PLANI I RI ANTIDROGË/ Njëzet mijë hektarë, për drithë në vend të kanabis

PLANI I RI ANTIDROGË/ Njëzet mijë hektarë, për drithë në vend të kanabis
Plot 20 mijë hektarë tokë në rang vendi rrezikojnë që të mbillen me kanabis.

Një alarm i tillë është lëshuar nga strukturat e qeverisë, të cilat pranojnë se kjo është një sipërfaqe potenciale që mund të përdoret për kultivimin e kësaj lloj droge.

Dhe për parandalimin e kësaj, ato sugjerojnë një sërë masash, në mënyrë që të pakësohet sa më shumë dukuria e “kanabizimit” të vendit. Ato janë përfshirë në Planin e Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, 2017-2020, i zyrtarizuar ditët e fundit.

Në detaje, për qeverinë, ky rrezik mund të shmanget vetëm duke e vënë në përdorim këtë sasi toke ndaj fermerëve, apo edhe të tjerëve të interesuar për mbjellje kulturash bujqësore.

Prioritet do të kenë sidomos bimët mjekësore, të cilat janë edhe më të përshtatshmet, sipas ekspertëve, për t’u rritur në zonat ku deri dje është kultivuar kanabis.

“Kultivimi i bimëve narkotike është kryer kryesisht në toka në pronësi publike, toka joproduktive, toka në pronësi të fermerëve larg zonave të banuara, si edhe në pyje e kullota. Për të reduktuar mundësinë e keqpërdorimit të aseteve publike, këto toka le t’u jepen në përdorim banorëve të zonave rurale të rrezikuara”, argumentojnë ekspertët lidhur me një dukuri të tillë.

Për të sqaruar më tej, se kjo mund të bëhet kundrejt skemave favorizuese, siç janë ato për kultivim me bimë mjekësore. Por edhe për lloje të ndryshme drithërash, që gjithashtu mund të rriten në këto toka, në vend të kanabisit.

“Kjo masë synon të shtojë sipërfaqet e tokës, të pyjeve dhe kullotave dhe aseteve të tjera në disponim të fermerëve dhe familjeve në nevojë, duke u siguruar atyre mundësi shtesë për punë të ndershme”, citon gjithashtu Plani i Veprimit.

Në këtë mënyrë sipas ekspertëve, kjo mund të ndikojë që fermerët ta largojnë gjithmonë e më shumë nga vetja dhe familjet e tyre, mundësinë e kultivimit të kanabisit, për përfitim financiar.

“Nuk konsiderohet sukses shkatërrimi i parcelave në fazën e vonë të kultivimit të kanabisit, kur bimët janë të pjekura për korrje. Por do njihet si sukses parandalimi i mbjelljes së tyre si kriter optimal, ose shkatërrimi, kur ato janë ende fidanë, si kriter i pranueshëm. Zbulimi dhe asgjësimi i bimëve narkotike në fazën e fundit të ciklit konsiderohet si një situatë ekstreme, e cila i ngarkon me përgjegjësi të lartë të gjitha autoritetet përgjegjëse”, cilëson Plani i Veprimit.

 

MASAT

“Hartimi i hartave të sipërfaqeve potenciale që janë mbjellë në vite dhe atyre me rrezik”

“Identifikimi i objekteve/vendeve dhe sipërfaqeve me risk për kultivim-trafikim kanabisi”

“Verifikimi i pasurisë së zyrtarëve, me rekorde problematike në angazhimin anti-kanabis”

 “Përqendrimi i përpjekjeve te parandalimi i mbjelljes, po dhe te shkatërrimi i fidanëve, etj.

 

Si arritën ekspertët në shifrën e 20 mijë hektarëve “të destinuara” për kanabis?

Që ekspertët e qeverisë nxorën shifrën zyrtare prej 20 mijë hektarësh tokë të rrezikuara për t’u mbjellë me kanabis, ata u nisën nga disa përllogaritje të caktuara. “Në vend ka gjithsej 696.000 hektarë tokë, prej të cilave janë privatizuar si tokë bujqësore 560.000 hektarë. Kurse 136.000 hektarë janë toka të pandara në administrim publik”, sqarohet në Planin e Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, 2017-2020. Duke detajuar më tej se “sipërfaqe që mbillet me bimë arash dhe pemëtari është rreth 500.000 hektarë”. “Sipërfaqja e përgjithshme e tokës bujqësore të privatizuar që nuk kultivohet është rreth 60.000 hektarë, prej së cilës rreth 25.000 hektarë është joproduktive, 15.000 hektarë preket nga ALUIZNI, autostradat, ndërtimi i hidrocentraleve” , vijojnë më tej ata. Për të përfunduar me shifrën e mbetur të rreth 20.000 hektarëve tokë, për të cilat thonë se kjo “konsiderohet si sipërfaqe potenciale që mund të përdoret për kultivimin e kanabisit”. Dhe pikërisht brenda territoreve të saj, duhet ndërhyrë, në mënyrë që të parandalohet gjatë viteve të ardhshëm, aktiviteti i veprës kriminale të kultivimit të lëndës narkotike, kanabis sativa.

 

Do të krijohet një hartë kombëtare e zonave të rrezikuara

“Krijimi i hartës sipas zonave me rrezik për kultivimin e kanabisit në tokat disponibël shtetërore me origjinë nga ish-Ndërmarrjet Bujqësore”. Kjo është një masë e veçantë që ekspertët e qeverisë kanë parashikuar në kuadrin e luftës ndaj mbjelljes së kanabisit. Shoqëruar edhe me hartimin e hartave  të sipërfaqeve potenciale që janë mbjellë në vite me kanabis. Por edhe me përmirësimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes ajrore të sipërfaqeve të tokave në rang vendi, për të lejuar identifikimin e tokave të mbjella që në fazën e tyre fillestare. Për të përfunduar me përqendrimin e përpjekjeve kryesore te parandalimi i mbjelljes dhe shkatërrimi i fidanëve të kanabisit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: