Perlat Sheqeri: Si mësova brenda natës çiftelinë

Publicitet
Publicitet
Perlat Sheqeri: Si mësova brenda natës çiftelinë
Flet këngëtari i njohur i muzikës popullore, Perlat Sheqeri: Në këto vite të lulëzimit të rrymave bullgare e greke ose thjesht ballkanike, ne këngëtarët, të gjithë bashkë, jemi kontribuues të këqij në muzikën shqiptare, sepse kush më shumë e kush më pak, i kemi lënë ato të hyjnë furishëm në këngët tona. Ndërsa sot kam parë e vazhdoj shikoj që është bërë një kthesë e madhe

Perlat Sheqeri është një nga zërat më të bukur të muzikës tonë popullore të veriut. Pavarësisht se, siç më tregoi ai vetë në bisedën tonë, nga fama që ka në muzikën live, i ka ndodhur të performojë edhe në Himarë, kur dikush e ka ftuar atje. Një djalë i Pukës, qytetit të bukur e piktoresk mes maleve, që me shumë sakrifica ia doli i vetëm, por me shumë talent e pasion, të ndjekë udhën e këngës nga Puka, në Shkodër e për 25 vite tashmë, në Tiranë. Këngët e tij kanë me qindra mijëra klikime, të pastra, siç ai e ka me shumë dëshirë të theksojë, sepse si shumë këngëtarë të muzikës burimore, për të ka rëndësi të madhe talenti dhe lidhja e ngushtë me publikun që e ndjek. Vjen në këtë rrëfim ekskluziv, Perlat Sheqeri, djali që lindi në male, por me këngën e tij shëtiti tërë botën.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju jeni një djalë pukjan, më tregoni diçka më shumë mbi vendlindjen tuaj...

Unë kam lindur në Pukë, në një fshat shumë të thellë malor, por me njerëz të varfër e shumë të mirë, bujarë e punëtorë. E di që është bërë pak si modë të tregosh në intervista mbi fëmijërinë dhe kur e ke nisur me artin, por në rastin tim kjo gjë është shumë e vërtetë, sepse në klasë të parë fillore, pra vetëm 6-vjeçar, unë kam ditur t’i bie çiftelisë.

Kaq i vogël? Po si ju ra në duar çiftelia?

Kam një kujtim të bukur në lidhje me çiftelinë, sepse atë ma bëri dhuratë tezja ime. Ne në familje kemi qenë shumë hallexhinj sepse ishim shumë fukarenj dhe ishim shtatë fëmijë. Unë ndërkohë kisha nisur, ashtu si fëmijë i vogël fare, të këndoja nëpër shtëpi e miq. Një natë, edhe sot e mbaj mend, vjen tezja në shtëpi e më premton se ajo do të më blinte një çifteli e do të ma dhuronte mua. Ishte për mua një mrekulli, një ëndërr, aq sa nuk e besova këtë premtim. Por tezja e mbajti fjalën dhe ma solli çiftelinë. Dhe atë çifteli unë, për habi, e kam mësuar vetë, si autodidakt. Në ato vite vegjëlie pasioni im për këngën dhe muzikën ka qenë shumë i fortë, shumë i madh. E kam kaluar një natë të tërë pa gjumë duke e mësuar vetë, sepse kisha shumë frikë se harroja lëvizjen e gishtave, sigurisht kishte talent brenda meje, vesh muzikor e ritmikë. Por i kam shkruar në një fletë fletoreje pozicionet e gishtave, që t’i mbaja mend. Ishte një pasazh nga “Vallja e Tropojës”. Ndaj unë, deri sa të vdes, do të ia di për nder tezes time, sepse babai e kishte të pamundur të ma blinte për arsye të varfërisë!

Pasi mësuat çiftelinë, ku interpretonit?

Nuk e di, a i kujtoni ato koncertet e famshme nëpër kooperativa bujqësore? Me moshën që kam unë, i përkas kohës kur e kam arritur periudhën e këtyre koncerteve dhe kam marrë pjesë në to. Ishin aktivitete të cilat ishin edhe si një djep për talentet e reja në këngë e valle, gjallëronin shumë jetën artistike të zonave rurale dhe mbi të gjitha, na jepte mundësinë të perfeksiononim artin tonë, duke u bërë edhe më të njohur e të dashur në publikun që vinte të na ndiqte.

Po pas këtyre aktiviteteve, e kujton kur jeni ngjitur në një skenë më masive, më të rëndësishme?

Po, si jo! E kujtoj mjaft mirë sepse kam qenë një djalë 10-vjeçar dhe kam interpretuar në konkurrimin për në Festivalin e Gjirokastrës. Në atë vit isha dhe pak pa fat, sepse për një incident mes artistëve, rrethi i Pukës u ndalua të marrë pjesë në Festivalin e Gjirokastrës dhe unë nuk munda të ngjitem në skenën e madhe të folklorit shqiptar. Pas kësaj, në vitin 1990 unë u vendosa në Shkodër.

Shkuat me të tërë familjen atje?

Jo, isha vetëm unë, sepse fitova një bursë për në shkollën e mesme pedagogjike ku studiova për mandolinë. Ishte po viti 1990 kur unë fitova çmimin e parë në Festival në Shkodër. Në atë vit, të fitoje atë çmim të parë është si të fitosh sot “Sanremon”, ishte shumë me rëndësi. Isha vetëm një djalë 13 vjeç e gjysmë dhe kur kam hyrë në skenë i kam thënë vetes se pse kisha guxuar të ngjitesha në atë skenë, sepse krah meje ishin këngëtarë me shumë emër. E mendoj këtë sa herë shikoj një foto që kam në arkivin tim nga ai aktivitet. Por menjëherë e mora veten dhe shkëlqeva me këngën “Fluturo moj flutur”, nga një kompozitor nga Kumanova. Këndoja dhe i bija vetë çiftelisë, një emocion i jashtëzakonshëm.

Mendoj se më pas erdhi edhe fama, ju gjetët përkrahje...

Sigurisht që jehona e asaj fitoreje më ndihmoi shumë, erdhi një mbështetje e madhe nga drejtoria e shkollës, nga autoritetet lokale në Shkodër, nga drejtori i konviktit, se unë isha konviktor. Mu mundësuan shumë bashkëpunime edhe me stafin artistik të Teatrit “Migjeni”. Por përsëri fati deshi që për disa arsye, ekonomike dhe jo vetëm, unë u detyrova të lë shkollën në Shkodër e të vij në Tiranë.

Ishte  e vështirë përshtatja juaj si artist me Tiranën?

Unë dua ta përmend një zonjë me shumë mirënjohje, sepse pa ndihmën e saj shumë gjëra nuk do të ishin të mundura! Fillova të përpiqem të ingranohem në jetën artistike të kryeqytetit, por ja di shumë për nder zonjës Besa Kaçinari, bashkëshortes së kompozitorit të njohur, Alfred Kaçinari, të cilën unë e kisha mësuese. Ajo kur më dëgjoi, vlerësoi jashtë mase zërin tim dhe më bëri të dalloja, se mënyra e të kënduarit ishte shumë e përshtatshme për të kënduar edhe në diasporë, për bashkëkombësit tanë kudo ku ishin. Atëherë, ne krijuam një grup muzikor në ambientet e Ministrisë së Brendshme.

Ishin vitet ‘90 kur spektaklet gëlonin. Ju u përfshitë në to?

Juela, siç e dëgjove nga unë, e kam të shenjtë mirënjohjen. Ashtu siç nuk harroj tezen time, Besën, e të gjithë ata që më kanë përkrahur e mbështetur, ashtu nuk harroj edhe ata që më kanë penguar, shpesh me dashje. Sepse në art, ka njerëz që ta bëjnë mbarë e ka që ta bëjnë ters karrierën. E vërteta është që, gjithmonë me përkrahjen e Besa Kaçinarit, unë u drejtova në një nga këto spektakle dhe shpresa ishte e madhe që unë do të korrja sukses; por ja që dikush, që nuk dua ta përmend, e ndërpreu në mes suksesin tim, pa të drejtë e nuk do ta harroj gjithë jetën!

Por ju nuk u mposhtët, apo jo?

Shumë e vërtetë. Kishte shumë aktivitete në ato vite, në Shtëpinë e Oficerëve, në Estradën e Tiranës, në shumë salla e në disa rrethe. Pra, aktiviteti im vazhdoi shumë intensivisht.

Ndërkohë ju vazhdonit studimet, si ishit në shkollë me mësime, sepse paralel ju këndonit?

Kam qenë shumë mirë me mësime, sepse isha një djalë i shkathët dhe i zgjuar, shumë kurioz për të mësuar gjëra të reja. Por kam pasur një problem, vetëm një, në matematikë kam qenë shumë dobët, ose më saktë, nuk më tërhiqte aspak. Si për humor po ua tregoj, kujtoj që këndoja një këngë të famshme e shumë popullore në ato vite, “Nigjare, nigjare”, ishin vitet ’93-’94. Teksa këndoja këngën në skenë, përballë kisha mësuesin e matematikës që shijonte këngën dhe më bërtiste nga publiku: “Pesë, pesë” ndërkohë që mua më vinte shumë zor. Ha ha ha, nga kënga kalova në matematikë.

Por të ndalemi tek kënga, ju keni qenë larg zërave të fuqishëm epikë, por përsëri u pëlqyet shumë...

Po, dhe mendoj se kam pasur fat në këtë aspekt. Kam pasur një zë shumë karakteristik të hollë e të ëmbël. Në fakt kur dola në skenë rashë në sy menjëherë. Albumin e parë e kam realizuar në vitin 1999. Por për një artist janë shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunëtorët, nëse ata janë të mirë dhe të duhur, janë një ndihmë dhe mbështetje e jashtëzakonshme. Kanë qenë të vyera bashkëpunimet me Edmond Zhulalin, me Spartak Kurteshin, me Fran Kodrën dhe Agim Xhemajlin e me shumë të tjerë. Gjithashtu edhe me poetët Gjovalin Dushaj, Ndrecë Mustafaj, Agim Doçi, Mynir Hoxha, Agim Picaku etj. Me kompozitorin Spartak Kurteshi kujtoj këngën që u bë hit “Pa biznes e pa pará” të cilën na e kërkonin në çdo aktivitet dhe me të cilën edhe sot ne, ta them popullorçe, hamë bukë, sepse e kërkojnë shumë në gëzime familjare, por që në ato vite, mos harrojmë, nuk kishte You Tube që të shikohej e klikohej nga masa e gjerë. Gjithashtu edhe ne, me atë papjekurinë e nxitimin e moshës, mendonim se do të mbeteshim gjithmonë të rinj dhe nuk i kushtonim kaq shumë vëmendje promovimit të vetes dhe këngëve tona.

Më tregoni pak mbi dallimin mes të kënduarit në Shqipëri dhe në diasporë, ku thuhet se duhet më shumë kënga shqipe...

Sa mirë që jemi në një mendje! Unë kam kënduar shumë në mbarë Evropën, por edhe në SHBA. Të jem i sinqertë, mendoj se, pikësëpari, e kanë nga malli i madh për atdheun dhe kombin. Ata i ruajnë me fanatizëm traditat por kanë edhe kulturën e respektit të artistit, vijnë të të dëgjojnë dhe të respektojnë maksimalisht, me shumë edukatë dhe dashuri. Me një pasion që në Shqipëri është më i mekur. Është shumë e vërtetë që vëllezërit dhe motrat tona në diasporë, janë shumë më të respektueshëm se sa këtu. Por megjithatë, nëse ke vlera si artist, vlerat të ruajnë, të mbajnë të gjallë tek publiku.

Ju artistët e këngës popullore keni një mision të fortë, ta ruani atë. E keni të vështirë?

Kam një mendim tjetër në këto kohë. Në këto vite të lulëzimit të rrymave bullgare e greke ose thjesht ballkanike, ne këngëtarët, të gjithë bashkë, jemi kontribuues të këqij në muzikën shqiptare, sepse kush më shumë e kush më pak, i kemi lënë ato të hyjnë furishëm në këngët tona. Ndërsa sot kam parë e vazhdoj shikoj që është bërë një kthesë e madhe. Shumë këngëtarë, e kam fjalën për këngëtarë të vërtetë jo për pseudo-këngëtarë, se këngëtarë që mbushin televizionet ka plot. Gjërat kanë ndryshuar, këngëtarët kanë marrë përgjegjësi mbi vete, këngëtarët e jugut këndojnë Jug të pastër e të veriut, këngë veriore të pastra. Të këndosh është edhe biznes, se ne mbajmë familjet tona me këtë profesion, por edhe publiku ka filluar përqafon muzikën e pastër shqiptare.

Sa rëndësi në punën tuaj kanë orkestrantët?

Kanë shumë rëndësi sepse ne këngëtarët, duke qenë shpesh të ftuar, na ndodh të mos kemi mundësinë e zgjedhjes dhe ndeshim orkestrantë shumë të dobët të cilët na e ulin cilësinë e performancës. Shpesh as që kemi pyetur sepse kemi dashur të kapim punën por kjo nuk ndodh p.sh me këngëtarët kosovarë. Ata në këtë pjesë nuk tolerojnë, marrin të paktën një orkestrat me vete, që ja njeh profilin e të kënduarit dhe zërin.

Por ju edhe lodheni shumë, pak njerëz e mendojnë këtë, keni pasur shumë ngarkesë në jetën artistike?

Ah! Po flet me një këngëtar që ka punuar shumë, aq shumë sa që me kalendar i disponoj të dhënat se kam kënduar të paktën në 150 net në vit. Sot nuk mund të shkosh në një aktivitet ose gëzim familjar i papërgatitur, sepse duhet repertor i duhur, njerëzit e dinë se çfarë pëlqejnë.

Je baba i dy djemve, kanë marrë nga talenti juaj?

Të dy djemtë e mi studiojnë në Liceun Artistik, njëri për piano e tjetri për violinë. Po rriten mes muzikës e më pas mund të zgjedhin se çfarë duan të bëjnë.

Sa peshë ka pasur në jetën tënde familja?

Ka një peshë shumë të madhe, një rëndësi të jashtëzakonshme. Unë jam shumë besimtar, besoj shumë në Zot. Nëse Zoti i ka dhënë një artisti një grua të keqe, ajo karrierë është e mbetur në gjysmë. Imagjinoni se unë jam këngëtar që këndoj pa ndalesë live. Dua të tregoj një ndodhi familjare që të kuptoni se sa rëndësi ka një bashkëshorte që të kupton. Ishim me pushime me familjen dhe po udhëtonim në zonën e Vlorës që të ndaleshim në Dukat. I kishim prenotuar plazhin, otelin, të gjitha. Më merr dikush në telefon e më thotë se po nisej nga Kosova e më donte që të këndoja për ta. I thashë se unë isha me pushime me familjen. Raste si ky ka pasur shumë, më kanë telefonuar edhe në dy të natës. Bashkëshortja menjëherë më tha se ata ishin miq të mitë e se unë e kisha obligim që të shkoja t’i respektoja. Ja pra pse unë kam pasur shumë fat që Zoti më dha në krah bashkëshorten time, ajo është nga Lura. Po kështu është edhe për femrën artiste, nëse ka një bashkëshort që e kupton ajo ka për të ecur përpara në jetë, këtë ma ka mësuar eksperienca ime. Unë e shumë si unë që punojmë gati çdo natë, nëse dalim nga shtëpia të nervozuar e të stresuar, si do të jemi në gjendje të performojmë si duhet?

Jetoni prej shumë vitesh në Tiranë, por më the në fillim të bisedës se ëndrrat i sheh me vendlindjen. Pse?

Kam 25 vite që jetoj në Tiranë. Është e habitshme, unë edhe mbrëmë ëndërrova ato troje ku kam lindur. Gjithmonë më ndodh dhe nuk e sqaroj dot këtë. Sot në atë fshat që quhet Arst Miliska, kanë mbetur shumë pak banorë. Një vend përrallor malor, një perlë që nuk harrohet lehtë. Por nuk është vetëm një vend shumë i bukur Puka. Është edhe një vend me njerëz shumë të mbarë. Dy vende janë në Shqipëri pa krime, Përmeti dhe Puka. Jemi një qytet i vogël që organizojmë tre herë në vit koncertin “Puka” falë pukjanëve dhe dashurisë së tyre për muzikën e tyre, me sponsorë biznesmenë pukjanë.  Një popull me urtësi dhe bujari të jashtëzakonshme. Jam shumë krenar që jam nga ai fshat dhe ai rreth, që ka nxjerrë edhe shumë artistë me emër.

Keni pak kohë të lirë, si e kaloni atë?

Unë kisha shumë pasion gjuetinë, është një sport shumë i bukur, e kam një çifte me leje, por nuk e kam dëshirën që të zhvilloj gjuetinë për të vrarë kafshët e shpendët por thjesht për të shëtitur, për të ecur në natyrë. Pjesën tjetër të kohës e kaloj me familjen, me të cilët dalim shpesh nëpër Shqipëri.

Ka këngëtarë me një këngë quhen VIP ndërsa ju me një repertor të gjatë, jeni shumë modestë. Pse ndodh kështu?

Motër e dashur, kam hasur shpesh që organizatorë ose gazetarë më tregojnë se si, kur përpiqen të kontaktojnë me këngëtarë të rinj në tentativë, as që u përgjigjen. Ne këngëtarët me përvojë pikërisht aty e kemi suksesin, tek njerëzit që i duam e na duan, i respektojmë dhe na respektojnë. Unë vetë p.sh jam gjithmonë i hapur të flas me gazetarët dhe të bisedoj me organizatorë eventesh. Nuk ka të bëjnë Liket, as paratë, ka të bëjë sjella. Siç ja bën hyzmetin punës, ashtu vjen suksesi, ai i qëndrueshmi.

Hyni tek këngëtarët romantikë?

Po, sepse mua më shkojnë më shumë me zërin këngët romatike, të dashurisë, këngët satirike por edhe me tema sociale.

Jeni xheloz dhe a janë xheloz për ju, në art e kam fjalën?

Një person që i ecën puna dhe aktiviteti, nuk ka arsye të jetë xheloz për askënd.

Si keni rezistuar kaq gjatë në tregun muzikor?

Më ka falur Zoti një zë që nuk ka njohur rënie deri tani. Kjo është më kryesorja. Dhe as që e kam ruajtur shumë, jam lodhur shumë, kam kënduar me orë të gjata, por edhe ndonjë gotë e kam kthyer, nuk e mohoj. Pra është i lindur zëri. Këngëtarë që këndojnë live dhe kërkohen janë shumë pak, numërohen me njërën dorë. Televizioni transmeton pa ndalesë këngëtarë por ata që këndojnë e nuk njohin lodhje janë shumë pak. Mos harroni kurrë se jeta jonë është e fituar me gjak e djersë, duket shumë e bukur e parë nga jashtë, por sakrificat dhe lodhja jonë janë shumë të mëdha. Kjo e gjitha është falë pasionit dhe dashurisë për këngën dhe traditën popullore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: