Ngjarjet e ’90-tës, sambistët “rojet” e fundit të një sistemi që po jepte shpirt

Ngjarjet e ’90-tës, sambistët “rojet” e fundit të një sistemi që po jepte shpirt
INTERVISTA/ Flet eksperti i trupave speciale, Hil Lushaku: Situata alarmante në rend dhe siguri, po e kapitullonte policinë, ndërsa i pathyeshëm vazhdonte që të qëndronte vetëm reparti nr.326, i trupave speciale, të të ashtuquajturve “sambistë”

Ata mund të cilësohen fare mirë si “rojet” e fundit të sistemit komunist që po binte. Të ashtuquajturit “sambistë”, ishin pikërisht ata që deri në grahmat e tij të fundit, u përpoqën të ruajnë qetësinë dhe sigurinë publike të vendit. Kjo është situata që përcjell në rrëfimin e tij të radhës për “Albanian Free Press”, eksperti i trupave speciale, Hil Lushaku, lidhur me ngjarjet e vitit ’90. Duke dhënë detaje konkrete, sesi reparti i këtyre trupave u angazhua që nga situata e rënduar e krijuar nga heqja e bustit të Stalinit, ajo e “arratisjes” së shkrimtarit Ismail Kadare dhe deri tek demonstratat e Qytetit Studenti…

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 (vijon nga numri i kaluar)

Ngjarjet e 2 korrikut 1990

Në historikun e repartit 326 nuk mund të mos shkruhet për shërbimin e 2 korrikut 1990, rast ky në të cilin ai u përball me një fenomen të paprovuar më parë aq masivisht, ngjarje tashmë kjo e njohur dhe komentuar gjerë e gjatë si dita e shembjes së “Murit të Berlinit” në Shqipëri. Sepse u konsiderua si “dita kur u hap porta e lirisë së lëvizjes së shqiptarëve drejt dyerve të botës mbarë”. Nuk është vendi këtu për përshkrime, por shënoj se aty u plagos sambisti Hysen Rama (u sulmua nga një punonjës i ambasadës gjermane, i cili i rrëmbeu edhe pistoletën), u goditën me mjete të forta Astrit Martiri, Sulejman Rama, Robert Shamo, Edmond Targaj, Përparim Anelli. Zhvillimet në vend, pas ngjarjeve të 2 korrikut 1990, ndikuan në qëndrimin në gatishmëri të efektivit të repartit, madje me kohë të gjatë, të pandërprerë. Drejtuesit e lartë të shtetit komunist grumbullonin informacione të përditshme për zhvillime “të nëndheshme” kundër regjimit dhe ndërkohë punonin vrullshëm e me metoda të ndryshme për shtypjen e tyre. Tetori, edhe pse u festua me pompozitet ditëlindja e Enver Hoxhës dhe për fasadë politike u zhvilluan shumë veprimtari të karakterit festiv e politik, sikur u zbeh nga njoftimet e shtypit të huaj se shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, i ndodhur në Francë për një periudhë një mujore, ka kërkuar strehim politik. Gazeta “Zëri i Popullit”, duke iu referuar këtyre lajmeve sensacionale shkroi pak rreshta me titullin: “Ismail Kadare dezerton” dhe në njoftim akuzoi se: “...braktisi popullin dhe Atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të kombit shqiptar”. Drejtuesit e lartë të MPB ruanin me zor qetësinë e shtirur, ndërsa reparti special nr.326 kishte kaluar në gatishmëri të plotë në repart, dhe si për ironi ndonjë kalemxhi shkruante: “Ruajtja e rendit nuk është detyrë vetëm e policit”, duke varakosur një gjendje rendi provinciale në Këlcyrë e Përmet dhe evidentuar rolin e madh të anëtarëve të grupeve të bashkëpunimit vullnetar në zbulimin e autorëve të krimeve si dhe fuqinë popullore në sigurimin e informacioneve e parandalimin e kriminalitetit. Gatishmëria e lartë e muajit nëntor u “përligj” me festimet e panumërta të nëntorit. Ndërsa po në vitin 1990 janë liruar e transferuar nga reparti 30 sambistë, rezultat ky i zhvillimeve të ashpra të  situatës së rendit në vend dhe pamundësisë së qëndrimit të tyre në trysninë e kësaj situate. Zhvillimet e vitit 1990 ndikuan në lëvizjet e shumta të personelit, për largimin apo rekrutimin e kandidatëve të testuar dhe ripranimin e disa sambistëve të larguar më herët për shkaqe të ndryshme. Ndërsa komanda e repartit 326 përcillte informata për gjendjen e gatishmërisë e punonte për kompletimin e organikës, udhëheqja e lartë e shtetit komunist po merrte masa për shtimin numerik të forcave të policisë, duke kaluar në varësi të Ministrisë së Brendshme të gjithë repartet ushtarake të Mbrojtjes Territoriale, të cilat kishin pak kohë që ishin organizuar. Në çështjet e situatës së brendshme politike, “dezertimi” i Kadaresë u “kompensua” me  mbërritjen për një vizitë në Tiranë e bamirëses së njohur Nënë Tereza139, e cila u prit në aeroportin e Rinasit nga kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ciril Pistoli dhe në ditën në vijim pati takim me të venë e Enver Hoxhës, Nexhmijen, gjë që e pasqyroi edhe shtypi i kohës. Dhjetori erdhi politikisht i zjarrtë por akull i ftohtë, si stina e dimrit, për policinë e “zhveshur” nga pajisjet mbrojtëse, në një situatë drithëruese për të ardhmen e paqartë të gjendjes së rendit. Thashethemet për rrëzimin e shpejtë të regjimit përhapeshin si zjarri në eshkë, ndërsa shpresa për rikthimin e besimit fetar, për lejimin e pronës private e shumë ndryshime të tjera tashmë nuk dukeshin ëndrra me sy hapur. Fija e nyjes ishte gjetur në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku “mund të kapej lehtësisht qypi për verigash”, mbasi mungesa e dritave, kushtet e këqija të jetesës e shumë çështje të tjera që lidheshin me dëshirat e të rinjve për një jetë më të lumtur ishin pika të ndjeshme. Aty shkëndijoi kundërshtimi, ndonëse fillimisht embrional. Edhe qeveria shqiptare nuk mund ta injoronte faktin se kishte lëvizje në universitet, por e kanalizoi këtë si problem për kushtet e jetesës.

“Veprime vandaliste në qytetin e Shkodrës”

Ende pa u njoftuar çfarë ndodhi në Kavajë, vandalizmi zaptoi Shkodrën e kulturës. “Veprime vandaliste në qytetin e Shkodrës”, u detyrua të publikojë “Zëri i Popullit”, i cili bëri me dije se “një grup rrugaçësh kryen akte të rënda dhune e shkatërrimi”, “sulmuan e goditën me gurë godinat e Komitetit të Partisë  të Komitetit Ekzekutiv dhe u futën e bënë vandalizma në stacionin e Radio Shkodrës”. Në të gjitha këto ngjarje, aktivizimi në shërbim i repartit 326 ka qenë me kompletim të plotë në të gjitha rrethet dhe padyshim, Tirana ishte epiqendra, ku filluan kontrollet masive për persona të dyshuar e të armatosur.

Viti 1991, vendi e roli i repartit 326

Sa ngjau në 6-mujorin e dytë, e në veçanti në dhjetorin e vitit 1990, vuri në provë të vështirë jo vetëm qeverinë, por edhe repartin special të policisë, nr.326. Nga analizat e zhvilluara u vlerësua se duhen ndërmarrë masa urgjente për fuqizimin e repartit, ndër të cilat u vlerësua parësore kompletimi organik me policë sambistë, mbasi kishte filluar tkurrja e tyre e largimi jashtë shtetit. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti u pranuan 173 policë sambistë me rrogë. Edhe më pas, me vendim të posaçëm, reparti u fuqizua me sambistë e oficerë të rinj, teksa propaganda mediatike, në përkrahje të Ramiz Alisë e PPSH-së, nuk kishte të reshtur. “Jemi me ty sa të jetë jeta” ishte titulli i një teleteksi që përcolli Halil Buçpapaj nga Bajram Curri, duke i bërë jehonë një veprimi antidemokratik të një personi, i cili ndërsa zhvillohej mitingu i PD-së, më 10 janar 1991, mori mikrofonin në tribunë dhe brohoriti: “Rroftë Partia e Punës”, “Rroftë shoku Ramiz Alia”, veprim që gjeti përkrahjen e madhe të shumë qytetarëve tropojanë, të cilët organizuan një antimiting të madh spontan. Siç rezultoi më pas veprimi i tropojanit duket se ishte një kundërpërgjigje për antimitingjet që kishin filluar edhe nga pala tjetër, PD, në disa rrethe të vendit, sidomos në Shkodër, Laç, Tiranë, Kavajë, Krujë etj. Por mbajtjen e rendit publik nuk po e favorizonte as gjendja e mjeruar ekonomike, e cila ishte “benzinë” në grykën e flakës, që kishte ndezur lëvizja antikomuniste në vend. Më 15 janar 1991 u zhvillua një mbledhje e posaçme e Këshillit të Ministrave për gjendjen e rëndë në ekonomi, duke shqyrtuar kryesisht gjendjen e krijuar në minierën e Valiasit nga lëvizja greviste e ndërprerja e punës dhe aty u miratuan disa masa, sikurse ishin shtesa e pagës mbi 30-50% sipas shkallës së vështirësisë së punës në miniera; rritja e fondit të pagave; vijimi i dialogut; bashkëpunim më të madh me grevistët punëtorë; thirrje subjekteve politike për qetësimin e gjendjes e vlerësimin e interesave kombëtare etj. Edhe pse vendi ishte në mjerim ekonomik e gjendja e rendit po rrëshqiste drejt kriminalitetit ekstrem, grupe të caktuara organizonin e kryenin akte skandaloze që shqetësonin popullin fukara e ndërkohë lodhnin deri në rraskapitje shërbimet e policisë. Dhe në kushtet e situatës së agravuar të rendit, ku ligjin e bënin vagabondë, rrugaçë, keqbërës e fukarenj të pikëlluar, drejtuesit e lartë të MPB, të gjendur me “litarin në fyt” kërkonin rrugëdalje, duke shpresuar në potencën e repartit 326, ndaj kërkonin informacion për gjendjen e pajisjeve speciale që do të nevojiteshin në  ndërhyrjet e pritshme. Prandaj reparti u furnizua me armatimet e pajisjet speciale të mëposhtme: 1) Pushkë gjermane me dylbi-6 copë, me 29000 fishekë; 2) Pushkë franceze me dylbi-2 copë, me 2963 fishekë; 3) Pushkë kineze me dylbi-3 copë, me 5000 fishekë; 4) Shotgan-3  copë; 5) Pistoleta vetëmbrojtore GC 27-4 copë; 6) Revole “Brauning”-3  copë, me 600 fishekë; 7) Revole “Smith”-1 copë, me 360 fishekë; 8) Granata “Sturn”-80 copë; 9) Granata me gaz “CS”-2 copë; 10) Granata me gaz “CN”-60 copë; 11) Veshje antiplumb me kokore antiplumb-69 copë; 12) Kanatjere antiplumb -2 copë; 13) Skafandra me mburoja plastike-250  copë; 14) Thika pistoletë-100  copë; 15) Bllokues për rrugë-2 copë. Dhe pasi konfirmohet siguria e plotë e veshjeve antiplumb, efikasiteti i përdorimit në stërvitje të granatave “sturn” e atyre me gaz “CS” e “CN”, komanda paraqet kërkesë për furnizimin me shkopinj gome, për  përdorimin në përballjen me turmat (shkopi i gjatë 90 cm).

 

 

SITUATA

Viti 1991, shërbimi sambist u vështirësua së tepërmi

Në vitin 1991 janë vështirësuar shumë shërbimet në mbajtjen dhe rivendosjen e rendit publik, por janë shtuar edhe shërbimet për kapjen e personave të rrezikshëm. Janari shënoi kulmin e kurbës së qëndrimit në gatishmëri. Kudo kanë nisur lëvizjet greviste, sidomos ato të minatorëve që solidarizohen me njëri-tjetrin, ndër të cilët Valiasi mban peshën kryesore. Miratimi i një dekreti presidencial për ruajtjen e mbrojtjen e  onumenteve e shtoi më shumë punën e sambistëve, sidomos në mbështetje të shërbimeve të policisë në Tiranë, mbasi aty kishte shumë objekte e monumente edhe të Enver Hoxhës. Krahas kësaj, u luajt bukur edhe me organizimet masive në rrethe, duke provokuar hapur shërbimet e policisë dhe për më tepër në ushtrimin e trysnisë në porte, me pretekste për t’u larguar dhe përballje në vijim me shërbimet aty. Gjithsesi, situata alarmante në rend e siguri po e kapitullonte Policinë, ku qëndronte i pathyeshëm vetëm reparti nr. 326, ndërsa PPSH ende vijonte me skenarët e “solidaritetit”, duke propaganduar përkrahjen e popullit rreth saj e presidentit Ramiz Alia. Realisht, duhet pranuar se muaji shkurt 1991 ishte shumë trishtues edhe për specialët. Ndërkaq, drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke qenë vigjilentë dhe nuhatës në zhvillimet që po evoluonin vrullshëm, kishin siguruar nga burime të besueshme e të sigurta se opozita, edhe pse ishte e re në moshë, kishte programuar lodhjen e rraskapitjen e shërbimeve të Policisë, madje po përgatiste skenarë provokues për t’i gjetur “verigë” qypit të protestave antiqeveritare.

 

INCIDENTI

Heqja e bustit të Stalinit, si u ruajt situata e krijuar?

 “E kryqëzuar” nga lëvizjet asfiksuese të demonstratave dhe gjendja katastrofike ekonomike në vend, si edhe pamundësia për t’u përballuar me demonstruesit pa gjakderdhje, qeveria u detyrua të plotësojë kërkesat e tyre për heqjen e bustit të Stalinit. Në darkën e 21 dhjetorit 1990, me VKM u vendos të hiqet emri “Josif V. Stalin” dhe simbolet nga ndërmarrjet, objektet dhe institucionet e ndryshme. Të nesërmen e publikimit të këtij vendimi u zhvillua një miting i madh nga Partia Demokratike në Qytetin “Studenti”. Ndërkohë në Shkodër, disa ditë më parë, sambistët kishin kryer shërbime për arrestimin e disa personave që ishin më agresivët në rrëzimin e bustit të Stalinit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: