Plava, Gucia edhe Malësia e Gjakovës, si u zbrazën ndër shekuj trojet shqiptare

Publicitet
Publicitet
Plava, Gucia edhe Malësia e Gjakovës, si u zbrazën ndër shekuj trojet shqiptare
HISTORI/ Perlat etnohistorike dhe turistike të Alpeve, që sot shtrihen në dy shtete të Ballkanit: Shqipëria dhe Mal i Zi. Ruajnë edhe sot e kësaj dite konstruktin shpirtëror, gjenetik e fenotipik të të parëve të tyre ilirë, duke mbetur autoktonë dhe unikë në trojet e tyre. Një plazmë e vërtetë shqiptare e cila gjallon edhe sot ndër banorët e saj

Plava, Gucia dhe Malësia e Gjakovës, përbëjnë një unitet historik dhe etnokulturor të qëndrueshëm e të trashëgueshëm në breza. I krijuar dhe i ruajtur si një territor kompakt i Alpeve Shqiptare, për shkaqe të njohura, sot shtrihet sot në dy shtete të Ballkanit, në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Pavarësisht nga ndarja administrative dhe shtetërore, për nga origjina, kultura, territori e fati historik i njohur 300-vjeçar, kjo është një hapësirë kompakte dhe e banuar nga banorë, që kanë për origjinë të parë fisin dalmat të Ilirisë. Ilirët e Dalmacisë, ia dolën të ruajnë konstruktin shpirtëror, gjenetik e fenotipik dhe mbeten autoktonë. Mbeti një popull që kurrë nuk e ndali luftën për liri, duke e pranuar dhe zgjedhur jetesën e tyre të vështirë në zonat e ftohta malore, si një sakrificë që ia vlen të bëhet në emër të lirisë dhe vazhdimësisë së gjuhës dhe plazmës autoktone. Popullsia e tyre, deri në shekullin XVIII, ishte e identifikuar si katolike latine, për pasojë është sulmuar dhe goditur në mënyrën më të ashpër si nga bizantinët, ashtu dhe nga otomanët. Konvertimi është mjeti që është përdorur tinëzisht dhe pabesisht, për të reduktuar popullsinë dhe territoret shqiptare në rajon. Në këtë mënyrë, historia provon se, pjesa e mbi Drinit të ish-mbretërisë ilire që në këto 2000 vjet është reduktuar shumë si territor dhe si popullsi (por nuk është zhdukur), asnjëherë nuk e ka pranuar pushtimin romak, as bizantin dhe as otoman.

 

Nga prof. dr. Lush Susaj

Historia na mëson se Dalmacia ka qenë qendra e mbretërisë Ilire të Bardhylit, e cila më vonë pësoi ndryshime të thella administrative, duke ruajtur plazmën autoktone, gjuhën dhe trashëgiminë kulturore. Historianët më të mëdhenj të lashtësisë si Momseni, Pajsi, Leon Homo dhe të tjerë, bien dakord me faktin që venetët, japigët dhe mesapët (fise të njohura të Ilirisë), ndodheshin në Itali që përpara formimit të Romës. Leon Homo shkruan se: “Fiset iliriane duke vazhduar lëvizjet i hodhën dy fiset e tyre në Itali, ku u vendosën si vendas. Këto dy fise ishin venetët në veri dhe japigët në jug”.

Që nga koha e invazionit të galëve, mbreti më famën më të madhe në Iliri ka qenë Bardhyli, i cili e pati mbajtur të pushtuar edhe Maqedoninë deri në kohen e Filipit, të atit të Aleksandrit të Madh. Arbrit e quanin Leka i Madh, për të cilin ka të dhëna që edhe ai  dhe familja e tij, njëlloj si Homeri, Skendërbeu dhe Nënë Tereza sot, janë me origjinë nga Dalmacia. Bardhylin e ka mundur Filipi i Maqedonisë në betejën e zhvilluar në vitin 359, para Krishtit. Më vonë, pas vdekjes së tij, mbretëria e tij, ajo Ilirem është ndarë në dysh.

Djali i tij, Klitusi pati marrë pjesën e veriut, që nga Drini e deri në Serbi në lumin që në atë kohë quhej Titius, territor ky i banuar nga fisi Ilir i dalmatëve. Që do të thotë se kjo popullsi dhe territoret iliro-dalmate të saj, edhe pas ndarjes së parë, mbetën të pavarura dhe nën mbretërinë e Klitusit, djalit të mbretit Bardhyl. Ndërsa pjesën tjetër të mbretërisë (pjesën nga Drini e deri në Vjosë), e mori nën zotërim një i afërt i familjes mbretërore i quajtur Glauko, i cili është quajtur dhe përmendet si mbreti i Taulantëve.

Kur në fronin e Maqedonisë hipi Leka i Madh, të dy mbretërit ilirë të ndarë (Klitusin dhe Glaukon) ai arriti që t’i mundë dhe t’i detyrojë që të japin taksa për të. Në atë kohë, ilirët dërguan shumë ushtarë në ndihmë të Aleksandrit (Lekës së Madh), të cilët e ndihmuan për të pushtuar territore të gjera, përfshirë Persinë dhe të tjera vende në Azi. Pas një kohe të gjatë e të mbushur me luftëra, me humbje e me përçarje të mëdha mes dy mbretërive ilire, Agroni, i biri i Pleuratit (Pleurati qe i biri i Glaukos, mbretit të Taulantëve), arriti të bashkojë përsëri të dyja mbretërit e ndara ilire. Pas bashkimit, ata morën fuqi dhe arritën që të rimarrin përsëri Durrësin (Epidamnin) dhe Korfuzin. Agroni ka vdekur nga pija e tepërt në vitin 232 para Krishtit. Meqenëse djali i tij Pinei ishte i vogël, drejtimin e mbretërisë e mori nëna e djalit, Teuta. Dihet koha dhe mënyra sesi ajo u shantazhua dhe u sulmua nga diplomacia dhe ushtria romake që përdori si pretekst grabitjet që bënin piratët në detin Adriatik.

Pas sulmit nga romakët

Pasi u sulmua nga romakët, Teuta është tërhequr dhe është strehuar në malet e Grykës së Kotorrit me shpresë se ushtria romake nuk do ta pushtonte Shkodran. Për më tepër, Teuta mendonte se kjo ushtri do të largohej përpara fillimit të dimrit. Në fakt ndodhi e kundërta, ushtria romake nuk u kthye, ajo u instalua në Iliri e sulmoi edhe Shkodrën. Në këto kushte, Teuta ka kërkuar bisedime dhe ka nënshkruar humbjen dhe kushtet e rënda të pushtuesit. Në këtë mënyrë, senati i Romës, përveç taksave nga Iliria, mori nën zotërim edhe gjysmën e territoreve të mbretërisë ilire, gjithë pjesën që fillon nga bregu i Drinit e poshtë. Që do të thotë se edhe në këtë periudhë të trishtë, në Dalmaci pati përsëri vetëqeverisje dhe stabilitet politik e shoqëror, ç’ka i ka kontribuar vazhdimësisë së popullsisë, gjuhës dhe traditës së lashtë iliro-dalmate-shqiptare. Pak kohë pas pushtimit romak, mbretëreshë Teuta ka vdekur dhe në fron është ngjitur Dhimitri që u bë edhe tutor i Pineut, me emrin e të cilit qeveriste pjesën e mbetur të mbretërisë, domethënë pjesën nga Drini e lart. Ku pjesa më e bukur e këtij territori ka qenë dhe mbetet Plava, Gucia dhe Pulti me Malësinë e Gjakovës. Mehdi Frashëri ka shkruar se: “dalmatët e kanë vazhduar luftën ndaj Romës për mbi 160 vjet me radhë, gjer 9 vjet pas Krishtit. Qyteti i madh në breg të detit, që quhej Solonë, ka qenë i dalmatëve...”. Në këtë mënyrë, ilirët e Dalmacisë, ia dolën të ruajnë konstruktin shpirtëror, gjenetik e fenotipik dhe mbeten autoktonë. Mbeti një popull që kurrë nuk e ndali luftën për liri, duke e pranuar dhe zgjedhur jetesën e tyre të vështirë në zonat e ftohta malore, si një sakrificë që ia vlen të bëhet në emër të lirisë dhe vazhdimësisë së gjuhës dhe plazmës autoktone. Në periudhat e mëvonshme, domethënë me rënien e mbretërisë Ilire dhe me copëtimin e territorit për shkak të dyndjeve barbare, aty nga fundi i shekullit të II-të, del në skenë një emër i ri “Albani”, e që për herë të parë është përmendur nga Ptolemeu.

Kur u shfaqën arbrit?

Ndërsa më vonë, në shekujt IX-XI, në historinë politike të rajonit u shfaqën Arbrit, të mbështetur nga bota latine. Ana Komnena në Aleksiadën e saj, i ka përmendur arbrit si një faktor i rëndësishëm dhe mjaft aktiv në betejat mes nomadëve dhe Bizantit, të zhvilluara në vitet 1081-1086, si të rreshtuar përkrah babait të saj, Aleks Komnenit. Në lidhje me këtë Kantakuzeni (Faveiral, f. 241), ka shkruar se: “Atje dërgoheshin trupat dhe çdo herë shqiptarët tërhiqeshin në malet e tyre të paarritshme. Atëherë çfarë bëri Bizanti? Ai kërkoi një trupë prej ushtrisë së turqve të Azisë dhe trupat e armatosura lehtë jo vetëm i ndoqën shqiptarët deri në lartësitë e maleve, por ata i therën shumë prej tyre dhe rrëmbyen plaçkë lufte në njerëz dhe kafshë. Plaçka e luftës u shpërnda mes të gjithëve dhe turqit zvarritën deri në Azi një numër të madh njerëzish dhe kafshësh”. Ndërsa Aurel Plasari (2010), ka shkruar: “Me organizimin e ri në sistemin e temave, viset në fjalë u ndodhen më së shumti në temën e Durrësit si dhe në ato fqinje, të Nikopojës në jug, të Dalmacisë në veri, me gjasë edhe të Maqedonisë në lindje, të krijuara radhazi në shekullin e IX-të”. Këto fakte vërtetojnë origjinën dhe vazhdimësinë ilire të popullsisë shqiptare që falë gjuhës dhe qëndresës së përbashkët, ka jetuar në territorin gjeografik dhe historik të origjinës duke mbajtur lidhje të forta shpirtërore dhe fetare me botën latine. Në këtë kontekst, Jorga ka shkruar se:Arbëria në të vërtetë, ia detyron ekzistencën e saj dhe me gjasë, vetë konservimin e racës arbërore, raporteve të vijueshme me botën latine, kësaj mundësie për t’u shkëputur nga bota bizantine”. Që do të thotë se ekzistenca jonë si komb dhe si shtet ka për bazë orientimin europerëndimor dhe popullsinë autoktone, që trashëgon qëndresë dhe cilësi luftarake të shkëlqyera. Ky mësim i historisë ka rendësi për të kuptuar faktin që ekzistenca jonë nuk është përcaktuar dhe nuk mund të përcaktohet kurrë nga bota bizantine apo neobizantine e as nga bota otomane dhe neootomane. E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja jonë ka qenë dhe është Europa, të cilës i përkasim si origjinë, si territor e si mënyrë jetese. Në të gjitha kohërat, çdo goditje ndajë elementëve të kulturës dhe identitetit europian, është shoqëruar dhe do të shoqërohet me humbje territori dhe popullsie shqiptare.

Kushtet e reja mbi tabanin ilir

Rreth 1000 vite më vonë, gjatë shekujve VIII-IX, në kohën e perandorisë bizantine, mbi tabanin ilir u krijuan kushte të reja politike e shoqërore, të cilat u shoqëruan edhe me ndryshime të thella administrative dhe demografike. Në këtë periudhë, popullsia ilire u përqendrua në një territor të brendshëm të Ilirisë, shumë herë më i vogël se territori i ish-mbretërisë së mbretit Bardhyl, ku kujtoj faktin se, pjesë e këtij territori etnik janë Plava, Gucia, Malësia e Gjakovës, etj. Elementi themelor i kësaj etnie apo kombësie, është origjina dhe gjuha e përbashkët me të cilën njerëzit komunikonin dhe kuptoheshin me njëri-tjetrin, fjala “kuptoj” ka lindur nga fjala “shqip”. Në kohën e Stefan Dushanit, nga ky territor u shkëput edhe një pjesë e madhe, por pa ndryshuar origjina e popullsisë, gjuha e as kultura. Në lidhje me këtë realitet, në vitin 1198, Stefan Nemanja, zhupani i madh i Serbisë, ka shkruar: “…fitova (pushtova) nga krahina detare, edhe tokën e Zetës, edhe Pultin”. Për të kuptuar edhe më mirë përkatësinë etnike, si dhe pozicionin gjeografik dhe historik të Zetës, po sjell në kujtesë përfundimet e arritura nga historiani Zh. K. Faverial (f. 294), i cili shkruan se:“Në fillim të pavarur, më pas nënshtruar herë prej bizantinëve dhe herë prej serbëve, Dukati i Zetës (Zenta), shtrihej në veri deri matanë Kotorrit, në lindje deri në Prizren, ndërsa në jug, më shumë se një herë, kufijtë u shtrinë deri pranë Durrësit. Është e tepërt të shtojmë se popullsia e saj parake (e mëparshme) ishte iliro-shqiptare. Por me 1389-tën, një numër i madh i atyre që i kishin shpëtuar mynxyrës së Kosovës kërkuan strehë në malet e paarritshme, të quajtura që atëherë “të zeza”, për shkak të kreshtave dhe ngjyrës së shkëmbinjve vullkanikë”.

Jetesa katolike në rrezik

Në lidhje me situatën e atëhershme, duhet kujtuar edhe fakti që pas vitit 1054, jetesa dhe qëndresa e popullsisë katolike u bë shumë e vështirë, e mundimshme dhe e rrezikuar. Në lidhje me këtë, Nikoll Loka, ka shkruar se: “Pas vitit 1054, trojet shqiptare ndahen nga ana fetare dhe pavarësisht trysnisë së pushtetit bizantin, në skajin veriperëndimor të territoreve të tyre filloi të kristalizohet një enklavë katolike, e përfaqësuar fillimisht nga Ipeshkvia e Tivarit dhe pastaj me radhë: e Ulqinit, Shkodres, Pultit dhe Drishtit. Prania katolike shqiptare mbështeti autoktoninë shqiptare që binte ndesh me interesat e fqinjëve. Prandaj lufta e serbëve ndaj katolicizmit shqiptar dhe popullsisë katolike është zhvilluar në vijimësi. Pas serbëve, masakrat i vazhduan osmanët, të cilët pushtimin e territoreve në Ballkan e konsideronin si mision profetik, që duhej realizuar me çdo çmim e me çdo mjet”. Kjo dhe shumë fakte të tjera, përfshirë edhe të gjithë trashëgiminë kulturore e gjenealogjike të Plavës, Gucisë dhe më gjerë, tregon se popullsia e Plavës, Gucisë, Malësisë së Gjakovës, Zetës, Pultit, etj, deri në shekullin e XVIII-të, është identifikuar si katolike latine, për pasojë është sulmuar dhe goditur në mënyrën më të ashpër, si nga bizantinët, ashtu dhe nga otomanët. Konvertimi është mjeti që është përdorur tinëzisht dhe pabesisht, pikërisht për të reduktuar popullsinë dhe territoret shqiptare në rajon.

 

FAKTI

Popullata shqiptare që nuk u nënshtrua asnjë pushtimi

Në këtë mënyrë, historia provon se pjesa e mbi Drinit të ish-mbretërisë ilire që në këto 2000 vite është reduktuar shumë si territor dhe si popullsi, (por nuk është zhdukur), asnjëherë nuk e ka pranuar pushtimin romak, as atë bizantin, apo otoman. Në të gjitha kohërat, popullsia e Plavës dhe Gucisë e më gjerë, ka jetuar e lirë duke ruajtur dhe trashëguar elementë të rëndësishëm të gjenotipit dhe fenotipit të mrekullueshëm iliro-dalmat, bashkë me gjuhën, kulturën dhe përvojën historike mbretërore, ku spikatin e drejta zakonore, vetëmbrojtja dhe vetëqeverisja. Trashëgimia gjenetike, gjuhësore dhe kulturore autoktone, si dhe bukuritë më të mëdha të natyrës dhe të plazmës iliro-shqiptare, më mirë se askund tjetër janë ruajtur e trashëguar në Plavë, në Guci dhe në Malësinë e Gjakovës. Shkencat shqiptare dhe botërore të historisë, gjeografisë, gjuhësisë, gjenetikës, etnografisë, arkeologjisë, etj, sa herë që të ndërmarrin studime në këto krahina me popullsi autoktone, mendoj se do të përballën me kënaqësinë që të jep specifika dhe madhështia e gjetjeve që ndriçojnë edhe më shumë origjinën, qëndresën dhe vazhdimësinë e shqiptarëve në këto territore. Në malësitë e Plavës, të Gucisë dhe të Gjakovës, erozioni gjenetik e kulturor, duket se ka qenë më i paktë dhe më  i ngadaltë, kështu që gjuha, historia, plazma e jetët njerëzore të këtyre vendeve, dëshmojnë me zë të lartë se janë të parat dhe më të vjetrat e Ballkanit dhe të vetë Europës.   

Shpërndajeni me miqtë tuaj: