“Plava, Gucia edhe Malësia e Gjakovës, si u shpërngulën shqiptarët, të quajtur turq”

“Plava, Gucia edhe Malësia e Gjakovës, si u shpërngulën  shqiptarët, të quajtur turq”
HISTORI/ Titistët përzunë mbi 18% të popullsisë shqiptare nga ish-Jugosllavia, për në Anadoll të Turqisë. Një pjesë e mirë e tyre ishin pikërisht nga krahina e Plavës, Gucisë dhe Malësisë së Gjakovës. E gjithë kjo ngjarje, rezultat i marrëveshjes “xhentëlmene” jugosllavo-turke e vitit 1953, mes Titos dhe Kypreliut

Një zbrazje e vërtetë e viseve etnike shqiptare, që pati pasoja negative për jetën ekonomike, shoqërore e politike të popullit shqiptar, kryesisht në zonat e Plavës, Gucisë dhe Malësisë së Gjakovës. Kjo është ajo që ndodhi në mesin e shekullit të kaluar, falë marrëveshjes së famshme mes ish-Jugosllavisë dhe Turqisë. E cila ndaloi në mënyrë të tërthortë vetëm pas vitit 1966, atëherë kur kishin mbaruar 21520 procese gjyqësore të montuara kundër shqiptarëve. Në periudhën kohore 1955-1957, si rezultat i marrëveshjes, pushteti serb në proceset e montuara politike, rrahu brutalisht rreth 30 mijë shqiptarë, ku 300 prej tyre vdiqën nga plagët e marra. Si rrjedhojë, për një kohë të shkurtër u turqizuan dhunshëm rreth 60 mijë shqiptarë dhe u shpërngulën për në Turqi mbi 250 mijë të tjerë...

Nga prof. dr. Lush Susaj

Ngjarjet që rrodhen në ish-mbretërinë

ilire të Klitusit (djalit të Mbretit Bardhyl)

Për të mësuar edhe më shumë në lidhje me atë se çfarë ka mbetur e pastër dhe e papërlyer nga popullsia, kultura dhe tradita e ish-mbretërisë ilire të Klitusit (djalit të mbretit Bardhyl të Dalmacisë), na vjen në ndihmë historia dhe gjeografia e rajonit, me shkrimet dhe me faktet e shumta të ruajtura e të trashëguara deri në ditët tona. Historia, trashëgimia kulturore dhe gjenealogjia e të 12 fiseve të vjetra të Shqipërisë së Mbidrinit, vërteton faktin që këto fise të vjetra të gegnisë e kanë origjinën nga Dalmacia e Ilirisë. Ndërsa degëzimet e tyre janë të shumta, të njohura dhe lehtësisht të dallueshme. Studiuesi i mirënjohur Jakov Milaj, në librin e tij me titull “Raca shqiptare”, ka argumentuar se: “Atje kemi përfaqësonjësit më të përsosur të racës sonë. Në ballë të kombit tradita numëron 12 fise: Berisha, Gashi, Hoti, Kelmendi, Kastrati, Gruda, Shkreli, Krasniqja, Bytyçi, Thaçi, Kabashi dhe Morina. Që nga fundi i mesjetës, në Malësinë e Gjakovës, evidentohen fiset e Gashit, Krasniqës, Bytyçit, Nikajt (janë vëlla me Krasniqën) dhe Mërturit (janë fis Berishë), si dhe degë të fiseve Berishë, Kelmend dhe Hot. Këto fise kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare që kulmoi me shpalljen e pavarësisë, me 28 nëntor 1912”. Në të vërtetë, pamja më e bukur e trupit të njeriut ka qenë dhe është ajo që është ruajtur e trashëguar deri në ditët e sotme tek gegët, më saktësisht tek malësorët gegë të Plavës, të Gucisë, të Malësisë së Gjakovës, etj. Edhe Herodoti (viti 546 para Krishtit), ka shkruar se gegët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë dhe Pellazgëve hyjnorë.

Në vazhdim të kësaj teze të njohur, Eduard Shnaider (2009), tek libri me titull “Pellazgët dhe pasardhësit e tyre”, ka argumentuar se:“Ndër gjigandët që kishin lindur nga bashkimi i tokës me qiellin, më i shquari ishte Gigas, me një trup kolos, i fortë, krenar, i egër, i dhunshëm dhe një nga fëmijët më t’egër të tokës. Shqiptarët e veriut sikur e kemi parë, ruajnë akoma emrin Gegë, të Giga-sit të Homerit që banonin pas maleve Akrokerauni, në veri të Epirit, duke ruajtur emrin e gjigantit. Gegët duket se kanë shenjën e shtatmadhësisë e të skeletit viganor, që i bën të dallohen ndër bashkatdhetarët e tjerë, që në përgjithësi janë më të vegjël me trup, por të shpejtë e të shkathët si kaproj. Shqiptari nuk ka mundur të harrojë se është pellazg”. Ndërsa Taloci (1834-1916), shkruan se: “Nuk ekziston asnjë popull tjetër në Ballkan, as ai i Greqisë së Re, që të mund të ndjekë historinë e racës së vet, ashtu me rend kronologjik, qysh prej kohëve më të lashta deri në ditët tona, sikurse populli shqiptar”.

Në lidhje me origjinën dhe hyjnoren e gjigantëve gegë të Plavës, Gucisë, Malësisë së Gjakovës dhe më gjerë, George Fred Uilliams (1914), shkruan se: Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur me emrin pellazgët. Shqipja ka qenë gjuha e vërtetë e Homerit, sepse grekët e kanë huazuar nga rapsodët pellazgë eposin e tyne të shquem”. Ky argument plotësohet edhe më shumë nga fakti i njohur nga të gjithë, sipas të cilit, eposi i kreshnikëve (gegëve-gjigantëve), është ruajtur dhe është grumbulluar në krahinat me popullsi të pastër pellazgo-iliro-dalmate të Plavës, të Gucisë dhe të Malësisë së Gjakovës.

Zonat më të bukura të Apleve

Sa herë që flitet për historinë, për etnografinë apo për betejat në mbrojtje të rajonit etno-historik të Plavës dhe Gucisë, gjithnjë bëhet fjalë për një territor prej 486 km2, ndër më të bukurat vende të Alpeve. Në Plavë, Guci dhe në Malësinë e Gjakovës janë vendbanimet malore të kësaj popullsie, të cilat i kanë mbrojtur dhe trashëguar ato përmes betejave dhe sakrificave të pashembullta të kësaj bote. Vendbanimet kryesore të popullsisë autoktone të kësaj krahine të madhe etno-historike e kulturore, janë: Vuthajt (fshatrat Valbonë dhe Çerem, në Malësinë e Gjakovës), Martinajt (të aneksuar në komunën fqinjë të Andriavicës), Hoti i Vendit (përfshirë Hotin i Moçëm dhe Hotin e Kujit), Nokshiqi, Arzhanica, Doli, Dosugjani Pepajt, Hakajt, Gërnçari, Krusheva, Bogajiqi, Vishnjeva, Velika, Brezovica, Metehuja, Përnjavori, Vojosella, Gjyriqi, Murina, Mashnica, Kolina, etj. Sesa me vendosmëri janë mbrojtur këto krahina, po ju rikujtoj fjalën e prerë të prijësit popullor të Krasniqes në takimin e zhvilluar me krajlin e Malit të Zi, në Qafën e Çakorrit. Në atë takim të vitit 1879, Ali Ibra i është drejtuar përfaqësuesit të Malit të Zi (Teodor Milanit) me fjalët: “Nuk e lëshojmë Plavën, as Gucinë pa e mbushë tokën me kokat tona e kokat tuaja, ne nuk ju japim asnjë gisht tokë. Në daçi me e marrë me zor, ejani në Rrafshin e Nokshiqit e të Velikës e t’i përpjekim armët dhe gjokset”.

Historia e re e një populli të vjetër

Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938 dhe marrëveshja Jugosllavi-Turqi-Greqi e 28 shkurtit 1953, njihet si pakti ballkanik dhe u nënshkrua ne Ankara. Në bazë të hulumtimit sistematik të dy shërbimeve konsullore (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, dëshmohet se në periudhën e viteve1951-1968, prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 414.500 shqiptarë. Ndërsa gjatë periudhës në fjalë, (bazuar në statistikat sekrete jugosllave), në Kosovë ishin sjellë në heshtje 63.000 kolonë sllavë, prej të cilëve, pas rënies së Rankoviçit (1966), duke mos u duruar njëfarë “barazie” me shqiptarët, shumica prej tyre udbash e kriminelë ikën për Serbi. Ndërkaq, sipas statistikave të publikuara më vonë del se në periudhën e viteve 1952-1965, për ne Turqi janë shpërngulur: 452.371 shqiptarë. Në ato vite, me dhunë detyrohen të shpërngulen edhe mijëra shqiptarë, kryesisht nga Mali i Zi (nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja etj). Në dimrin e vitit 1955-1956 organizohet aksioni për mbledhjen e armëve dhe gjatë këtij procesi të dhunshëm i keqtrajtuan në format më mizore mëse 30.000 shqiptarë. Në këtë ekspeditë udbeske, nga rrahjet dhe torturat u mbytën 103 shqiptarë, ndërsa u gjymtuan përjetë rreth 10.000 të tjerë. Hulumtimet shkencore për zbardhjen e një ngjarje historike siç është marrëveshja “xhentëlmene” turko-jugosllave e vitit 1953 ndërmjet Titos dhe Kypreliut, sado që janë jo të mjaftueshme, prapë na japin një pasqyrë shumë të mirë për ta kuptuar këtë marrëveshje. Vlen të përmenden veprat e historianëve të kombit shqiptar siç janë: Fehmi Pushkolli në veprën “Fronti Popullor-Lidhja Socialiste e Kosovës”, Jusuf Osmani në veprën “Vendbanimet e Kosovës-Gjilani”, Hakif Bajrami “Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995”, Sabile Basha “Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës 1877-1995” dhe në shumë hulumtime të punimeve shkencore, të cilat e kanë për objekt të studimit këtë temë shumë të ndjeshme për popullin shqiptarë. Të gjitha këto vepra dhe shumë dokumente tjera, janë të lidhura me marrëveshjen e Splitit ndërmjet Titos dhe Kypriliut. Në këtë marrëveshje gojore, edhe pse askush nuk diti se çka përmbante, pasojat e saj u panë menjëherë, pas fillimit të zbatimit. Pas vitit 1953, filloi dëbimi masiv i shqiptarëve për në Turqi, gjë e cila e zbardhi këtë marrëveshje. Represioni serb u përcoll nga instrumentet shtetërore dhe në mënyrë të organizuar nga vetë shteti serbo-jugosllav. Paraprakisht, ajo ishte një marrëveshje mes Jugosllavisë dhe Turqisë e njohur si “Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938”, e cila parashihte dëbimin e shqiptarëve për në Anadoll. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve pothuaj u hesht, ndërsa u shkrua dhe u propagandua nga qarqet serbe, kinse për shpërngulje serbo-malazeze që në të vërtetë nuk ishte asgjë tjetër veçse migrime të vogla, të vullnetshme të popullsisë.

Marrëveshja turko-jugosllave e vitit 1953

Prishja e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare në vitin 1948 u shfrytëzua me mjeshtëri nga Beogradi për ndjekjen, arrestimin dhe keqtrajtimin e mijëra shqiptarëve të akuzuar si “stalinistë”. Në vitet ‘50 shteti jugosllav kishte shpallur për objektiv një shoqëri të afirmimit të barazisë së popujve të kësaj ish-federate. Ndërkaq, shqiptarët sanksionohen si pakicë dhe me këtë, vihen në pozitë të pabarabartë karshi popujve tjerë të po kësaj federate. Sistemi policor i UDB-së së Rankoviçit bënte trysni të ndryshme mbi shqiptarët, duke i shtypur dhe duke ua ngushtuar perspektivën, me çka synohej dealbanizimi i Kosovës. Si rezultat i këtij presioni, mjaft shqiptarë u regjistruan si turq dhe pati një rritje të ndjeshme të pakicës turke në Kosovë. Këtë proces të deklarimit të dhunshëm të shqiptarëve si turq e kundërshtuan intelektualët Zekerija Rexha, Mehmet Vokshi, Skënder Rizaj, etj. Për ta shpërblyer pozitën e udhëheqësve shtetërorë të ish-Jugosllavisë u propozua që Çubrilloviçit t’i jepet shpërblimi AVNOJ-it, i cili u refuzua kategorikisht nga anëtari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, prof. Fehmi Agani. Edhe pas kësaj periudhe, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore filluan aksionet e mbledhjes së armëve dhe formave të tjera të presionit, me qëllim të detyrimit të popullatës për shpërngulje në Turqi.

Takimi i Splitit Tito-Kyprili

Në vitin 1953, në Split u takua kryetari i Jugosllavisë, Josip Broz Tito dhe Fuad Kyprili, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë. Ata u morën vesh që të fillonte shpërngulja e sërishme e shqiptarëve për në Turqi. Marrëveshja planifikonte vazhdimin e aksionit të kësaj shpërngulje nga Kosova për Turqi, në bazë të Konventës së vitit 1938. Dëbimi i tyre parashihej të bëhet përmes Maqedonisë. Kjo u vu të zbatohet menjëherë pas prishjes së marrëveshjes jugosllavo-shqiptare, me pretekstin se i shërbenin Shqipërisë u dënuan dhe u internuan nëpër burgje mbi 500 shqiptarë, të cilët u dërguan në kampin famëkeq të Goli Otokut. Meqë me marrëveshjen “xhentëlmene” nuk u arrit qëllimi për dëbimin e shqiptarëve për në Anadoll, Serbia nuk i pushoi përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Marrëveshja mbi miqësinë dhe bashkëpunimin në mes të Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë, e nënshkruar në Ankara më 28 shkurt 1953 u bë e njohur si Pakti Ballkanik. Ajo përmban 10 pika dhe mori karakterin ushtarak, por pa ndikim e obligime, të cilat rezultonin nga Kontrata e Atlantikut Verior të 4 prillit 1949 që i përkiste Turqisë dhe Greqisë. Kjo marrëveshje linte hapësirë edhe për marrëveshje të tjera të problemeve ekonomike, teknike dhe kulturore. Jugosllavia për t’i shpërngulur shqiptarët nga Kosova dëshironte të krijonte lidhje sa më të ngushtë me Turqinë. Lidhja duhej të bëhej duke e riaktivizur Konventën jugosllavo-turke të vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Në këtë frymë bashkëpunimi mes tyre, u lidh edhe marrëveshja “xhentëlmene” mes Jugosllavisë e Turqisë. Çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve Jugosllavia e nxiste nëpër mjet shtypit turk. Në periudhën kohore 1955-1957 si rezultat i marrëveshjes pushteti serb në proceset e montuara politike, i rrahu brutalisht rreth 30 mijë shqiptarë, ku 300 prej tyre vdiqën nga plagët e marra. Si rrjedhojë, për një kohë të shkurtër u turqizuan dhunshëm rreth 60 mijë shqiptarë dhe u shpërngulën për në Turqi mbi 250 mijë. Nga fundi i vitit 1944 e këndej, shqiptarët filluan të arratiseshin në male dhe në Shqipëri, madje dhe duke migruar krejt jashtë vendit. Shqiptarët për ta kundërshtuar ripushtimin jugosllav organizuan edhe lëvizje ilegale. Në deklaratën zyrtare, të lëshuar më 29 janar 1953 mbi bisedat në Split, të dy delegacionet e fshehën marrëveshjen “xhentëlmene” dhe iu referuan bashkëpunimit parlamentar dhe çështjes së Paktit Ballkanik. Me këtë marrëveshje, Tito realizonte ëndrrën e serbëve për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova, ndërsa Turqia fitonte banorë vitalë dhe mjete financiare. Çdo shqiptar do të shpallej i rrezikshëm dhe i dyshimtë për sigurinë e vendit, sidomos intelektualët me të cilët i mbushën burgjet dhe pas kësaj, u shpik kombësia turke. Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë gëzoi të drejtën e një trupi legjislativ dhe ekzekutiv, si dhe të përfaqësimit në kuvendin e Serbisë dhe atë Federal, por jo pushtetin juridik dhe pikërisht në vitin 1953, ajo humbi lidhjen me federatën dhe mbeti vetëm në kuadër të Serbisë.

PASOJAT

Ushtrimi i dhunës ndaj shqiptarëve,

si u prek thellë tradita kombëtare?

 

Kolektivizmi i dhunshëm i një pjese të tokave të fshatarësisë së Kosovës, si dhe keqtrajtimet dhe shpërdorimet perfide serbe, E prekën thellë traditën kombëtare shqiptare. Në funksion të shpërnguljes shqiptare, u miratua edhe ligji i planit 5-vjeçar 1947-1951. Pushteti jugosllav, krahas dhunës dhe gjunjëzimit ekonomik sulmonte thellë edhe ndjenjat kombëtare, të kaluarën dhe traditën historike. Ai reduktoi hapjen e shkollave dhe të institucioneve arsimore e kulturore, madje mohonte edhe prejardhjen e popullit shqiptar. Titistët në anën tjetër e bënë të vetën, i përzuri mbi 18% të popullsisë shqiptare nga Jugosllavia për në Anadoll. E gjithë kjo ngjarje ishte rezultat i marrëveshjes “xhentëlmene” jugosllavo-turke, të cilën e ndaluan në mënyrë të tërthortë vetëm pas vitit 1966, atëherë kur kishin mbaruar 21.520 procese gjyqësore të montuara kundër shqiptarëve. Kjo ishte një zbrazje e madhe e viseve etnike shqiptare, e cila pati pasoja negative për jetën ekonomike, shoqërore e politike të popullit shqiptar. Vetëm lindshmëria (nataliteti) i lartë i shqiptarëve bëri të mundur që të ruhej struktura etnike dhe të dështoi plani për serbizimin e trojeve shqiptare. Qeveria jugosllave kishte formuar një komision shtetëror për dëbimin e shqiptarëve në Turqi, të cilin e përbënin: Aleksandër Rankoviçi, Krste Cërvenkovski, Zvetisllav Stefanoviç, Vojkan Llukiç, Marko Vuçkoviç, etj. Qeveria turke pasi mori informatat se është formuar shtabi jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve e angazhoi Hulusu Kejmonin, për kontakte me Jugosllavinë. Komunikimet ishin tepër sekret dhe u bënë përmes dokumentit turk me numër dhe shifër tejet sekret nr. 3977/51, ku me këtë rast Turqia inicion zyrtarisht aktualizimin e konventës së vitit 1938. Ajo i kishte premtuar Jugosllavisë se shqiptarët do t’i vendoste në vilajetin Mysh. “Pas gjithë këtyre me 28 shkurt 1953, Koça Popuviçi dhe Hulusu Kejman nënshkruan në Shkup një marrëveshje të re sekrete, që në Turqi të shpërnguleshin të gjithë myslimanet që jetojnë në Jugosllavi. Shtabi jugosllavë për dëbimin e shqiptarëve në Turqi u legalizua më 16 mars 1955”..

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: