NDËRKOHË QË... - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

NDËRKOHË QË... - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ndërkohë që u ftuam të ftohemi në BE, pas një viti në qershor, do jemi po këta njerëz. Por ndërkohë që, ky diskutim nëse jemi ose jo gati për në Europë, do të vazhdojë gjatë, autobusi i unazës kundërmonte nga aroma e njerëzve të palarë dhe fatorinoja ulërinte sikur njerëzit, ata europianët, ishin tufë me dhenë. Kjo pasi dilje nga QSUT-ja e ku në reanimacion një tufë familjarësh të marrosur, shanin e mallkonin rojën e gjorë që paguhet sa të mbajë frymën gjallë, sepse donin ata, tufa me hall të madh por evropiane, të hynin të gjithë brenda, ashtu siç vinin nga rruga e gjatë, në një mjedis që hamendësohet të jetë steril.

Ndërkohë që, Europa po bën me ne si një zonjushë tekanjoze, të dua s’të dua, ne me shumë kapadaillëk, po i tregojmë se jemi qëndrestarë, se ne nuk ndryshojmë or jo, kaq ta bëjë dhëmbin, se jemi më të lashtët në Ballkan, nipat e mbesat e Skënderbeut, e si të tillë, edhe pse sapunin e urrejmë por jo deodorantin, na pëlqen shkëlqimi, na verbon e mahnit fasada, dashurojmë liderët që bërtasin, tallen, na trajtojnë si qen, na vjedhin, na rrjepin, me një dorë na ledhatojnë kokën e me tjetrën na ngulin thikën!

Dalim nëpër rrugë për një ndeshje Gjermanie e bëjmë si të marrë kur humbim një bast, por ndërkohë artin e lëmë të ve, sakat, çyryk, artistët i lëmë të hutuar e të mjegullt, pavarësisht se na kanë zbukuruar jetën që fëmijë! Braktisim në mes çdo mision që ka të bëjë me mirëqenien e nuk nisim fare asnjë luftë për të mbrojtur dinjitetin tonë.

Por Evropi e ka gabim, se ne jemi gati.

Pavarësisht se sa hap lajmet çdo ditë, vritet një grua, një nënë, një motër.

Ndërkohë që Evropi na mban në distancë sigurie, as na puth por as na vret!

Ne jemi shumë të zotët, aq sa vetingu që na u bë si njeri shtëpie, ecën me hapa breshke e me këto ritme i bie të mbarojë kur të jenë bërë ca ndërrime sistemi. Evropi e ka gabim, se ne e duam atë aq shumë, sa që edhe Radio-Televizioni publik që ha bukë me taksat tona, nis me baste e mbyllet me baste dhe edukimi kryesor që ky kampionat botëror po i bën rinisë e fëmijëve është, kjo me vulë shteti, të turren e të lënë çdo kacidhe në baste, se fundja kështu blihemi e shitemi më lehtë, të shkatërruar por krenarë!

Ndërkohë që Ramën e shajnë në Facebook dhe Lulit i bëjnë fotomontazhin e radhës, këtë vend e ka kapluar pasiguria për jetën dhe Evropi duhet ta kuptojë që ne e duam fort, sepse kurset e gjermanishtes janë fryrë jashtë kapacitetit. Evropi e ka gabim, jemi një aset i pazëvendësueshëm!

Ne mendojmë si Evropianë, ndjejmë si Turq, hamë si Italianë, sillemi si Rusë, luftojmë si Vikingë, dashurojmë si Grekë, kemi pritshmëri si Zviceranë.

Ndërkohë që presim edhe një vit, projektet dhe misionarët e BE-së, në përpjekje për të na bërë “më të lexueshëm”, do të vazhdojnë.

Work in progress!

Ndërkohë që.....!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: