NGËRÇ APO KRIZË POLITIKE? – OPINION NGA ROLAND QAFOKU

Publicitet
Publicitet
NGËRÇ APO KRIZË POLITIKE? – OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Që nga janari, Shqipëria ndodhet në një situatë që të detyron të shtrosh një pyetje të madhe: A jemi në ngërç, apo në krizë politike? Janë një sërë faktorësh në fakt, që e kanë çuar situatën deri këtu dhe sado që optimistët të shprehen se në rastin më të keq jemi në ngërç dhe pesimistët të thonë se jemi në krizë politike, më e rëndësishme nga të gjitha është se duhet një zgjidhje. As Qeveria nuk mund të bëjë sikur jeta vazhdon dhe as opozita nuk mund të mbajë pa fund vendin në një gjendje alerti, ndërsa Shqipëria vazhdon prej 28 vjetësh t’i ngjajë trupit që nuk i ikin ethet.

Vendi ka gjashtë muaj që është përfshirë nga protestat. Ato kanë qenë politike, por jo vetëm. Edhe pse një pjesë kanë qenë rakitike dhe pa një thelb të qartë synimi, në njëfarë mënyre, këto protesta e kanë trazuar jo pak këtë vend. Opozita ka zhvilluar dy protesta të mëdha në Tiranë në këtë interval kohe dhe me apo pjesëmarrje të gjerë të mbështetësve, e rëndësishme për të është që ka një frymë kundërshtuese dhe të papajtueshme ndaj pushtetit. Tashmë nga një “casus”, opozita e ka kthyer në “cause” video-përgjimin që ajo pretendon për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Por Shqipëria po kalon jo vetëm në protesta politike, po edhe të grupeve të ndryshme të interesit. Gjatë kësaj kohe kanë protestuar qindra banorë të Kukësit, që duke u përleshur me policinë dhe duke shkatërruar barrierat, detyruan kryeministrin Edi Rama të tërhiqej nga vendimi për të vënë taksë në Rrugën e Kombit.

Kanë protestuar aktorët e Teatrit Kombëtar për të penguar prishjen e godinës dhe për të mos lejuar ndërtimin e një kulle.

Kanë protestuar minatorët për pensionet.

Kanë protestuar naftëtarët e ARMO-s, që do të mbahen mend gjatë për marshimin në këmbë të tyre epik nga Fieri në Tiranë.

Kanë protestuar studentët për reformën në arsim.

Kanë protestuar pedagogët që “një ditë të bukur” mbetën pa rroga dhe kjo nuk kishte ndodhur as në vitin 1997.

Kanë protestuar përfaqësues të shoqërisë civile për inceneratorët për një mjedis të pastër.

Mund të vazhdojmë edhe me protesta në grupe shumë të vogla, që për hir të vërtetës përbëjnë problem të mëdha, si varfëria dhe cilësia e jetës.

Dhe nëse i shtojmë këtyre se çdo të enjte Parlamenti përfshihet nga protestat e grupit parlamentar të opozitës vendi nuk ndodhet në një situatë relaksi. Ka një konflikt ekstrem politik dhe kjo situatë kërkon zgjidhje.

Nuk duhet harruar që në këtë situatë politike ka edhe një situatë tjetër edhe më të rëndë dhe që lidhet me sistemin e drejtësisë. Me një Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë që nuk funksionojnë dhe me një reformë në drejtësi që po ecën me ritmet e breshkës, sistemi aktual i drejtësisë ka rënë dhe vendi është në prag të kolapsit të thellë juridik. Është një situatë absurde që nuk ka ndodhur në asnjë rrethanë tjetër në historinë e shtetit shqiptar dhe më e rëndë se kaq është se mazhorancës duket se po i pëlqen të jetë kështu. Tërheqja zvarrë tashmë duket se është kthyer në qëllim sepse asnjë shpjegim tjetër nuk ka që pas dy vitesh nga miratimi me 140 vota të reformës, ne jemi në një situatë që jo vetëm nuk kemi ngritur institucionet e reja, por nuk po funksionojnë as të vjetrat.

Por duket se pika e vlimit do të jetë 28 qershori kur pritet vendimi që BE do të japë nëse do të hapen ose jo negociatat për Shqipërinë. Është moment historik për Shqipërinë gati – gati duket sikur do të ndajë dy epoka.

Nëse vendimi do jetë pozitiv për ne, padyshim që do jetë një valvul e fortë shkarkimi. Nëse do jetë vendim negativ, doemos Shqipëria mund të jetë në prag të një krize politike. Opozita do të ketë moralin që ta akuzojë qeverinë përgjegjëse për mos-hapjen e negociatave dhe parashikohet që konflikti politik të përshkallëzohet.

Nga ana tjetër Qeveria duket sikur nuk ka më armë për t’iu kundërvënë opozitës edhe makina e propagandës nuk pritet të pijë më ujë.

Dhe në një krizë politike, zgjidhja mes dy palëve do të ishte imediate. Natyrisht jo si ajo e 17 majit të viti 2017 kur të vetëm, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD Lulzim Basha u mbyllën për tre orë në një dhomë me kondicioner dhe ne ende nuk dimë se ç’kanë folur dhe dakordësuar.

Në një marrëveshje të re duhet një zgjidhje me maturi mes të dy palëve dhe mbi të gjitha ajo të jetë transparente. Sepse marrëveshja e vitit të kaluar jo vetëm nuk e zgjidhi krizën mes PD dhe PS, por polli një krizë të re në formë dhe të vjetër në përmbajtje, ajo krizë që ka 28 vjet që ekziston mes politikanëve në Shqipëri: Kriza e mosbesimit.

Është një krizë që na ndjek rregullisht ku liderët nuk i besojnë njëri-tjetrit, partitë nuk i besojnë njëra-tjetrës, mazhoranca nuk i beson opozitës, dhe opozita nuk i beson mazhorancës. Një krizë e shtrirë dhe në shoqërinë tonë. Individët nuk i besojnë njëri-tjetrit. Dhe nuk i besojnë as qeverisë, dhe as opozitës. Një krizë besimi që ka sjellë një gjë edhe më të rëndë, mungesën e shpresës.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

 Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: