Ndahet nga jeta Loni Papa, kush ishte dramaturgu që shkëlqeu me “Cuca e Maleve”

Ndahet nga jeta Loni Papa, kush ishte dramaturgu që shkëlqeu me “Cuca e Maleve”
Është ndarë sot nga jeta në moshën 86-vjeçare shkrimtari i njohur shqiptar, Loni Papa.

Shkrimtari Papa është gjerësisht i njohur për veprën më të rëndësishme, dramën “Cuca e Maleve”, e cila më pas u shndërrua edhe në balet.

Loni Papa lindi më 28 mars të vitit 1932. Është autor i më shumë se 35 veprave letrare të botuara dhe laureat i Çmimit të Republikës e i disa çmimeve kombëtare. Mban titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të tij të lindjes, Lushnje, për kontributin e përkushtimin e tij në letërsinë shqipe.

Në veprat e tij në fushën e letrave përfshihen drama, romane, novela, poezi, letërsi për fëmijë, shkrime publicistike etj.

Loni Papa njihet më së shumti për aktivitetin letrar në fushën e dramaturgjisë dhe letërsisë për fëmijë.

Është autor i 13 dramave. Dramat “Cuca e Maleve” dhe “Marga” janë vlerësuar me çmime kombëtare. Ndër veprat e tij më të njohura për fëmijë janë novelat “Gishto trimi”, “Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur” dhe rrëfenjat “Tri motrat” dhe “ Kënga e Mjellmës”.

Drama “Cuca e Maleve” trajton çështjen e luftës për arsimimin dhe emancipimin e gruas në periudhën menjëherë pas çlirimit të vendit, duke i vendosur ngjarjet në zonat e Veriut të Shqipërisë.

Drama u vu në skenë fillimisht në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, në vitin 1966 nga regjisori Mihal Luarasi dhe një vit më pas u risoll në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) nga Pirro Mani. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

 

Veprat e shkrimtarit Loni Papa:

Drama

Cuca e maleve (1967)

Kalimi në urë (1969)

Marga (1971)

Një copë rrugë (1976)

Gurët e Kreshanës (1976)

Zbatharakët (1976)

Vëllimi “Gjeniu i marrëzisë” (2003) ku përfshihen pesë drama:

“Çafka e detit” , “Arda”, “Vozabërësi Dako”, “Martesa e Lidrës”, “Gjeniu i marrëzisë”.

Etiketa e shkulur

Baltë dhe bar

 

Vëllime me poezi

Fillo këngën çifteli (1956)

Puthje djalli (1998)

 

Romane

Fundi i një vjeshte (1985)

Megi (2000)

 

Novela

Guri (1958)

Duar dhe baltë (novela, 1969)

 

Letërsi për fëmijë

Historia e maçokut, (vjersha për fëmijë, 1957)

Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur (novelë, 1964, 1993, 1997)

Miu që hëngri macen (novelë, 1974, 2003)

Gishto Trimi (novelë, 1978, 1999)

Rosat e Eglës (rrëfenja, 1984)

Hundëçipët dhe mbreti Kuku (novelë, 1993, 1997)

Përralla fluturuese (rrëfenja, 1994)

Kënga e mjellmës (rrëfenja, 1995, 1997)

Gomari mendjehollë (1995)

Tri motrat (rrëfenjë, 1996)

Floçka Ardë (rrëfenjë, 1997)

7 drama dhe komedi për fëmijë (2004) ku përmblidhen:

“Laura dhe vëllezërit”,“Motrat”, “Lojë luftash”, “Fyelli magjik”(komedi), “Bariu dhe Dhëmbëhekuri”, “Gëzofi i Erlës”, “Dac Maçi” (komedi).

 

Shkrime letrare dhe publicistike

Thërrime nga jeta e një poeti (kushtuar Migjenit, Revista nëntori, nr. 8, 1962)

Kujtimi i ditës së parë (Zëri Rinisë, 9 mars 1963)

Legjendë kasollesh (Zëri Rinisë, 14 tetor 1964)

I humburi i maleve (Zëri i Rinisë, 31 tetor 1964)

Bukuri e dhimbëshme (Zëri i Rinisë, 13 maj 1967)

Paradoksi (kushtuar Artistit të Popullit Kadri Roshi, Revista Ylli, 1968)

Druri që këndon (Revista nëntori, nr. 3 1978)

Metafora dhe uni i një poeti (kushtuar Dhimitër Minos, poet dëshmor 22-vjeçar, Revista nëntori nr. 9, 1986)

Këmisha e turpit (Zëri Rinisë, 12 dhjetor 1986)

Mesazhi filozofik (Revista Skena dhe Ekrani, nr. 1, 1987)

Vegim (kushtuar Artistit të Popullit Serafin Fanko, Revista Skena dhe Ekrani, nr. 1, 1988)

Eja, moj, ka ardhë Kola (kushtuar dramaturgut Kolë Jakova, Revista Skena dhe Ekrani, nr.3, 1988)

Në jetën e dytë (kushtuar aktores Marie Logoreci, Revista nëntori, nr. 8, 1988)

 

Radiodramatizime

Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur, Loni Papa - Radio Tirana

Tri Motrat, Loni Papa - Radio Tirana

Aventurat e Hakelberi Finit – bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të autorit Mark Twain, titulli origjinal (The Adventures of Huckleberry Finn) - Radio Tirana

Pesë fëmijë dhe xhuxhi i rërës- bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të autores Edith Nesbit - titulli origjinal (Five Children and It) - Radio Tirana

Dhëmbi i Bardhë - bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të autorit Jack London- titulli origjinal (White Fang) - Radio Tirana

 

Skenarë filmash vizatimorë

Gishto trimi - Kinostudioja “Shqipëria e Re”, 1979

Iriqi dhe dhelpra - Kinostudioja “Shqipëria e Re”, 1981

Shpërndajeni me miqtë tuaj: