Paratë e emigrantëve, strategjia: Të vijnë të gjitha në rrugë formale

Paratë e emigrantëve, strategjia: Të vijnë të gjitha në rrugë formale
Emigrantët shqiptarë që punojnë jashtë vendit, paratë e tyre duhet t’i dërgojnë vetëm në rrugë formale. Jo më dorazi, përmes miqve apo të afërmve, por përmes bankave, apo edhe postës, pasi vetëm kështu, qeveria do të dijë saktësisht forcën e vërtetë që ato i sjellin ekonomisë sonë. Dhe që ato të mos përdoren më vetëm për “bukë”, siç është bërë gati këto 30 vjet të tranzicionit, por të kthehen në një burim të vërtetë zhvillimi.

Kjo është ajo çka qeveria ka parashikuar rreth të ashtuquajturave “remitanca”, apo dërgesa të emigrantëve, më dokumentin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën, deri në vitin 2024.

“Dërgesat në pará të emigrantëve kanë ndihmuar kryesisht në konsumin e përditshëm dhe mbijetesën ekonomike të familjeve shqiptare. Ato kanë plotësuar nevojat themelore të jetesës për ushqim, veshmbathje, shpenzime për kujdes shëndetësor, arsimim të fëmijëve apo për ndërtimin dhe mobilimin e shtëpive. Por, këto dërgesa nuk kanë ndikuar sa duhet në zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, sqarohet në këtë dokument.

Duke shtuar se pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e formalizimit të dërgesave të tyre.

“Kanalizimi i remitancave drejt mekanizmave formalë rrit transparencën dhe promovon sistemin bankar vendas, duke rritur fuqinë e tregut të remitancave”, vlerësojnë ekspertët.

E në këtë kuadër, ata sqarojnë se do promovohen transfertat me kosto më të ulët përmes kanaleve formale, ku të tilla cilësohen pikërisht ato përmes bankave, apo edhe postës.

“Strategjia Kombëtare e Diasporës parashikon një plani veprimi, i cili do të zgjerojë shërbimet bankare në Shqipëri për remitancat. Sikundër edhe do të zgjerojë kapacitetet e institucioneve të tjera financiare dhe të Postës Shqiptare për të përmirësuar shërbimin e transferimit të remitancave”, argumentohet më tej në dokumentin në fjalë.

 

HISTORIA

Si kanë ardhur deri sot “në shtëpi” paratë e emigrantëve shqiptarë?

“Kanalet kryesore të dërgimit të parave prej emigrantëve shqiptarë familjeve të tyre fillimisht kanë qenë informale. Ato janë sjellë pranë familjes nga të interesuarit ose dërgimit përmes të afërmve e miqve.

Në një fazë të mëvonshme filloi dërgimi i tyre i formalizuar nëpërmjet korrierëve të paguar dhe institucioneve jobankare.

Në fazën e tretë ka nisur edhe dërgimi i tyre nëpërmjet sistemit bankar. Sistemi bankar është shfrytëzuar fillimisht pak për dërgesat e emigrantëve. Kjo ka ndodhur për arsye historike, psikologjike e praktike. Ndër arsyet kryesore renditen kultura bankare e kufizuar, produktet bankare të pakta, kostot e larta të transfertave dhe besimi i ulët te bankat sidomos e zhvilluar kjo për banorët e zonave rurale në vend.

Institucionet jobankare, si Uestern Union, i cili në vitin 2005 zotëronte rreth 80% të tregut të remitancave, kanë mbizotëruar për shkak të besueshmërisë, shpejtësisë, mungesës së burokracisë dhe fleksibilitetit e orarit të zgjatur me të cilën ato punonin”, argumentojnë ekspertët e qeverisë.

 

Apeli: Jo për bukë, po për investime!

Paratë që emigrantët shqiptarë dërgojnë pranë familjeve, duhet të përdoren prej këtyre të fundit për të stimuluar hapjen e bizneseve të ndryshme, apo edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Një apel i tillë jepet qartë në Strategjinë Kombëtare të Diasporës për vitet e ardhshme.

“Duhet nxitur jo vetëm kanalizimi i tyre në rrugë bankare, por të merren edhe hapa praktikë në përdorimin e tyre për zhvillim të vendit. Strategjia Kombëtare do të nxisë aftësimin e familjeve të emigrantëve për përdorimin më eficient të tyre dhe menaxhimin e bizneseve të vogla. Krijimi i shembujve të cilat i tregojnë diasporës sesi familjarët e tyre do t’ua kthejnë paratë e marra do të jetë një nxitje për ajo që të risë dërgesat në para për familjet në Shqipëri”, cilësohet gjithashtu në këtë dokument.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: