POST, POST, POST... TANI POST ERDOGAN? – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

POST, POST, POST... TANI POST ERDOGAN? – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kemi një histori - historinë e re - tepër të çuditshme. Të jemi të sinqertë me veten.

Ja ku përballemi me një “post” tjetër (post Erdogan), që na thotë se mund të kemi pakëz shpresë përsëri. Bie apo nuk bie Erdogan pas votimeve të djeshme, në fakt Erdogan ka rënë...

Por, a mund të ngrihemi ne si "post Erdogan”? Kjo është çështja. Provat që kemi bërë me veten tonë për periudhat “post”, më së shumti i kemi humbur.

Humbëm “post komunizmin”, ku kishim shpresat më të mëdha për të fituar. Shqipëria që nga viti 1991, ka fituar vetëm lirinë e domosdoshme që na dha vetë koha, por ne shqiptarët, me duart tona, nuk fituam gjë të madhe. E kthyem sjelljen komuniste (pa komunistët), në mesin tonë. E humbëm betejën për të qenë krenar, pse jemi shqiptarë të rrënjëve të hershme. E humbëm betejën për të pasur prona dhe lirinë e pronarit. E humbëm betejën për të pasur fjalë të lirë, shprehje të lirë, sistem vlerash, kulturë dhe art, qeverisje pa krim, etj., etj.

Sa shumë beteja kemi humbur në post komunizëm!

Më në fund, humbëm edhe betejën përballë lirisë. Kemi manifestuar se, ndjehemi më mirë në diktaturë se në liri. Akti më i fundit, liria për të qenë dinjitozë para kombeve të përparuar: Disa eurokratë, nëpunës të korruptuar të BE-së, i kërkuan shtetit tonë që të marrim në gji mijëra refugjatë që vijnë nga zonat e luftës dhe të terrorizmit - dhe ne jemi gati. Njësoj si me garnizonet otomane që pllenuan genin rreth garnizoneve në vendin tonë, tani rrezikojmë paqen e grave e të fëmijëve... Pse? Për shkak se nuk përballojmë lirinë për të qenë dinjitozë si kombet e përparuar...

Siç humbëm post otomanizmin. I vetmi komb që doli nga ajo zgjedhë gati një shekull më vonë se fqinjët, ishim ne. E humbëm betejën me post otomanizmin, edhe pse dy ditë pas pavarësisë këtu u ngrit një qeveri pro turkoshake dhe antiperëndimore. Pastaj humbëm kulturë, humbëm energji, humbëm informacion, humbëm hapje në botë...

Në të gjitha epokat "post", më shumë kemi humbur se fituar. Kishim humbur post Tito, post Stalin, post Mao...

A do ta fitojmë post erdoganizmin?

Do të fitojmë ekonominë?... Turqia dhe Erdogan ka një fuqi ekonomike të tillë që radhitet në vendin e 20-të të vendeve të zhvilluara. Ne, shqiptarët, radhitemi në fund të vendeve të kontinentit tonë; me shpresë më së shumti tek Erdogan. Qeveria shqiptare, si edhe e Kosovës, kanë lidhur fije investimesh me ekonominë turke dhe jo me ekonominë e Gjermanisë ose të Amerikës. Me rënien e Erdoganit, ekonomia jonë rrëshqet në greminë. Bie a nuk bie Erdogan, ekonomia turke ka nisur rënie të shpejtë - njësoj si ne. Inflacioni i ekonomisë turke, është rritur mbi 10 për qind, ndërsa lira turke ka humbur 25 për qind vetëm ditët e fundit. Në post Erdogan, ekonomia jonë e lidhur pas “sulltanit”, vallë, a do të ketë ngritje?!...

2.

Bie a nuk bie Erdogan, ideja e tij për “ndërtimin e shtetit” dështoi. Erdogan kërkoi një shtet personal, me kontroll të “mizave dhe buajve”, me luftë klanesh dhe armiqsh, me mafie të zhvilluar dhe vrastare. Ky ishte shteti i fortë për Erdoganin, me të cilin u mburr. Momenti kulmor i shtetit të tij autoritarist, u arrit kur ndryshoi Kushtetutën për ta bërë veten të pavdekshëm në pushtet. Më në fund, sajoi edhe një "grusht shteti", ku u shfaq sa si viktimë edhe si dragua në korrik të vitit 2016. Me atë rast, burgosi dhe hodhi në rrugë mijëra kundërshtarë, por frikësoi edhe fëmijët në barkun e nënës. Që nga 15 korrik 2016, Turqia ndodhet nën shtetrrethim... Të gjitha këto u ka bërë edhe shteti ynë i vogël. Timoni i shtetit tonë, njësoj si në Turqi, ndodhet në një dorë. Qeveria ka shpallur se "po bën shtet” duke burgosur fukarenj, duke kërcënuar secilin që e njeh si kundërshtar, duke e bërë kriminelin zot të stabilitetit dhe policin një skllav të varur nga gjobat... Me rënien e Erdoganit, ne nuk kemi asnjë projekt ndryshe mbi “shtetin”. As opozita nuk ka dijenitë dhe tendencat më të vogla për të qenë shtet ndryshe.

3.

Me siguri, Erdogan bie këtë të diel. Edhe sikur të mos humbë aq thellë, sa të detyrohet të largohet sot, brenda një kohe të shkurtër ai duhet të largohet. Sepse stili Erdogan ka dalë nga koha. Erdogan zhvleftësoi gjithë vlerën qytetare e shtetërore të Turqisë; hodhi poshtë ligjësitë e demokracisë dhe mbajti vetëm veten. Turqia nën Erdoganin hodhi në Bosfor trashëgiminë e Qemal Ataturkut- gjiganti i vlerës qytetare e shtetërore turke post sulltanat. Shteti sekulitar humbi në detin e kohës së prapambetur; Turqia po ngre një shtet islamik të frikshëm, me qëllim që të kthehet në lider të Islamizmit dhe në kundërshtar të egër të Amerikës, Europës dhe Rusisë...

Erdogani hodhi në det edhe vlerat më të dukshme të demokracisë. Sot, Erdogani- president ka nën kontroll më shumë se 90 për qind të mediave në vend; ka edhe në burgje të gjithë gazetarët që nuk janë pajtuar. Liria e fjalës dhe e mendimit, është e rrëzuar thellë... Çfarë mund të bëjmë ne, në post erdoganizëm? Media është nën kontroll qeveritar e kriminal; injoranca ka mbuluar shoqërinë, qeverinë, parlamentin - njësoj si kthimi në shtetin para sekularizmit. Vlerat e fisnikërisë së hershme të vendit, janë mbuluar me simbolet e diktaturës së proletariatit... A mund të kemi “post” të suksesshëm? Deri tani nuk kemi asnjë shkëndijë.

4.

A bie sot Erdogan?

Edhe nëse kacavirret në numra votash, në fakt ai ka rënë. Populli i Turqisë, edhe jashtë partive, është betuar se do të marrë në dorë fatet e veta. Miliona turq kanë dalë në sheshe për të larguar Erdoganin. Tetë milionë ndodheshin në sheshet e Stambollit, 2 milionë në Maltepe, 2. 5 milionë në Izmir - qytet me thuajse 2.5 milionë banorë. Sa janë në shtëpi, sa janë që nuk dalin në rrugë, por votojnë kundër, sa janë në gjithë Turqinë?! Analistët kanë konstatuar se, Erdogani do të manipulojë zgjedhjet... Nëse ndodh sado pak një gjë e tillë, atëherë Turqia shkon në konflikt civil...

Po në “post Erdogan”, a kemi përgatitur gjë? Të paktën qeveria dhe opozita nuk dinë gjë, mbase di dikush tjetër...!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: