PORTRET/ Bexhet Nelku, meteori i skenës dhe ekranit shqiptar

Publicitet
Publicitet
PORTRET/ Bexhet Nelku, meteori i skenës dhe ekranit shqiptar
Një vështrim mbi jetën e shkurtër por të thellë të Bexhet Nelkut në përkujtimin e ditës së lindjes, një “in memorim” mbi aktorin e madh që jetoi vetëm 33 vite dhe i dha kinemasë vetëm 4 role, por që edhe sot mbahet mend për profilin e lartë të mësuesit tek “I teti në bronx” si dhe është i gjallë në kujtimet e gjithë brezit të aktorëve që patën fatin të punojnë me të ose të jenë nxënësit e tij.

Është shumë e vështirë të shkruash për një aktor që nuk jeton më, por që nuk jeton as produkti i tij, përjashto filmat ku la një gjurmë të pashlyer. Nga njëra anë kjo është fatkeqësia e teatrit, sepse ka lënë shumë pak vend për dokumentim, në ato vite të largëta. Ashtu siç ishte vështrimi i tij skenik, zëri i fuqishëm dhe plastika unike, ashtu mbeti dhe si enigmë jeta e një aktori të madh, i cili, me shumë gjasa, nëse do të kishte pasur fatin të kishte një karrierë të gjatë e të plotë si shumë kolegë të tij, sot do të ishte nga më prodhimtarët dhe më të mëdhenjtë e kohëve moderne në Shqipëri.

Nuk u tregua e drejtë jeta me aktorin Bexhet Nelku sepse ja ndërpreu tregimin dhe kujtimet kur ishte vetëm 33 vjeçar. Por aq mjaftoi që portreti i tij mashkullor dhe me trajta hollivudiane, të mbahet mend nga dashamirësit e filmit bardhë e zi deri në ditët tona. Më 6 qershor të vitit 1937, bexhet nelku njohu për herë të parë dritën e diellit dhe në vitin 1970 do të përshëndeste përfundimisht botën e njerëzve.

Aktori Bexhet Nelku krijoi vetëm katër role në kinema dhe pak më shumë në teatër. Por gati 5 dekada pas vdekjes mbahet mend kontributi i tij në një periudhë që "e bërtitura në teatër" ishte standard i së bukurës. I vetmi material i plotë arkivor për Bexhet Nelkun gjendet sot në arkivin e familjes Nelku dhe i biri Einar.

 

Rrënjët dhe teatri

Familja Nelku nga Lejçani i Gollobordës kishte zbritur në Tiranë ngaqë babai i pesë fëmijëve, Ramadani, ishte mjeshtër i ndërtimit, ndërtues oxhakësh.

Bexheti, njëri nga djemtë, i lindur në Tiranë më 6 qershor 1937, e deshi teatrin nga kontakti me të. Shtëpinë e Nelkut, një shtëpi e vogël, një mur e ndante nga Teatri Popullor. U aktivizua në një grup teatral amator, ndërkohë bënte punë të ndryshme për të ndihmuar familjen. Më 1955 hyn në Liceun Artistik në degën e Dramës. Në vitin 1959 u hap për herë të parë shkolla e lartë për aktor "Aleksandër Moisiu" pranë Teatrit Popullor dhe ai studioi aty. Merr një rol episodik te "Orët e Kremlinit", është figurant në tragjedinë "Hamleti".

Regjisori Pandi Stillu e angazhon. Ishte student kur debutoi në skenë me "Shtëpia e kukullës" e Ibsenit, në rolin e avokatit Krokshtat. Me rolin e Benediktit në "Shumë zhurmë për asgjë" të Shekspirit, mbron diplomën.

Ishte takuar ndërkohë me "sfinksin" e tij, gruan që mori mbiemrin e tij.

Në shtator 1963 ai hyn në Teatrin Popullor, në kohën e plejadës së aktorëve si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi. Interpreton në role episodikë dhe protagoniste si te "Mbreti Lir", "Toka e zjarrtë", "Cuca e maleve", "Fytyra e dytë" përkrah Kadri Roshit dhe Viktor Gjokës dhe "Pas vdekjes" të Çajupit.

Spikati qysh student, si aktor i shumanshëm, që luante edhe komedinë edhe tragjedinë, që mishëronte edhe role karakteresh, edhe role heronjsh. U bë shpejt i njohur me rolet: Zeneli te komedia Pas vdekjes e A. Z. Cajupit, 1962; Kronstadi te drama “Shtëpia e kukullës” e Ibsenit, 1963; Benedikti te komedia “Shumë zhurmë për asgjë” e Shekspirit, 1963 etj. B. Nelku ishte aktor me botë emocionale të pasur, i thyeshëm, mjeshtër i fjalës artistike, përdorues racional i mjeteve teknike, me një plastikë të zhdërvjelltë e sy shprehës. Punoi gjithashtu si pedagog i fjalës artistike në Institutin e Larte të Arteve, në vitet 1968-1970. Ishte një nga aktorët më modernë të kohës, për sa i përket përdorimit të mjeteve shprehëse dhe një psiko-teknike të përpunuar në bërjen e lojës. Ka lënë një varg figurash artistike në teatër, por ato që dalluan më shume dhe u vlerësuan nga kritika e kohës ishin Muhameti në dramën satirë “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit (1968), ku shfaqi natyrën egoiste, ambicioze e mburravece, sajë një qëndrimi të hollë ironik; oficeri SS në dramën “20 ditët” e Fadil Pacçramit (1969), ku spikati sidomos temperamenti shpërthyes, përqendrimi dhe ritmi i lartë; normisti ne dramën “Ngjarje në fabrikë” e F. Paçramit (1969), ku ra ne sy ravijëzimi i një karakteri origjinal, i njeriut servil që humbet dinjitetin dhe bëhet vegël e “shefit” etj..

“Enigma” Bexhet Nelku

Të paktat fakte dhe materiale mbi jetën e Bexhet Nelkut vijnë nga një punë studimore e bërë me shumë dashuri nga gazetarja Rajmonda nelku, në vitin 1988 dhe, siç ajo vetë është shprehur dikur, e kishte pasur të vështirë të intervistojë të vetmin njeri që kishte jetuar me Bexhet Nelkun dhe që ishte gjallë asokohe: e shoqja, Semiha Nelku, e quajtur "Sfinksi" për shkak të jetës së mbyllur dhe të heshtur që kaloi pas vdekjes së të shoqit duke rriti e vetme një fëmijë, djalin e tyre.

Rajmonda Nelku, mblodhi rrëfimet e Mihallaq Luarasit dhe Kujtim Spahivoglit, pa ua përmendur emrat njërit dhe tjetrit, si të dëbuar nga Tirana, duke bërë punën e një kritike të vonuar, punë që ka qenë dhe mbetet e vonuar. “Kishte aktorë shumë të mirë, por s'kishte hapësirë për kritikë shumë të mirë", është shprehur Rajmonda.

 

Bexhet Nelku dhe shkolla ruse

Bexhet Nelku ishte një artist që vinte nga shkolla ruse, jo nga ajo shkollë që interpretohej keq. Shkuarja drejt e tek burimet, shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i materialeve të metodës së Stanislavskit i dhanë përparësi Bexhetit të njihte dy dimensione të aktrimit dhe të mos binte në keqkuptimet që kish pësuar metoda ruse në shkollën dhe teatrin shqiptar.

Ai aplikoi anën teknike të mjeteve shprehëse në të folurin skenik, një frymëmarrje të bollshme, një zë që vibronte në të gjitha nuancat, në bukurinë dhe melodinë e gjuhës shqipe. Për këtë ai përkthente dhe studionte materiale të Stanislavskit nga rusishtja për bazat e të folurit skenik. Dhe veçanërisht i kushtonte vëmendje trajnimit të mëngjesit, duke bërë një punë sistematike me frymëmarrjen, aparatin e të folurit, vokalin. Bexhet Nelku nuk abuzonte me emocionin, me ndjeshmërinë. Si aktor psikologjik ai i vë rëndësi mendimit.

Model të një njeriu që jeton në mënyrë të plotë e quan Rajmonda, njeri që jeton në konsekuencë me atë që është, gjë që dikur Bexhet Nelkut i interpretohej si egoizëm, si individualizëm.

Rolet

Në kinema pati vetëm katër role. Një episodik tek "Detyrë e posaçme" të Kristaq Dhamos në kohën e studimeve. I njëjti regjisor e angazhon për rolin e Aleks Nushit në filmin "Vitet e para". Për rolin e mësuesit Thoma te "I teti në bronz" i Viktor Gjikës, konkurroi në kinoprovë me Vangjush Furxhiun. Vite më pas, Furxhiu që mori tek ky film rolin e Arifit, kujton: "Kishte shpirt krijues. Kalimin e moshave në film Bexheti e ka më të spikatur nga tërë personazhet e tjerë dhe këtë ai nuk e arriti me një grim të rënduar apo me ndonjë palë mustaqe (siç vumë ne të tjerët), por si rezultat i thyerjes së brendshme."

Oficeri gjerman në pjesën "Ura" me regji në Pirro Milkanit, nga triptiku "Kur zbardhi një ditë", është filmi i tij i fundit. Madje dublimi i zërit është bërë nga Reshat Arbana.

Pabesia e sëmundjes

Fati i keq e deshi që aktori Bexhet Nelku të diagnostikohej me tumor. Portreti i tij i mbajtur në fokus nëpërmjet monologut, nuk është i armikut të karikaturizuar, qesharak.

Koprací së jashtmi, por jetë intensive e brendshme, komenton Rajmonda. "Kjo i jep krijimeve të tij një vulë të veçantë në krahasim me aktorët e tjerë. Bexheti nuk bazohej vetëm në intuitën dhe nuk pajtohej me atë interpretim emfatik që ekzistonte në atë kohë në teatër tek shumica e aktorëve, ku vihej theksi në anën emocionale duke zbehur logjikën e veprimit. Në këtë drejtim ai u prirë drejt një interpretimi racional."

Mbi këtë logjikë realizoi Priftin te "Cuca e maleve" natën para premierës, rol që është ruajtur në arkivat e TVSH-së në interpretimin e Prokop Mimës.

Vdekja e Bexhet Nelkut ndodhi shpejt. Në tre javë. Piro Mani do kish dashur që ai të luante Xhivolan te "Arturo Ui", por premiera nuk e gjeti gjallë Bexhetin. Rolin e luajti miku i tij, Prokop Mima.

Në një nga ditët e fundit, java e tretë në nëntorit 1970, në spitalin nr. 2 në Tiranë Bexhet Nelku i mbështetur në parmakun e dritares duke parë përtej një fëmijë që shkarkonte qymyr për spitalin, tha: Doja të isha si ai fëmijë. Kishte përmendur njëherë se "ka një Zot, por ne nuk duam ta besojmë". Pastaj, në orët e fundit, e shoqja kujton, se prej shtratit, ngriti duart dhe u lut: O Zot!

Më 21 nëntor 1970 vdiq. Njerëzit përhapën fjalë se Bexhet Nelkut, i vunë nën krye në arkivol dy libra nga biblioteka e vet dhe një saze të dashur.

Tregimi i bashkëshortes së aktorit

Ata jetuan nëntë vjet bashkë në Rrugën "Ali Demi". Banuan në një dhomë. Bexheti kish dashur familje të madhe, kish dashur gjashtë fëmijë. Tek ajo gjoja shtëpi u lindi djali i vetëm, Einari. Gruaja mban mend që edhe në radhën 12 të teatrit, Bexhetit i flisnin sytë bojëqiell, i shkëlqenin. "Luante edhe për të birin. I thoshte nga skena: jam unë, babi."

Zonja Nelku tregon se në kafene "Tirana", diku pranë Cirkut, ai zbërthente rolet e tij. Nga leximet njohu poezinë, dramaturgjinë, autorë botërorë I pëlqenin filozofia dhe gjuhët e huaja.

Shqipëria ishte vend i vogël, ndoshta ai e mendonte këtë. Njëri vëlla ishte arratisur, një tjetër, Hamit Nelku, u dënua më 1965 me dhjetë vjet burg.

Thoshte: S'më duket bota e lirë kur më shtrëngojnë këpucët.

Leximet e futën vetëdijen e Bexhetit për aktrimin në sferën logjike. Idetë e tij dhe përpunimin e një mendimi teorik për mjeshtërinë e aktorit, bashkë me aktorin dhe kolegun Prokop Mima, ai i la në studimin "Mendime rreth të folurit në teatrin tonë". Thelbi i studimit është që teatri duhej të kishte në themel të folurin realist dhe të shmangte manierat: deklamacionin, emfazën.

Ky ishte këndvështrimi i një novatori. Zonja Nelku nuk e ruan këtë tekst, diku duhet të ndodhet në arkivat e Akademisë së Arteve.

Shtëpinë e re e shoqja e mori një vit pas vdekjes së tij. Ajo ruan pak nga librat rusisht-anglisht, deri vonë edhe instrumente të dashura të Bexhetit, kitarë, saze, fizarmonikë. Ishte instrumentist në të tria.

Mbresat e studentëve të tij

Në mesin e viteve '60 Bexhet Nelku ishte pedagog i të folurit skenik në Institutin e Lartë të Arteve. Disa studentë dhe kolegë të tij e kanë njohur kështu.

Justina Aliaj: “E mbaj mend që ai thoshte: Në qoftë se natyra ju bëri një dhuratë, ju asnjëherë nuk duhet ta ledhatoni atë, ta sodisni atë me sigurinë që nuk do të ikë kurrë prej jush, sepse shumë shpejt do të keni pasoja serioze në këtë drejtim. Ju duhet t'i faleni punës dhe vetëm punës.”

Agim Qirjaqi: “Bexhetin e kam pasur pedagog të fjalës artistike për afro 2 vjet. Shquhej për seriozitetin në punën e tij dhe për rëndësinë që i kushtonte gjuhës, të folurit në skenë, e sidomos përgatitjes teknike të fjalës artistike. Mbaj mend ditën e parë të mësimit me të: Nxirrni një laps e fletore, na tha, dhe citoi përmendësh këshillat që u jep Hamleti aktorëve që do të luajnë dramën. Pasi mbaroi, herën tjetër e dua përmendësh na tha duke u larguar. Ky citim nuk u bë për qëllim efekti, por kishte një domethënie sepse monologu përmban jo vetëm këshillat që u jep Shekspiri aktorëve, por edhe këshilla për të folurin në skenë. Respekti i madh që krijuam ne si kurs për të ishte i padiskutueshëm. Në momentet që ishte i sëmurë na u kërkua gjak dhe i gjithë kursi pa hezitimin më të vogël, dha gjak për pedagogun dhe artistin Bexhet Nelku.”

Vangjush Furxhi: “Bexhet Nelku ishte maja më e lartë në aktorët e brezit të tij që synonim të arrinim.”

Esat Oktrova: “Ai arrinte të bënte një përcaktim të saktë të perspektivës së rolit, nga figuronte një shpërndarje e drejtë e energjive mendore, emocionale e fizike dhe jo njëherë të arrinte në punime filigrame, veti këto edhe të Kadri Roshit. Prandaj Bexheti ishte mjeshtër i së tërës por edhe i së veçantës.”

Sot

Sado që pati një jetë të shkurtër artistike, as 10 vjet, ai la pas figura origjinale, te të cilat fuqia aktoriale në njëmendësimin e tyre, mbërriti në vlerat më të larta e më cilësore të kohës, tok me shembëllimet skenike realiste. Ka një pishë me emrin e Bexhet Nelkut në oborrin e Teatrit Popullor dhe në Teatrin e Metropolit, një prej dhomave të aktorëve, mban emrin e tij. Mban titullin “Artist i merituar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: