Pishinat me shumë klor dhe të mbipopulluara, gati kontrollet

Publicitet
Publicitet
Pishinat me shumë klor dhe të mbipopulluara, gati kontrollet
Pishinat e para, të cilat po i nënshtrohen kontrollit nga inspektorët dhe autoritetet përgjegjëse janë ato që gjatë vitit të kaluar kanë rezultuar problematike në cilësinë e ujit.  Sipas përgjegjësit inspektoratit pranë ASHR-së, Gimian Dokle, një pjesë e pishinave në Tiranë prishin parametrat e ujit në basenet e pishinave, pasi nuk respektojnë rregulloret e brendshme

Sonila Isaku

Pishinat mbipopullohen mbi kapacitetet që realisht ato kanë, nuk kanë kujdestarë për notin dhe ambiente të veçanta për dhënien e ndihmës së parë. Këto janë disa nga problematikat e hasura gjatë vitit të kaluar në kontrollet e kryera në disa prej pishinave në kryeqytet, të cilat këtë vit do të jenë të parat që do të kontrollohen nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal, nëse i kanë plotësuar kushtet dhe detyrat e lëna më parë. Po kështu, një tjetër problematikë e hasur gjatë vitit të kaluar ka të bëjë edhe më cilësinë e ujit, ku shumë prej tyre rezultonin me mbidozim të klorit.

Kontrollet e ujit

Pishinat e para, të cilat po i nënshtrohen kontrollit nga inspektorët dhe autoritetet përgjegjëse janë ato që gjatë vitit të kaluar kanë rezultuar problematike në cilësinë e ujit. Sipas përgjegjësit inspektoratit pranë ASHR-së, Gimian Dokle, një pjesë e pishinave në Tiranë prishin parametrat e ujit në basenet e pishinave pasi nuk respektojnë rregulloret e brendshme. “Kemi konstatuar që problematikat qëndrojnë në prishjen e cilësisë së ujit për shkak të mosrespektimit nga ana e operatorëve të rregulloreve të brendshme, që do të thotë mbipopullim të baseneve, mosrespektim të kushteve të higjienës personale të personave që futen në këto basene dhe njëkohësisht devijimet që kemi vënë re janë të Klorit mbi normë”, tha Dokle.

Por çfarë manipulimi bëjnë subjektet që menaxhojnë pishinat për të neutralizuar ndotjen që vjen nga moszbatimin i rregullores? “Problemi kryesor i cilësisë së baseneve ka qenë problemi i agresivitetit të ujit për shkak të kimikateve që e trajtojnë ujin. Ata e mbidozojnë ujin sepse shohin që ka aktivitet të shtuar. Kështu, ata hedhin më shumë kimikate që të ruajnë cilësinë e ujit, por kjo e bën ujin më agresiv” shpjegon përgjegjësi i inspektoratit Gimian Dokle. Sipas tij, rregullorja parashikon që çdo subjekt duhet të bëjë çdo dy orë monitorimin e cilësisë së ujit duke matur PH e ujit dhe sasinë e klorit të lirë, të cilët duhet ta afishojë për pushuesit. Sipas higjenistëve, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e pishinave për fëmijët. Ruajtja e baseneve të pishinave të fëmijëve është shumë delikate. Vetëm pishinat që kanë sistem të trajtimit të ujit të automatizuar janë më të sigurta. Normat PH në një basen ujor duhet të jenë nga 6.5-9 mlg/l. Ndërsa normat e klorit të lirë duhet të jene 07-1,5 mlg/l.

Mbipopullimi

Një tjetër problematikë e konstatuar gjatë sezonit të verës dhe më shumë gjatë fundjavave është mbipopullimi në pishina. “Ka mbipopullim nëpër to, sipërfaqja e këtyre pishinave nuk është e destinuar për një numër kaq të madh dhe ne në mënyrë kategorike nuk do të lejojmë asnjëherë që të ketë lëshime në këtë pikë. Së dyti, kemi vënë re se nuk ka kujdestarë të licencuar nga Federata e Notit dhe nga institucione tjera si Kryqi i Kuq, në mënyrë të atillë qoftë për mësimin e notit, qoftë për dhënien e ndihmës së shpejtë. Së treti, nuk ka respektim të brezave higjieno-sanitar para se të përdoret pishina”, pohojnë inspektorët. Sipas tyre, çdo subjekt që nuk merr masa në këtë sezon, sipas kryeinspektorit Eltar Deda në bazë të ligjit do të gjobitet 500 mijë lekë dhe rrezikon mbylljen e aktivitetit.

Vetëm në Tiranë ushtrojnë aktivitetin rreth 150 pishina të ndara në olimpike, komplekse banimi dhe ato kurative. Pas 15 qershorit pishinat do të hapen në masë për pushuesit, por inspektorati paralajmëron një sërë kontrollesh intensive për të plotësuar kushtet sipas ligjit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: