Në Shqipëri, një i punësuar në turizëm kujdeset për 157 turistë

Publicitet
 Në Shqipëri, një i punësuar në turizëm kujdeset për 157 turistë
Çdo i punësuar në aktivitetet që kanë lidhje me industrinë e turizmit në Shqipëri, shërben dhe kujdeset për rreth 157 turistë të huaj.

Kjo është shifra që jep Instituti i Statistikave në lidhje me punësimin që gjeneron ky sektor në vendin tonë.

“Ndërsa në vendin tonë erdhën rreth 4.7 milionë shtetas të huaj dhe vetëm të punësuarit në aktivitetet e lidhura direkt me turizmin janë rreth 30 mijë persona, kjo do të thotë çdo i punësuar në këto aktivitete i shërben dhe kujdeset për rreth 157 vizitorë të huaj”, cilësojnë ekspertët e tij lidhur me një dukuri të tillë.

Duke shtuar më tej faktin se pjesa më e madhe e tyre është pikërisht në sektorin e pijeve dhe të ushqimit, që u ofrohet turistëve të huaj gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë.

Respektivisht me një shifër prej 23.7 mijë të tillë, INSTAT tregon se janë baret dhe restorantet ato që gjenerojnë më shumë vende pune, në vend, lidhur me turizmin.

Ndërsa pas tyre renditen njësitë akomoduese, hotelet apo bujtinat në rang vendi, të cilat numërojnë rreth 4 mijë persona të punësuar.

Dhe më pak, pas tyre, agjencitë apo operatorët turistikë të cilët numërojnë rreth 1.6 mijë persona të punësuar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: