Oltsen Gripshi: Arti bashkëkohor, denoncim dhe promovim i së tashmes tonë të përbashkët

Oltsen Gripshi: Arti bashkëkohor, denoncim dhe promovim i së tashmes tonë të përbashkët
Flet posaçërisht për Albanian Free Press, artisti Oltsen Gripshi, historiani dhe kritiku i njohur i artit, i cili sapo është kthyer nga përfaqësimi dinjitoz i artit shqiptar në ekspozitën e përbashkët të disa artistëve shqiptarë në Muzeun Shtetëror “Casa del Mantegna” në Mantova të Italisë, e më pas në New York në eventet për çimimin Canova Prize 2018:Bota, universi u krijua nga një marrëdhënie dashurore, nga një ngjizje e përsosur...

Intervistoi për Albanian Free Press Juela Meçani

“Magjia dhe madhështia e mesazheve konceptuale të artit bashkëkohor janë shumë të fuqishme, pothuajse kapin në befasi edhe vetë artistin.”-shprehet Oltsen Gripshi, historiani dhe kritiku i njohur i artit, i cili sapo është kthyer nga përfaqësimi dinjitoz i artit shqiptar në ekspozitën e përbashkët të disa artistëve shqiptarë në Muzeun Shtetëror “Casa del Mantegna” në Mantova të Italisë, e më pas në New York në eventet për çimimin Canova Prize 2018 në Pop Up Space Gallery.

Mbi aktivitetet dhe pjesëmarrësit

Shqipëria është qendra e gravitetit tërheqës të veprave të përzgjedhura për çimimin Canova Prize 2018 në Pop Up Space Gallery në New York dhe të atyre të cilat u ekspozuan nga 8 qershori deri më 15 korrik 2018 në ekspozitën e përbashkët në Muzeun Shtetëror “Casa del Mantegna” në Mantova të Italisë. Një ekspozitë, e cila vjen si pjesë e edicionit të dytë të Festivalit të Kulturës Shqiptare themeluar nga Anila Cenolli, ku rëndësi të madhe marrin artistët pjesëmarrës:

Artan Shabani, i cili sjell një copëz realiteti shqiptar me në qendër Utopinë, sepse për të utopia e adultit gjendet jo në një vend që nuk ekziston, por në një tekst që nuk flet më. Një pikturë e freskët realiste te portretet drapezh dhe qendistare, gati sikur ato lule t’i kishte punuar një i verbër në letër.

Oltsen Gipshi vjen me katër vepra konceptuale nga ku del në pah kërkimi i tij ndaj qenies njerëzore dhe antropo-fenomenologjisë, duke vendosur në veprim semiotikën neuroestetike me veprat: “Kurban MCMCXVII”, “Anatomia e orgazmës”, “Albania Kawamata” dhe “Artisti personazh”.

 

Alketa Delishaj një artiste e re, por premtuese për artin bashkëkohor, e cila ekspozon një seri pikturash me në qendër vtminë, e cila përhumbet në reflekset vezulluese të ujit.

Erjon Nazeraj, skulptori, i cili arrinë të gërshetojë më së miri materialet e ngurta me brishtësinë e imazheve të peizazheve të tij abstrakte mbi letër.

Eldi Veizaj frymëzues dhe gati surreal në veprat e tij, ku ajo çfarë shpërfaqet në veprat e tij ka të ngjarë me ezocizimin e së keqes në brendësi të individit, ku portretet nuk janë më të tillë, por imazhe në të cilën ngërthehet meditimi.

Xhimi Hoti artisti i ri nga Shkodra, i cili realitetin e lakuar dhe me vëllime e thjeshton falë përdorimit të formave gjeometrike, duke hudhur hapin drejt një horizonti të ri estetik.

 

Soni Tufina realist dhe i ndjeshëm, aq sa Shqipëria për të mbetet frymëzimi i përjetshëm por paharruar edhe pikturën naïf të Guri Bulollarit, i cili na rrëmbën me imazhet  e tij të realizuar me një gjuhë estetike fëminore, por plot ngjyra dhe ndjeshmëri.

Të tetë artistët ekspozuan veprat e tyre në sallën qendrore të Casa del Mantegna falë gjuhëve të tyre estetike sa konceptuale aq dhe realiste në shtjellimin e fenomeneve të ndryshme sociale me gjurmë shqiptare, për t’u theksuar është edhe koncepti kuratorial i dy kuratorëve italian Luigi Marastoni dhe Sebastiano Zanetti. Vëmendja e dy kuratorëve përqendrohet në një emërtim disi cingërsues “Maledetti Albanesi: le aquile sono in volo” në leximin e parë, por në të vërtetë ata ngrejnë një diskutim shumë të mprehtë të kohës në të cilën ne jetojmë, duke prekur çështje të atilla si imazhi i shqiptarëve në Itali në tre dekadat e fundit, ku shpeshherë dëgjohet të thërritet “Maledetti albanesi”, por për dy kuratorët shqiptarët janë burim frymëzimi me arritjet dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë italiane. Për kuratorët nëpërmjet veprave të artistëve bashkëkohor shqiptar të cilët janë pjesë e kësaj ekspozite, kërkohet të ndërtohet një urë bashkëpunimi dhe dialogu të munguar midis dy brigjeve të Adriatikut, duke ngjizur alkimi të reja pamore dhe konceptuale. Veprat u prezantuan të sinqerta dhe modeste për t’i dhënë përparësi më shumë fuqisë së mendimit sesa pamjes estetike të tepruar dhe ekstravagante.

Historiani dhe kritiku Oltsen Gripshi e përshkruan veten si të frymëzuar nga Konceptualizmi i filozofisë mesjetare të Abelardo-s, si dhe nga Arti Konceptual i viteve ’60 të shekullit XX, duke mbërritur sot të konkretizojë ngjyrat e botës së tij të brendshme nëpërmjet konceptuales në portretizimin e realitetit si dëshmitar i kësaj kohe; i kohës tonë, i kohës që gjëmon furishëm me dinamizmin, i cili karakterizon të tashmen, por kurrsesi nuk harron të shkuarën.

Kjo është pikënisja e mendimit të tij, e konceptit të tij dhe e konceptualizmit midis antropologjisë kulturoro-sociale shqiptare dhe fenomenologjisë pa kufinj e vendndodhje; një përqasje kjo sa origjinale aq dhe e guximshme, që kërkon të shkrijë në një të vetme copëza nga antropologjia shqiptare me fenomene të ndryshme universale, pagjuhë dhe entitet.

 Jeni një nga pjesëmarrësit në dy evente të rëndësishme të përfaqësimit të artit figrativ shqiptar në botë. Çfarë ka ngacmuar veprat tuaja?

“Psikologjia neuroestetike” kjo kompozitë mbiemërore më ka ngacmuar gjithmonë ndërgjegjjen për të krijuar diçka. Një diçka si produkt i gërshetimit të idesë me mendimin (konceptin) ku realja dhe surrealja marrin dhe japin nga njëra-tjetra. Ideja dhe mendimi, një lojë fjalësh, e cila depërton thellë në shqisat perceptuese brenda mureve të qelqta të unit tim; un që kriset, gati-gati shkërrmoqet e që braktis kryeneçësinë e të qëndruarit larg dhe indiferent përballë fenomeneve të së përditshmes. Nis të reflektoj, të gërrmoj dhe të hulumtoj se si mund të bëhem denoncues i këtyre fenomeneve apo pse jo idealizues i tyre.

Ky është dhe tezgjahu, i cili tjerr në vazhdim marrëdhënien midis meje dhe konceptuales. Një marrëdhënie dashurore, por edhe urretjeje, sepse mua më pëlqen e bukura dhe estetika në formësimin e veprave të mia, ndërsa konceptualja më këshillon të braktis këtë ndjesi sipërfaqësore démodé dhe t’i kushtohem thellësisht e më shumë mesazhit (konceptit) me të cilin do të komunikojë vepra.

Si u bënë bashkë artistë të rinj e më me përvojë në eksperiencën në Mantova?

Ekspozita në vetvete nisi së përgatituri gati një vit më parë. Një ekspozitë, e cila që në krye të herës kishte si qëllim përcjelljen e vlerave të vërteta dhe më përfaqësueset e artit bashkëkohor shqiptar. Padyshim kjo frymë solli bashkëpunimin midis artistëve të rinj shumë premtues me gjuhët e tyre të të shprehurit dhe artistëve të themi tashmë të afirmuar në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, ku bashkarisht do të mund të kodifikonin një etapë të re për historinë e arteve pamore shqiptare. Qasja konceptuale dhe mediumet e larmishme bënë që ky grup artistësh bashkëkohor shqiptar të bëheshin bashkë në një ekspozitë kaq të rëndësishme të kuruar nga dy kuratorët italian Luigi Marastoni dhe Sebastiano Zanetti në Muzeun Shtetëror Casa del Mantegna në Mantova të Italisë.

Vepra të teknikave të ndryshme të artit figurativ, por a ka një fije lidhëse mes tyre?

Sigurisht që po, ekspozita është e mirëmenduar nga dy kuratorët, por edhe nga Anila Cenolli dhe Alketa Delishaj, dy përfaqësueset e Festivalit të Kulturës Shqiptare në Mantova, pjesë e së cilës është edhe ekspozita. Tejskajshmërisht i mirëmenduar është edhe emërtimi i saj, aq sa “Maledetti albanesi: le aquile sono in volo” nxit kureshtjen dhe luan në mënyrë ironike me mendësinë e një pjese të shoqërisë italiane, se si ata i kanë parë dhe perceptuar shqiptarët gjatë 28 viteve të fundit. Filli ndërlidhës është ai i një ure dialogu midis dy brigjeve të Adriatikut, popujve, kuturave dhe fenomeneve, ku arti bashkëkohor kthehet herë në denoncimin dhe herë në promovimin e së tashmes tonë të përbashkët.

Çfarë rëndësie ose peshe ka kjo ekspozitë si dhe përfaqësimi në Neë York në panoramën e artit shqiptar, sipas mendimit tuaj?

Nisur nga mendimi që të bësh karrierë apo për më tepër të jetosh me art, gjë tepër e vështirë! Unë do të theksoja që të ekspozosh në Muzeun Casa del Mantegna, i cili mbanë gjithashtu edhe emrin e piktorit të madh të Rilindjes italiane Andrea Mantegna, është vërtetë një gurë kilometrik i arritur. Gjithashtu dhe të përzgjedhurit midis artistëve finalistë nga mbarë bota për çmimin e madh Canova Prize 2018 në artin bashkëkohor, mbetet një ndjesi tepër e veçantë, si në vështrimin vetjak, duke u ballafaquar në një mënyrë me gjuhët dhe konceptet e reja të artistëve të ndryshëm, ashtu dhe në atë përfaqësues të një kulture të caktuar, sikurse është arti bashkëkohor shqiptar. Pesha e ekspozitës në Casa del Mantegna kthehet në dritaren e hapur drejtuar Perëndimit, duke shpërfaqur një identitet artistik, një qasje origjinale konceptuale dhe padyshim dëshmon që edhe Shqipëria jonë e vogël arrinë të ketë talente dhe të përcjellë vlera të padiskutueshme përballë kulturave të mëdha perëndimore.

Nga takimet dhe përballjet me publikun në Mantova por edhe në Neë York, si ishin mbresat e tyre?

Inaugurimi i ekspozitës “Maledetti albanesi: le aquile sono in volo”, nxiti jo pak kureshtjen dhe debate në shoqërinë italiane. Ekspozita përbashkon artistë të cilët kanë studiuar në akademitë e arteve italiane, dikur emra të panjohur, por tashmë rikthehen pas një përvoje të gjatë në skenën e artit bashkëkohor si artistë të suksesshëm, ku ekspozimi në një muze të rëndësisë ndërkombëtare si ai i Casa del Mantegna, padyshim ka rritur prestigjin e artistëve dhe si rrjedhojë edhe të artit bashkëkohor shqiptar, duke e kodifikuar atë me origjinalitetin e tij sa të veçantë për nga qasja estetike, aq dhe të thellë në aspektin përmbajtësor. - Ndërsa me pjesëmarrjen time në Canova Prize 2018 në Pop Up Space Gallery në New York, përballja ishte disi ndryshe, sepse nëse në Mantova të Italisë publiku ishte i ndarë në dy kahe, ata që e mbështetën me praninë e tyre dhe një pjesë tjetër që ishin skeptik dhe paragjykues… se si mund të ekspozojnë artistë shqiptar në zemër të Muzeut Shtetëror Casa del Mantegna?! Ndërsa publiku amerikan në New York ishte krejtësisht i veçantë, i etur për të njohur dhe lexuar mesazhet e tri veprave të mia dhe jo vetëm, por të të gjithë artistëve pjesëmarrës.

Një marrëdhënie dashuri-urrejtje e keni quajtur. E solli paqen tuaj shpirtërore kjo ekspozitë për mes veprave tuaja?

Paqja brenda shpirtit të një artisti bashkëkohor nuk është asnjëherë e mjaftueshme, sepse unë jam gjithmonë në kërkim të gjurmës së qenies njerëzore, të antropologjisë dhe fenomenologjisë që ai i krijon dhe po ashtu vetë behet pjesë e tyre pakuptuar! DASHURI-URREJTJE, antonimet e një loje ndjesore, por që brenda tyre pasqyrojnë të vërtetat e reales fizike të mendimit njerëzor. DASHURIA si amshimi suprem për të ndryshuar botën me artin tënd, por ja që jo, sepse kjo ndjesi është vetëm pjesë përbërëse e metafizikës brenda unit të qelqtë të qenies time dhe si e atillë është e pafuqishme për ta ndryshur realitetin përballë […]. Ndërsa URREJTJA merr formë dhe vëllim pikërisht nga pamundësia për t’i qendruar realitetit stoik dhe fuqiplot për ta ndryshuar atë, ndjesi, e cila rezulton një iluzion avullues, sikurse është dhe vetë JETA.

U kuptua “provokimi” artistik me emrin “Maledetti albanesi”?

Mendoj që po, sepse kuratorët nuk kishin kurrësesi orientimin konceptual për të “mallkuar shqiptarët”, por për të zgjuar të rinjtë italian të cilët në dekadën e fundit janë vetkënaqur me çka kanë pa kërkuar të renë dhe realizuar ëndrrat, duke degraduar në dembelizëm dhe iluzione boshe. E kundërta ka ndodhur me shqiptarët, që në vitet e para të ’90 u laguan drejt Italisë për një jetë më të mirë dhe me valixhen ndër duar të mbushur plot ëndrra […]. Por, sot janë italianët ata të cilët zgjedhin Shqipërinë për të konkretizuar ëndrrat e tyre, duke e parë atë si “TOKA e PREMTUAR”. Dhe në vështrimin tim ky është boshti qendror i ekspozitës, nga “SHQIPTARËT E MALLKUAR” në “SHQIPTARËT E BEKUAR”, sepse arritën falë përkushtimit dhe këmbënguljes të kthenin faqen e medaljes së historisë së Evropës bashkëkohore.

Si u realizua bashkëpunimin me dy kuratorët italianë?

Bashkëpunimi me dy kuratorët italian lindi në vazhdën e përgatitjeve për edicionin e dytë të Festivalit të Kulturës  Shqiptare në Mantova të Italisë. Interesi i treguar nga kuratorët për të përfshirë në një ekspozitë të përbashkët artistët si: Artan Shabani, Oltsen Gripshi, Erjon Nazeraj, Eldi Veizaj, Soni Tufina, Alketa Delishaj, Xhimi Hoti dhe Guri Bulollari ishte i madh, sepse falë kërkimit të secilit prej artistëve nëpërmjet  mediumeve të larmishme nga video-art, instalacione, fotografisë artistike, pikturës në kanavacë dhe skulpturës ngjiznin bashkarisht konceptin në embrion të Luigi Marastoni-t dhe Sebastiano Zanetti-t, një bashkëpunim, i cili solli për herë të parë në qendër të vëmendjes artin bashkëkohor shqiptar të fillim shekullit XXI në Muzeun Shtetëror Casa del Mantegna.

A do të ketë përfaqësime të tjera dinjitoze të artit shqiptar, pra keni vizione të reja?

Padyshim që po, shumë shpejt do të jemë pjesë me një inastalacion të përbërë nga 100 piktura në Beijing Contemporary Art Festival të Kinës. Në fillim të vjeshtës do të vij me një ekspozitë vetjake, ku në qendër të saj do të jetë trajtimi i një fenomeni shumë të mprehtë, sikurse është incesti.

*Oltsen Gripshi,  Antipod Iversi, video-art, Canova Prize 2018

*Oltsen Gripshi, Kurban,Canova Prize 2018

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: