Pezullimi i Skënderbeut, Partizani nis projektin “Europë”

Publicitet
Publicitet
Pezullimi i Skënderbeut, Partizani nis projektin “Europë”
Edhe Kukësi në pritje të Champions, Luftëtari dhe Laçi janë ekipet e vetme të sigurta në Europa League. Gjirokastritët kanë zyrtarizuar trajnerin e ri, të kuqtë gati të zyrtarizojnë ish-trajnerin e tyre në stol, Mladen Milinkoviç

Aranit Muraçi

Vetëm një ekip i Kategorisë Superiore e ka të sigurt trajnerin, të paktën deri në mbyllje të aventurës evropiane. Austriaku i stolit të Kukësit, Peter Pacult, ka nisur projektin për Kupat e Europës, ndërkohë që ende nuk ka mësuar zyrtarisht nëse ai do t’i drejtojë verilindorët në Europa League, apo Champions League. Kjo pasi pjesëmarrja në Champions League do të varet nga dënimi i Skënderbeut, që pret përgjigjen e UEFA-s. Vetëm nga një ndërhyrje e mundshme e CAS, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që pritet ta shqyrtojë dënimin 10-vjeçar pas Kupave të Europës, çka do të shpëtonte Skënderbeun nga mospjesëmarrja në Champions. Trajneri Ilir Daja dhe lojtarët kryesorë të Skënderbeut për të ardhmen e tyre janë në varësi të këtij vendimi. Kukësi ka nisur me përforcimet duke zyrtarizuar Arlind Kalanë te Vllaznia, pas largimit të Sidrit Gurit. Por Partizani shpreson të përfitojë më tepër nga dënimi i mundshëm i Skënderbeut, për të fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League. Kjo javë shihet vendimtare.

Partizani

Presidenti Gaz Demi dhe Partizani duket se e kanë marrë vendimin dhe pritet të zyrtarizohet emri i  trajnerit të ri. Ai do të jetë ish-trajneri i Luftëtarit dhe i Kukësit Mladen Milinkoviç. Madje burime pranë “Albanian Free Press” konfirmojnë faktin se Partizani ka shtuar shanset për pjesëmarrjen në Europa League (dënimi i Skënderbeut konsiderohet i sigurt) dhe përveç trajnerit të huaj, i cili në rastin konkret ishte projektuar që në verën e kaluar, ka projektuar edhe disa blerje. Milinkoviç vjen edhe në Tiranë me Marko Jovanoviç i cili ka qenë ndihmës i tij te Luftëtari dhe Kukësi. Gjatë këtij sezoni Partizani shkarkoi tre trajnerë, ku i fundit ishte trajneri provizor, Klevis Dalipi.

Luftëtari

Trajneri nga Sllovenia, Millosh Kostiç, mori ditët e fundit një ofertë nga presidenti Grigor Tavo dhe pranoi të marrë drejtimin e ekipit gjirokastrit. Ditën e djeshme është zyrtarizuar emri i tij, i cili vjen me një ndihmës-trajner nga Sllovenia. Luftëtari, si vendi i tretë i kampionatit, siguroi një biletë në Europa League dhe pas pushimeve pritet të nisë përgatitjet për Kupat e Europës. Objektivi i shpallur nga klubi është kalimi i një turi, ndërsa trajneri Hasan Lika, që drejtoi Luftëtarin drejt suksesit historik për pjesëmarrjen në Europa League është shkarkuar papritur me mbylljen e këtij sezoni.  Kostiç, 46-vjeç, nga Lubjana do të ketë si ndihmës edhe përgatitësin atletik, grekun Kostas Kolcidhas, i cili mban postin që mbante edhe nën drejtimin e Hasan Likës.  Luftëtari rikthehet të mërkurën në seancën e parë për sezonin e ri, nën drejtimin e një trajneri të ri. Kostiç ka drejtuar në të kaluarën Kombëtaret U-17 dhe U-19 të Sllovenisë, nga viti 2013 deri në 2018. Ndërkohë, me ardhjen e tij pritet edhe konsolidimi i ekipit, pasi janë larguar Kristal Abazaj deh Dejvi Bregu. Gjithashtu nga Luftëtari është larguar edhe kapiteni Orjad Beqiri. Trajneri i ri vjen në Gjirokastër edhe me dy blerje të rëndësishme.

Laçi

Edhe pse siguroi finalen e Kupës së Shqipërisë si dhe vendin e katërt në kampionat, duke lënë pas ekipe si Flamurtari dhe Partizani, trajneri i Laçit, Gentjan Mezani, është dorëhequr. Vendi i tij është lënë bosh, ndërkohë presidenti Pashk Laska po kërkon me insistim pasuesin e tij, për ndeshjet e Europa League. Hasan Lika dhe Shpëtim Duro shihet si alternativa të mundshme për momentin. Përveç trajnerit, Laçi është në rrezik të mbetet edhe pa disa nga lojtarët kryesorë. Portieri dhe kapiteni Gentian Selmani pret largimin për një karrierë më të mirë pasi është edhe në fund kontrate. Sulmuesi mozambikas Reginaldo gjithashtu i ka përfunduar kontrata dhe pret kalimin te Partizani. Edhe mbrojtësi Harallamb Qaqi pas mbylljes së kontratës ka kërkuar largimin nga ekipi.

Tirana

Presidenti Refik Halili ka gjetur akordin me trajnerin Ze Maria për të rinovuar kontratën për dy vitet e ardhshme. Braziliani udhëhoqi bardheblutë drejt rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. Pas akordit, ai pritet të rinovojë zyrtarisht me ndihmësit që kishte,  Marco Aurelio dhe Rafael Costa. Ndërkohë, Tirana ka ruajtur organikën e sezonit të kaluar.

Kamza

Pietro Vierkvud është emëruar trajneri i ri i Kamzës. Ai është zyrtarizuar pak ditë më parë nga drejtuesit e klubit kryeqytetas, duke zëvendësuar trajnerin që siguroi mbijetesën, Julian Ahmataj. Ish-futbollisti i njohur i Romës dhe i Juves vjen për një eksperiencë në Shqipëri ku si detyrë e parë e pret ringritja e ekipit, pa preukopime në Europë. Sabino Plaku, Erlis Frashëri, Hektor Idrizaj, dhe Taulant Kuqi thuajse i kanë mbyllur hesapet me Kamzën pas mbijetesës.

Teuta

Edhe “djemtë e detit” kanë ndryshuar stol. Gentjan Begeja, i cili mundësoi qëndrimin në Kategorinë Superiore, është larguar nga skuadra. Ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, pas një eksperiencë të shkurtër në Kosovë me Lirinë e Prizrenit u zyrtarizua dje në stolin e Teutës ku si detyrë kryesore ka rindërtimin e ekipit për edicionin e ri futbollistik.

Flamurtari

Pasi mbylli një sezon problematik, jashtë objektivave, Flamurtari ka mbetur zyrtarisht pa trajner. Ardi Behari, trajneri provizor që e mbylli sezonin para kohe pasi u pezullua nga FSHF, është aktualisht trajneri që pret votëbesimin. Megjithatë drejtuesit vlonjatë Beharin e shohin sërish në postin që ai kishte, ndërsa po shohin për alternativën e ardhjes së një trajneri të ri. Disa prej lojtarëve që mbyllën sezonin, për shkak të performancë së dobët, u është afruar një kontratë me zbritje.

Kastrioti

Ekipi tjetër debutues në Kategorinë Superiore, Kastrioti, ndryshoi trajnerin para se të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Krutanët larguan Samuel Nikajn, i cili i ndihmoi në suksesin e fundit për të zyrtarizuar emrin e trajnerit të ri, i cili është një tjetër shkodran, Elvis Plori. Ish-lojtari i Partizanit, Marko Cetkovic, shihet objektiv kryesor i merkatos së Kastriotit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: