Pse duhet të merreni me aquagym?

Pse duhet të merreni me aquagym?
E mirë për trupin

Në ujë trupi peshon sa 1/6 e peshës reale ndaj dhe lëvizjet bëhen më të lehta, megjithëse uji krijon rezistencë më të madhe se ajri dhe i bën muskujt të punojnë më shumë. Këtu qëndron edhe fakti se pse gjimnastika në ujë është e mirë për format tuaja trupore. Muskujt tuaj punojnë më shumë ndërsa ju as që e kuptoni. Shumëllojshmëria e lëvizjeve e vë gjithë trupin në punë, duke holluar belin, tonifikuar trupin, forcuar shpinën dhe muskujt abdominalë. Gjithashtu edhe për kaloritë, gjimnastika në ujë është fantastike.

E mirë për shëndetin

Gjimnastika në ujë forcon muskujt, përmirëson frymëmarrjen dhe qarkullimin e gjakut. Duke i shtuar të mirat që mund të kenë edhe sportet e tjera, avantazhi i gjimnastikës në ujë është se nuk është “traumatike” për trupin dhe mundësia për t’u dëmtuar është minimale. Duke qenë se trupi është i lehtë, kyçet punojnë pa ushtruar shumë presion.

E mirë për shpirtin

Uji është i përkryer për shpirtin tonë. Na mban dhe na jep një ndjesi lehtësie, duke na bërë t’i harrojmë kilet e tepërta. Gjithashtu ka një efekt qetësues që na kujton jetën në barkun e nënës. Vetë ambienti ujor në vetvete është relaksues. Ashtu si dhe sportet e tjera, gjimnastika në ujë nxit prodhimin e endorfinës, hormonit të kënaqësisë.

E mirë për moshën nga 7 deri në 77 vjeç

Meqë gjimnastika në ujë është një sport i butë dhe jo i rrezikshëm, të gjithë mund ta realizojnë atë: edhe gratë shtatzënë. Nëse nuk dini si të notoni, ka shumë ushtrime që mund të realizohen edhe në cekëtinë. Dy seanca me nga 45 minuta në javë do të ishte ideale.

E mirë që ta filloni menjëherë

Gjimnastika në ujë nuk kërkon pajisje të sofistikuara. Thjesht një palë rroba banje të rehatshme që ju lejojnë të lëvizni lirshëm dhe t’i rezistojnë klorit. Si dhe një palë shapka (ose sandale) për të mos rrëshqitur gjatë ushtrimeve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: