MOS-HAPJA E HAPJES SË NEGOCIATAVE – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

MOS-HAPJA E HAPJES SË NEGOCIATAVE – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Vendimi për shtyrjen me një vit të hapjes së negociatave për Shqipërinë, ishte një gjysmë lajmi pozitiv e gjysmë lajmi negativ. Por, sipas traditës, çdo vendim që marrin ndërkombëtarët, politika jonë e çartur dhe fodulle, e pamaturuar dhe me mentalitet oriental, vazhdon edhe pas 28 vjetësh nga rënia e komunizmit ta quajë popullin dele dhe t’i hedhë hi syve, duke bërë propagandë edhe ditën kur vetëm propagandë nuk duhet të ketë! Si shumica dhe opozita - duke u sjellë si dy kulla armike - në vend që të jenë të përulur ndaj këtij vendimi, të reflektojnë dhe të gjejnë arsyet e vërteta të këtij vendimi gjysmak, të zbatojnë kushtet e vëna me një inat dhe histeri ekstreme, turren të zihen për t’i mbushur mendjen këtij populli se, për qeverinë ky është sukses i madh, i padiskutueshëm dhe ekskluziv i saj; ndërsa për opozitën, është një dështim i qeverisë që duhet larguar një orë e më parë dhe zgjidhja është ardhja e saj në pushtet. Kjo është një politikë e turpshme dhe e padenjë për Shqipërinë! Është aspak përfaqësuese për shoqërinë tonë dhe këta politikanë nuk i meritojmë! Si ka mundësi që, politika jonë vazhdon të funksionojë me një mënyrë të tillë mentaliteti ballkanik e mesjetar, në çaste kaq të rëndësishme të vendit? Si ka mundësi që, rregullisht politika jonë, ka një sjellje aspak të matur në momente historike të vendit? Si ka mundësi, ata që e quajnë veten politikanë modernë, sillen më “old fashion” edhe se pleqtë e politikës? Si ka mundësi që, në sytë e ndërkombëtarëve edhe politikanët e  brezit të dytë, si Edi Rama dhe Lulzim Basha, të jenë kaq konfliktualë dhe të mos kenë mendime në unison për çështje madhore si integrimi në BE? Këto pyetje më shumë se sa opinioni, duhet t’ia bëjnë vetes dhe përgjigjen duhet t’ia japin po vetes, dy liderët më të rëndësishëm sot në Shqipëri: Edi Rama dhe Lulzim Basha. Nëse sot në sytë e BE-së, Shqipëria është në këtë situatë, fajtorë janë ata - Edi Rama dhe Lulzim Basha. Ata dhe vetëm ata nuk kanë arritur që, për çështjen më të rëndësishme kombëtare nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe nuk janë sjellë në interes të kombit, por në interes të partive që drejtojnë. Natyrisht që, kryeministri ka më shumë përgjegjësi. Por në kushtet e Shqipërisë, mungesa e një bashkëpunimi për një çështje të tillë është përgjegjësi edhe e liderit të opozitës. Nuk po themi që Basha dhe Rama të realizojnë marrëveshje si ajo e vitit të kaluar që, duke qëndruar 5 orë vetëm për vetëm, vetëm ata e dinë se çfarë kanë biseduar. Por të arrijnë marrëveshje transparente, konkrete dhe në dobi të Shqipërisë.

Së pari, qeveria dhe kryeministri nuk duhet kurrë ta quajnë këtë vendim arritje dhe aq më keq ta quajnë sukses e një betejë të fituar të qeverisë. Nuk duhet ta quajnë shtyrjen e vendimit për 12 muaj, si një hapje, por edhe aq më keq që, çelësin e kësaj porte të hapur e paska në xhep po Edi Rama. Kryeministri Rama e quan se, ky vendim erdhi si rezultat i reformave të kësaj qeverie.

Zoti Rama! Nëse ju keni bërë disa reforma, shumë mirë keni bërë dhe kur bëni punë të mira, ju duartrokasim! Por duke qenë se veten e cilësoni politikan modern, njihu të paktën meritën edhe qeverive paraardhësve! Pa reformat e qeverive që drejtuan Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta, Sali Berisha, ju kurrë nuk mund të arrinit të realizonit reformat tuaja! Të paktën në një moment të tillë, njihuani meritat paraardhësve tuaj! Nëse BE-ja merr një vendim pozitiv për Shqipërinë, ai vendim është për të gjithë. Është për ju, është për të gjitha qeveritë që iniciuan këtë proces, realizuan dhe kryen reformat përgjatë tij dhe asnjë prej kryeministrave nuk është dhe nuk mund të jetë i përjashtuar nga meritat, natyrisht edhe nga përgjegjësitë. Prandaj, zoti Rama, hiqni dorë nga sindroma e vitit zero! Hiqni dorë nga mentaliteti se, ardhja juaj në pushtet e rilindi Shqipërinë dhe çdo gjë që ka funksionuar më parë, nuk ka patur vlerë! Kjo që po bëni, nuk është as politikë moderne europiane dhe as vizionare!

Së dyti, vërtetë në vendim është theksuar shtyrje me një vit, por BE-ja nuk ka saktësuar një datë fikse. Dhe më e rëndësishme se kaq, ajo ka shtuar disa kushte, që janë arra të forta në duart e buta të Edi Ramës, që i duhet t’i thyejë një e nga një ose edhe bashkë. Janë një sërë raportesh ndërkombëtare që lidhen me luftën ndaj krimit, trafikut të drogës dhe luftën ndaj korrupsionit, që qeveria e Ramës nuk ka rezultatet e pritshme. Dhe më kryesorja, ekonomia që nuk të fal, në këto 5 vjet, jo vetëm që nuk rilindi, sipas premtimeve në programin e PS-së, por ajo është në ditë të hallit dhe shifrat e dhëna se është ulur papunësia, na bëjnë të mbajmë barkun me dorë. Nisur nga kjo, Edi Rama në mendjen e tij, këtë vendim për Shqipërinë duhet ta quajë gjysmë sukses dhe gjysmë dështim. Ndërsa për qeverinë, duhet ta quajë dështim që ç’ke me të! A ishte Rama, ai që sapo mori çelësat e qeverisë në shtator 2013, theksoi publikisht se, për 10 vjet do ta fuste Shqipërinë në BE? Jo vetëm që këtë datë të paracaktuar prej tij po e shohim me dylbi, por pas 5 vjetësh me duart e tij në timon, Shqipëria nuk ka hapur ende negociatat!!! Prandaj, kryeministri Rama duhe të të jetë i përulur ndaj këtij vendimi dhe nuk duhet të shesë dështimin për sukses dhe shuplakën e BE-së, si puthje në faqe!

Së treti që është po aq e rëndësishme: Opozita po ashtu nuk duhet ta quajë një dështim e skandal dhe ajo e përjashton veten nga ky proces. Nuk arrijmë ta kuptojmë zellin ekstrem të opozitës që, një vendim për shtyrje për një vit të hapjes së negociatave, ta quajë si një akuzë kundër njerëzimit ndaj kryeministrit. Është një sjellje aspak serioze dhe e maturuar e Partisë Demokratike, a thua se është shtyrë hapja e negociatave për të futur Edi Ramën në BE dhe jo Shqipërinë. Madje, kjo mënyrë reagimi, ngjan si dy pika uji me sjelljen e Partisë Socialiste kur ishte në opozitë. Por nuk mund ta akuzosh dikë për sjellje jokorrekte dhe për tu hakmarrë, t’i sillesh njësoj si ai - ti je i miri dhe ai është i keqi?

Partia Demokratike është aset kombëtar që ka qeverisur, po edhe ka bërë opozitën në këto 28 vjet. Dhe si e tillë, ka përgjegjësi po aq sa Partia Socialiste që është në pushtet. Kurrë nuk mund të gëzohet, kur BE-ja shtyn një vit hapjen e negociatave dhe kurrë nuk mund ta quajë këtë vendim negativ si çështje vetëm të qeverisë. Shqipëria nuk është e Edi Ramës dhe as e Partisë Socialiste. Shqipëria është e shqiptarëve dhe si e tillë interesi për të është shumë më i madh se kjo qeveri. Qeveritë janë kalimtare, ikin dhe vijnë. Kryeministrat po ashtu. Por Shqipëria është një dhe si e tillë Partia Demokratike duhet të mendojë më shumë për Shqipërinë, se sa për të rrëzuar qeverinë që kemi. Daljet e pamaturuara të disa zonjave dhe zotërinjve të PD-së, që edhe pse nuk gëzojnë integritet në opinion publik, e që  paturpësisht mezi presin të vinë në pushtet dhe të bëhen ministra, është në rastin më të mirë diletantizëm e në rastin më të keq, ligësi.

Përfundimisht, moshapja e hapjes së negociatave dhe shtyrja e tyre për një vit, është një gjysmë lajmi i mirë dhe gjysmë lajm i keq. Ai nuk mund të marrë përkufizime sipas interesave partiake të momentit. Ka vetëm një zgjidhje për këtë situatë: Qeveria të jetë e përulur dhe opozita të tregohet e matur. Politikanët e të dy krahëve, të debatojnë dhe të zihen për çdo gjë të politikës së ditës. Por të paktën për negociatat me BE-në, të ulen dhe të bashkëpunojnë. Vetëm kështu Shqipëria do të bëhet pjesë e familjes së madhe. Ndryshe, moshapja e hapjes së negociatave do të vazhdojë të jetë thjesht një telenovelë orientale. Tamam si telenovelat turke që, edhe nëse një ditë mbarojnë, nis një tjetër që duket sikur e vazhdon aty ku e la telenovela e parë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: