrobiznesi, si dhe turizmi. Por ndërkohë, është e vërtetë që ka një mungesë të theksuar profesionistësh të kualifikuar veçanërisht në disa fusha specifike. Dhe këtë shqetësim na e ka ngritur vazhdimisht sektori privat në takimet dhe konsultimet tona të vazhdueshme. Për këtë arsye, ne kemi analizuar të gjitha problematikat aktuale të tregut të punës në Shqipëri, mes të cilave punësimi i të rinjve, mospërputhje e kërkesës dhe ofertës në treg, pabarazia gjinore në punë, etj. Bazuar në këtë analizë, programi i ri i punësimit do të fokusohet në disa politika të reja që përfshijnë edhe ristrukturimin e arsimit dhe formimit profesional, duke marrë modelin e vendeve të zhvilluara të Europës por edhe duke iu përgjigjur nevojave specifike të tregut shqiptar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: