Nuk duhet të kemi frikë nga kanceri i gjirit! Mund ta kurojmë atë!

Nuk duhet të kemi frikë nga kanceri i gjirit! Mund ta kurojmë atë!
Një femër nuk duhet të ketë frikë të përballet me këtë sëmundje, sidomos nëse është në fazat fillestare, sepse ka shumë mundësi të vazhdojë jetën normale, duke u ndjekur nga mjeku. Femrat nuk duhet të stepen për t’u konsultuar me mjekun dhe të shkojnë tek ai në grada të avancuara të sëmundjes. Prof. Ass. Helidon Nina, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në Spitalin Onkologjik në QSUT, tregon se cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje dhe si duhet të trajtohet ajo

Sonila Isaku

Kanceri i gjirit është tumor malinj i përbërë nga qeliza onkologjike-neoplazike, të cilat kanë tendencën për t’u shumuar në mënyrë të pakontrolluar lokalisht dhe në distancë. Duhet patur shumë kujdes që në diagnostikimin e parë, për të parë drejtimin e tyre. Tumori malinj i gjirit është ndër tumorët më të studiuar dhe më të trajtuar. Gjiri është organ që ndryshon gjatë gjithë jetës së femrës, duke qenë në ndikim të drejtpërdrejtë nga hormonet. Një femër nuk duhet të ketë frikë të përballet me këtë sëmundje, sidomos nëse është në fazat fillestare, pasi ka shumë mundësi të vazhdojë jetën normale, duke u ndjekur nga mjeku. Femrat nuk duhet të stepen për t’u konsultuar me mjekun dhe të shkojnë tek ai në gradë të avancuar të sëmundjes. Tumori malinj i gjirit është ndër patologjitë kryesore që trajtohen në Spitalin Onkologjik në QSUT.

Faktorët e sëmundjes

Gjatë viteve të fundit, është parë një trend rritës i pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje, me rreth 550 raste të reja në vit. Statistikat nuk janë të sakta, pasi pacientët nuk vijnë vetëm në spitalin tonë për trajtim, por kurohen edhe në klinika private apo jashtë vendit. Gjithashtu, gjatë viteve të fundit, vihet re tendenca në rritje e moshave të reja të diagnostikuara me tumor malinj të gjirit, për shembull, femra të moshës 22 vjeç. Një nga shkaktarët e kësaj sëmundjeje është ndryshimi i stilit të jetesës. Sot jemi më të ekspozuar ndaj rrezatimeve, ndotjes. Gjithashtu, femrat lindin fëmijë në mosha më të mëdha; mund të kenë ndryshime në ciklin menstrual, pra shfaqje të vonshme të tij; ka ndryshim të ushqimeve që konsumojmë etj. Njerëzit sot, bëjnë një jetë më tepër sedentare, me pak aktivitet fizik. Është rritur konsumimi i alkoolit dhe duhanit. Të gjithë këta janë faktorë që ndikojnë në mënyrë indirekte në shfaqjen e tumorit malinj të gjirit. Ka dhe faktorë të tjerë, siç është të qenit femër, pasi tumori malinj i gjirit kap kryesisht femrat, një përqindje shumë e ulët janë meshkuj, rreth 2% e rasteve. Faktor të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, janë; një shtatzëni e vonshme, marrja e kontraceptivëve oral. Vlerë të veçantë në faktorët që ndikojnë shfaqjen e kësaj sëmundjeje, është edhe trashëgimia. Të gjitha qendrat mjekësore duhet të kenë gjenetistët e tyre, që të bëjnë analizë të rasteve kur një femër ka një histori familjare të tumorit malinj të gjirit, pra duhet parë nëse është nevoja për bërjen e testeve gjenetike, BRCA1 dhe BRCA2. Nëse këto teste dalin pozitivë, kjo femër ka një risk të lartë që, gjatë jetës së vet, të zhvillojë një tumor malinj gjiri. Aktualisht, në vendin tonë bëhen konsultat me mjekët gjenetist, për zhvillimin e testeve, të cilat bëhen jashtë. Testet gjenetike janë të nevojshme, por nuk duhet të abuzohet me to. Ato duhen patjetër të rekomandohen nga mjeku specialist gjenetist.

Aktualisht, ka shumë njerëz që bëjnë markuesët tumoralë, duke mos pasur probleme, konkretisht në rastin tonë Ca15-3 që është markuesi për tumorin malinj të gjirit. Rezultati i këtyre markuesëve nuk është i barasvlershëm me mundësinë e shfaqjes së tumorit malinj të gjirit. Markuesi mund të dalë negative dhe përsëri mund të shfaqet apo të jetë shfaqur tumori malinj i gjirit. Markuesit tumoralë nevojiten në stadin e parë të diagnostikimit dhe, më pas, gjatë fazës që pacienti është nën kontroll, për të mos u shfaqur sërish sëmundja (pra metastazat), pasi tumoret malinjë të gjirit mund të përhapen në distancë në mëlçi, mushkëri, kocka e deri në tru.

Parandalimi

Një femër që është në moshën 20 vjeç, duhet të fillojë kryerjen e një konsulte dhe eko gjiri te mjeku specialist. Nga 20-35 vjeç mund të jetë e nevojshme edhe kryerja e një ekoje vjetore në gji. Nëse ky gji nuk shfaq problem, mund të realizohet eko edhe një herë në dy vjet. Kontakti i parë me mjekun, nuk është i rëndësishëm vetëm për të bërë ekon, por edhe për të marrë një anamnezë pacienti, pra informacion rreth pacientit, historive të mundshme familjare, për të vlerësuar mundësinë e bërjes së testeve gjenetike apo mamografisë, për pacientë që kanë histori familjare me tumor malinj të gjirit dhe që janë nën moshën 35 vjeç. Për pjesën tjetër të popullatës që nuk kanë histori familjare, mamografia mund të fillojë të kryhet nga mosha 39-40 vjeç. Tek një femër e shëndetshme, eko dhe mamografi janë ekzaminime që bëhen në mënyrë periodike. Tek një femër nga 40-50 mamografia mund të bëhet çdo 1 vit e gjysmë apo 2 vjet, e shoqëruar me eko të ndërmjetme. Mbi moshën 50 vjeç kontrollet duhet të jenë vjetore, pasi kjo periudhë është piku i shfaqjes së kësaj patologjie dhe duhet treguar shumë kujdes.

Vetëkontrolli

Vetëkontrolli i gjirit bëhet një herë në muaj, gjatë ditëve 2-6 pas mbarimit të ciklit menstrual, me lëvizje rrotulluese të dorës nga qendra për në periferi të gjirit, për të parë nëse ndihet prania e ndonjë forme në brendësi të gjirit. Lëvizja tjetër është ngritja e krahëve lart dhe shikohet nëse ka ndonjë tërheqje të lëkurës, gjatë ndryshimit të pozicionit të duarve. Mund të kontrollohet pjesa e nënsqetullës, nëse preket ndonjë kokërr, apo të shikohet thithi nëse nxjerr ndonjë likid (sekrecion, pavarësisht ngjyrës së tij), gjatë kohës që e prekim. Mund të përjetohet edhe dhimbje, por jo detyrimisht. Vetëkontrolli i gjirit është i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, pra duhet të shoqërohet patjetër edhe me vizitë te mjeku specialist.

Rrugëtimi i pacientit me tumor malinj të gjirit

Si fillim, merret informacion nga pacienti, rreth historive të mundshme familjare, ecurisë së ciklit menstrual, marrjes apo jo të kontraceptivëve, lindjeve, aborteve dhe laktacionit. Të gjitha këto, japin informacion rreth problemit që mund të ketë pacienti.  Pas vizitës klinike vazhdohet me vizitat diagnostike-imazherike. Ekzaminimi i parë është ekoja e gjirit, kryesisht për moshat para 35 vjeç apo 40 vjeç, nëse nuk ka pasur histori familjare dhe më pas vazhdohet me mamografinë. Si ekoja e gjirit ashtu edhe mamografia, janë komplementare për të diagnostikuar një tumor malinj të gjirit. Përveç këtyre, kemi edhe ekzaminime të tjera shtesë, si Elastografia e cila është një eko më e avancuar, ku sonda ka sensorë për të lokalizuar vaskularizimin e zonës apo ngurtësimin, dhe për të përcaktuar nëse jemi brenda parametrave normalë apo jo.

Përveç Elastografisë është edhe rezonanca magnetike e gjirit (MRI), e cila aplikohet kryesisht tek personat në gjirin e të cilëve dominon indi granular dhe mamografia nuk është shumë sensitive ndaj tij, - pra, nevojitet realizimi i rezonancës. Gjithashtu, rezonanca përdoret edhe në rastet e pacientëve që kanë bërë kirurgji të mëparshme të gjirit, duke dhënë më shumë informacion. Me realizimin e pjesës imazherike, pacienti kthehet te mjeku kirurg që e ndjek, i cili quhet mastolog apo enolog i cili, sipas informacioneve imazherike, vendos për vazhdimësinë e pacientit. Në vazhdim mund të bëhet citologjia nën eko, marrje e materialit me procedurë jokirurgjikale që realizohet në kabinetin e imazherisë, nëpërmjet marrjes së qelizave me një age të vogël ose me age pistolet, e cila nuk merr qeliza, por merr inde. Citologjia është shumë e nevojshme për të bërë një diagnozë, përpara sesa të bëhet një trajtim i mëtejshëm i pacientit.

Analizat

Së bashku me këto të dhëna, kemi dhe informacionin mbi markuesit tumoralë dhe stadifikimin e pacientit; pra, plotësohet informacioni me eko aksilare (e cila është bërë që në fillim) eko qafe, barku, grafi mushkërish. Në rastet kur markuesit tumoralë Ca15-3 dhe CEA dalin të lartë, mund të jetë e nevojshme edhe bërja e shintigrafisë kockore apo skaner i të gjithë trupit. Me marrjen e gjithë këtij informacioni, stafi kirurgjikal vlerëson rastin dhe nëse ai ka ndonjë veçori, shfaqet si rast para një stafi më të përgjithshëm, ku vendimmarrja duhet të jetë multidisiplinare. Kjo do të thotë që në praninë e këtij stafi, është i nevojshëm jo vetëm kirurgu, por edhe imazheristi, kimioterapeuti, radioterapeuti, infermieri, psikologu. Stafi multidisiplinar i ka të gjithë aktorët e nevojshëm. Ky staf i bashkohet kirurgjisë ku, në varësi të përmasave të tumorit, mund të kryhet kirurgji radikale (heqje totale e gjirit) ose kirurgji konservative (heqje vetëm e masës tumorale). Pas mbarimit të kirurgjisë dhe realizimit të biopsisë definitive, përcaktohet saktësisht informacioni rreth tipit, gradës së tumorit, sasisë së limfonodujve të prekur, indeksit të shumimit të qelizave tumorale malinje etj. Pasi kemi marrë të gjithë këtë informacion, organizohet sërish stafi multidisiplinar dhe vendoset mjekimi që do të ndjekë ky pacient: me kimioterapi, radioterapi të cilat mund të realizohen të dyja në të njëjtin moment, në momente të ndryshme, apo mund të jetë nevoja vetëm për realizimin e njërës, në varësi të rastit.

Aktualisht, vlen të përmendet akseleratori linear (radioterapi), me të cilin është rritur mundësia për të realizuar më shumë kirurgji konservative, në mënyrë që një femër mos të humbasë të gjithë gjirin e saj, kjo pasi të gjithë kirurgjitë konservative duhet të shoqërohen me radioterapia. Është parë edhe një rritje e citostatikëve, me bërjen e kimioterapisë ditore në repartin e saj dhe që futet në trajtimet bashkëkohore. Pra, aktualisht, në Spitalin Onkologjik ka pasur një hov cilësor në trajtimin e e pacientëve, me sa u përmend më sipër.

Ndjekja dhe këshilla, pas kirurgjisë

Pas këtij trajtimi fillestar të pacientit, ku kalohet faza e diagnostikimit, kirurgjisë dhe procedura e mjekimit, pacienti rikthehet te mjeku për t’u ndjekur në vazhdim dhe që është çdo 3-4 muaj për dy vitet e para; çdo 6 muaj për vitin e tretë dhe të katërt dhe një herë në vit për vitin e pestë. Të gjithë pacientët që janë në fazën e kurimit, duhet të vazhdojnë një jetë normale, sa më aktive, si të gjithë njerëzit e tjerë. Duhet patur kujdes që, nëse kirurgjia ka qenë aksilare, pra janë hequr gjëndrat limfatike, pacienti duhet të kryej ushtrime për krahun përkatës dhe të shmangë ngritjen e peshave si dhe punët sforcuese. Ushqimi duhet të jetë sa më i shëndetshëm, për t’i shërbyer të gjithë organizimit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: