Pandora: Jemi bërë më shumë këngëtarë se sa popull

Pandora: Jemi bërë më shumë këngëtarë se sa popull
Flet për Albanian Free Press, këngëtarja Pandora Sylejmani: Nuk e kam matur asnjëherë veten me Like dhe Views në YouTube etj., sepse ato blihen edhe me pará, sikurse bëjnë shumica e këngëtarëve dhe këngëtareve. Këtë s’e kam bërë asnjëherë, sepse nuk dua të mashtroj veten në radhë të parë e pastaj të tjerët.

Në fillimet e saj, këngët që interpretonte ishin mes të tjerave, balada tepër të ndjera, që përcillnin brenga e ndjenja të forta dashurie, tipike për rininë e asaj kohe. Zë melodioz por i plotë, pamje prej aktoreje amerikane të viteve ’30, me stil e pamje të kuruar e jo të ekzagjeruar - siç ishte moda e atyre viteve - Pandora, vajza e Rrëshenit, ra menjëherë në sy për stilin e veçantë dhe zërin e kulluar. Baladat e saj kishin mijëra fansa, ndaj edhe nisën bashkëpunimet me këngëtarë me përvojë, këngë që u bënë hite. Dashuria në vitin 2002, e afroi me Kosovën, sepse në Gjilan gjeti mashkullin e jetës - edhe ai muzikant - e sot, shijojnë bashkë karrierën dhe dashurinë e një vajze të bukur me emrin Arisa, që ka plotësuar çiftin. Por Pandora zgjodhi të jetojë e punojë në Zvicër, ku edhe e kontaktuam për këtë intervistë, një ndër ato të rrallat e saj. Sepse, ajo vetë e pohon, nuk preferon shumë të jetë në media me lajme, por të jetë në skenë me këngë. Vjen në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, Pandora Sylejmani, mirditorja që për gati 20 vjet, mban të gjallë këngën shqiptare jashtë kufijve, duke ruajtur me shumë xhelozi identitetin e saj artistik.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Si ka qenë fëmijëria juaj, cilën aromë kujtoni, vend apo panoramë?

Jam rritur në qytetin e Rrëshenit, zona e Mirditës. Si fëmijë kujtoj se kam qenë hiperaktive, e papërtueshme, mjaft e shkathët për çdo gjë. E kujtoj shpesh atë kohë dhe si panoramë më shfaqet pamja e pedonales së qytetit, ku kalonim mjaft kohë si fëmijë.

Si ka nisur dashuria për muzikën te ti?

Gjithmonë kam kënduar, por më vinte turp të dilja përpara të tjerëve. Më pas, u regjistrova në shkollën e muzikës, “Prenk Jakova”, në Shkodër ku studiova për piano. Kjo përvojë nuk zgjati shumë, fatkeqësisht! Shkaku ishte largësia, unë u ktheva dhe fillova shkollën e baletit në qytetit tim, Rrëshen.

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë, e mbani mend?

Në këto momente, saktësisht, nuk e mbaj mend mirë vitin, por kujtoj shfaqjen e parë me trupën e baletit që kishim, sepse kam pasur emocione të shumta. Gjatë vallëzimit më detyruan edhe të dilja e të këndoja një këngë, e cila titullohej: “Sa i dua lulet”. Nga turpi e lashë përgjysmë dhe ika... ha ha ha.

Po klipi i parë i yti, ju kujtohet?

Me sa mbaj mend ka qenë kënga “Sevdaja”. Atë kohë, dhe Bledi i shtëpisë së produksionit ishte në fillimet e veta dhe realizuam videoklipin tim të parë.

Jeni nga artistet më të njohura për baladat në Shqipëri; nga lindi ky pasion për këtë formë të ndjerë të këngës?

Kam këngë të ndryshme në stil e tipologji, jo vetëm balada. Nëse është ashtu, mendoj se mënyra e këndimit e bën që të dëgjohen më shumë baladat, nga unë.

Keni disa bashkëpunime me artistë të tjerë të njohur, si kanë lindur këto bashkëpunime?

Kryesisht i japim rëndësi teksteve, melodisë dhe përshtatjes së vokaleve sigurisht; qëllimi është të bëjmë jo vetëm këngë për numër. Bashkëpunimet që kam pasur deri më tani, mendoj se kanë pasur sukses pikërisht për këtë. Kam kolegë e kolege të shumtë në këtë fushë, që edhe sot shprehin dëshirën për bashkëpunime, por tani që është dhe vajza në shkollë këtu në Zvicër, nuk e kam komoditetin të lëviz si më parë. Për një projekt të suksesshëm, dihet që duhet kohë.

Keni në duar një projekt të ri?

Tani kemi publikuar një këngë baladë, bashkërenduar me një videoklip që quhet “Hak merr perëndia”. Po e shoh se është pritur mjaft mirë, kam edhe disa materiale të mira që presin të finalizohen, nëse më premton koha.

Çfarë vere ju pret, do jetë e ngarkuar?

Si zakonisht, sezoni i verës është i ngarkuar me dasma dhe aktivitete të ndryshme. Kjo stinë për mua është e njëjtë me angazhime, më është bërë rutinë tash sa vite.

Si lind një këngë e re që është interpretim i yti ose një bashkëpunim i ri...

Të them të drejtën, bashkëshorti im është ai që merret me këngët, organizimin, përzgjedhjen e teksteve etj. Unë jam vetëm protagoniste, pas gjithë sukseseve qëndron Betimi - bashkëshorti im është muzikant dhe e njeh pak a shumë më mirë këtë punë.

Çfarë është për ty një këngë e arrirë?

Nuk e kam matur asnjëherë veten me Like dhe Views në YouTube etj., sepse ato blihen edhe me pará - sikurse bëjnë shumica e këngëtarëve dhe këngëtareve. Këtë s’e kam bërë asnjëherë, sepse nuk dua ta mashtroj veten në radhë të parë e pastaj të tjerët. Për mua e arrirë është kur, kënga ime këndohet gjithandej dhe mesazhi brenda saj është përcjellë atje ku duhet.

 Këngët tuaja janë më së shumti romantike, flasin për dashurinë; sepse pëlqehen më shumë?

Po, pëlqehen. Dashurisë gjithmonë i është kënduar, jo vetëm në muzikën shqiptare, por në mbarë botën.

Më tregoni diçka më shumë rreth jetës tuaj të përditshme… Si e kaloni ditën tuaj…

Ditët janë të ndryshme, por jo të veçanta; zgjohemi në mëngjes, bëj gati vajzën për shkollë, pastaj kafja e mëngjesit, kontrollojmë agjendën si e kemi, ndonjëherë shohim edhe ku do të shkojmë ta shëtisim vajzën e të argëtohemi, e kështu me radhë...

Po të mos merreshit me muzikë, cili do të ishte pasioni juaj?

Nuk e di, ndoshta gastronomia.

E keni një mesazh për të rinjtë që duan të ndjekin pasionin tuaj?

Të punojnë sa më shumë, sepse kurrë nuk ka qenë më lehtë! Arritja e teknologjisë e ka bërë shumë më të lehtë depërtimin. Të kalojnë në origjinalitetin e tyre, sepse do të ngelen gjithmonë imitatorë.

Ju këndoni live, a duhet të rikthehet më shumë të kënduarit live në trend?

Po. Definitivisht mendoj se, këndimi live e bën këngëtarin ose këngëtaren të japë emocione në këngë dhe, në fund të fundit, të merret vesh kush bën e kush nuk bën për këtë profesion. Mendoj se kjo e pastron dhe skenën muzikore, sepse jemi bërë më shumë këngëtarë se sa popull!

A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

U bë kohë e gjatë që udhëtojmë poshtë e lart në gjithë diasporën, nëpër koncerte të ndryshme, por tani që kemi dhe vajzën e vogël, është bërë më e vështirë. Mundohemi të rregullojmë udhëtimet, të ikim të mbarojmë punë shpejt e të kthehemi menjëherë pranë vajzës.

Cilat janë planet në ardhmen e afërt në këngë?

Nuk e di. Ndoshta, në një të ardhme të afërt, do mbledh disa muzikantë që janë profesionistë të fushës, të bëj një përmbledhje me këngë të të gjitha trevave ku flitet shqip, pasi i këndoj të gjitha me shumë kënaqësi.

Cilat janë pasionet tuaja, jashtë këngës?

Kuzhinën e kam pasion, gatuaj dhe kam qejf të eksperimentoj me gatimet. Të gjithë ata që më njohin nga afër, e dinë këtë veti dhe më thonë se jam shumë e mirë me gatimet ha ha ha.

Shpenzoni shumë për veshjen dhe pamjen tuaj? Po kujdes, a bëni shumë për fizikun dhe pamjen?

Në jetën private jam e thjeshtë, nuk e kam me merak të dukem e veçantë nga të tjerët. Sa i takon fizikut, bëj palestër rregullisht, kuptohet kur kam kohë të lirë.

Cila është gjëja për të cilën do të luftonit më fort?

Familja!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: