NGA SAMITET E BE, TE KAFENETË NË TIRANË - OPINION NGA PLATOR NESTURI

NGA SAMITET E BE, TE KAFENETË NË TIRANË - OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

U bënë muaj që jemi shumë më të vëmendshëm se çfarë bëhet e thuhet në mbledhjet e BE-së. Që nga deklarimet e deputetëve të vendeve të caktuara e deri në samite të gjera, ku mblidhen të mëdhenjtë e Europës - kjo pse diskutohet dhe për çështjen e zgjerimit.  Nga Sofje e deri në samitin e Luksemburgut, kryetarë shtetesh ose ministra të jashtëm, kanë vendosur piketa të reja në kushtet me të cilat ballafaqohet bota e sotme. Natyrisht që, ne na intereson pjesa që do të diskutohet mbi çështjet e zgjerimit të BE-së, pasi kështu do të përcaktohet dhe vendimi i ardhshëm për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Unionin Europian. Është kjo dhe arsyeja që Rama, por dhe Basha, ministri i jashtëm Bushati, por dhe kreu i Parlamentit, kanë udhëtuar shpesh në kryeqytetet europiane për të influencuar për vendimin pozitiv për Shqipërinë që, së bashku me Maqedoninë, ka patur ende një mur skepticizmi nga vende të ndryshme për të ecur më tej.

Sidoqoftë, Europa e sotme po përballet me kriza të tjera, të cilat duket se do t’i marrin më shumë energji dhe vëmendje. Lëvizjet para vendimit të Tuskut, si dhe të drejtuesve të tjerë të BE-së, e kishin fokusuar vëmendjen më të madhe në krijimin e një kohezioni midis vendeve europiane, jo vetëm për çështjet kryesore të jashtme e rreziqet mbi to, duke nisur që nga Lindja e Mesme, Rusia dhe deri te Kina. Pasi problemi i ri me të cilën përballet BE-ja sot, është dhe mbrojtja e interesave të ekonomisë europiane pas taksave të reja të SHBA-së mbi importet e çelikut dhe aluminit, por që nuk përmbyllet me kaq. Dihen së fundi fërkimet e liderëve të BE-së me presidentin Tramp, gjë që u pa dhe gjatë takimit G8, duke kritikuar tërheqjen e tij nga marrëveshja e armëve bërthamore me Iranin, si dhe politikat mbi Lindjen e Mesme. Në këtë aspekt, vëmendja më e madhe e samiteve të nivelit të lartë që janë mbledhur së fundmi, janë fokusuar më së tepërmi jo te çështjet e zgjerimit të BE-së, por qëndrimet që do të përcillen mbi çështje të sigurisë globale. Jo pa rëndësi, do të jenë dhe qëndrimet e vendeve të veçanta, të cilat vetë Brukseli i ka anatemuar se kanë rrëshqitur drejt politikave populiste. Dhe nëse si shabllon për këtë çështje ishte deri më tani Hungaria me kryeministrin Urban, tashmë në skenë ka dalë dhe një shtet tjetër i rëndësishëm si Italia, i cili drejtohet nga dy forca populiste, si 5 Yjet dhe Lega, që janë shprehur tepër kritike në raport me politikat që ndjek Brukseli.

Në këtë klimë antagonizmi dhe ku vetë vende të veçanta do të duhet të vendosin në balanca të reja raportet - si me Brukselin dhe me aleatin e madh SHBA - shqetësimi ynë për hapjen e negociatave duket shumë shumë i parëndësishëm për ta, kur hallet i kanë gjetkë. Sidoqoftë, për ne është shumë, pasi ikja e këtij treni do e vononte jo vetëm procesin, por dhe shpresat se nën një tutelë më te drejtpërdrejtë të Brukselit, reformat dhe proceset e demokratizimit do të ishin më të efektshme.

Rekomandimi i Komisionit Europian ishte pozitiv dhe ky ishte një sukses. Por gjithsesi, mesazhet nga kancelaritë në kryeqytete të ndryshme kanë shprehur hezitim. Vizitat e kryeministrit Rama në Berlin dhe Paris, nuk e davaritën hijen e dyshimit se çfarë do të arrihej si përfundim. Ndërkohë, vetë situata politike në Shqipëri, duket sikur kërkon të ilustrojë këtë mosbesim. Në asnjë rast nuk ka patur një përpjekje serioze të unifikimit të qëndrimeve të palëve politike në shërbim të procesit të integrimit. Përkundrazi, secila palë ka akuzuar tjetrën se po bëhet pengesë dhe se fatura në rast se nuk e kalojmë provimin e hapjes së negociatave, do të jetë e krahut tjetër. Për të ardhur keq, pasi në fakt faturën do ta paguajnë qytetarët shqiptarë dhe jo politika.

Gjithsesi, ajo çka vlen nuk është vetëm ajo çfarë duhet t’u tregojmë ndërkombëtarëve, por fakti që ta bëjmë demokracinë funksionale dhe institucionet të besueshme e që operojnë në emër të ligjit. Tashmë, vendimi i marrë për të pranuar hapjen e negociatave që pritet të fillojnë gjatë vitit të ardhshëm, është funksional dhe mbetet veç të përgatisim veten deri në atë datë. A duhet të mbetemi duke mbushur ditën në diskutime kafenesh, se çfarë kemi arritur apo duhet të mos humbasim kohë për t’u futur me start të lartë në kohën e duhur? Koha është për të theksuar vijimësinë e reformave dhe të demokracisë funksionale, çka jo thjesht do na bëjë të besueshëm te partnerët, por dhe do ta bëjë më të mirë këtë vend, për vetë qytetarët e tij.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: