Morbus Crohn, sëmundja që shkatërron zorrët, këshillat që duhen ndjekur

Publicitet
Morbus Crohn, sëmundja që shkatërron zorrët, këshillat që duhen ndjekur
Problematikat fillojnë me dhimbje të pashpjegueshme barku, e cila, nëse nuk diagnostikohet dhe kurohet në kohë, rrezikon seriozisht shëndetin. Mjekja  gastrohepatologe, Irgen Tafajna, sqaron të gjitha detajet që duhet të dimë rreth sëmundjes, Morbus Crohn

Sonila Isaku

Morbus Crohn është sëmundje inflamatore kronike intestinale, me shkaktarë të panjohur, që mund të prekë çdonjërin nga segmentet e tubit digjestiv, me lokalizim të preferuar në ileumin terminal dhe kolon. Është një sëmundje që evoluon në mënyrë të paparashikueshme, në formë pusesh dhe periudhash remisioni. Morbus Crohn mund të shfaqet në çdo moshë, me një pikë kulmore në dekadën e dytë dhe të tretë të jetës.

Sëmundja

Çdo diarre e zgjatur, e shoqëruar me dhimbje barku të pashpjegueshme dhe alterim të gjendjes së përgjithshme, duhet të na bëjë të mendojmë për Morbus Crohn. Në ekzaminimet laboratorike evidentohet një sindromë inflamatore (rritje e proteinës C reaktive, anemi), të dhëna për malabsorbim që flasin për keqthithje (hipoalbuminemi, hipokalcemi, hipokolestrolemi). Antitrupat, antisaçharomyces cerevisiae, janë shpesh pozitive në këtë patologji. Ndër manifestimet ekstradigjestive mund të përmendim: prekjen artikulare (sakroileiti, spondiloartriti), dermatologjike (eritema nodoze, aftoza bukale, pioderma gangrenoze), okulare (uveiti, më rrallë prekja e kornese), biliare (kolangiti sklerozant).

Simptomat

Simptomat më të zakonshme të sëmundjes së Crohn-it, përfshijnë: dhimbje barku, diarre, lodhje dhe humbje në peshë. Simptoma të tjera mund të jenë dhimbje në gojë, probleme me lëkurën, inflamacion të syrit dhe probleme anale, fistulat dhe absceset.

Diagnoza

Endoskopia digjestive është ekzaminimi i referencës në vendosjen e diagnozës. Ajo mundëson evidentimin e shtrirjes së lezioneve në tubin digjestiv dhe mbi të gjitha marrjen e biopsive. Karakteri specifik i Morbus Crohn është shtrirja e lezioneve endoskopike. Ato janë segmentare, jo të vazhdueshme dhe multisegmentare. Biopsitë janë sistematike dhe kryhen edhe në zonat të shëndosha në dukje. Anomalia histologjike e Morbus Crohn, është granuloma epiteloide gjigando-qelizore e cila është e pranishme vetëm në 30-50% të rasteve, gjatë ecurisë së sëmundjes. Ekzaminimi proktologjik duhet të jetë i kujdesshëm në këta të sëmurë të cilët, në 30-50% të rasteve, kanë prekje ano-perineale, si: fisura laterale apo ulceracione endoanale. Imazheria me TAK (skaneri), abdominal vizualizon prekjen e zorrës së hollë, në veçanti stenozat, - nëse ato janë të pranishme. Imazheria me rezonancë magnetike, është e preferuar në rast të pranisë së lezioneve ano-perineale.

Trajtimi

Trajtimi bazohet në katër klasa terapeutike, të cilat përdoren në funksion të gravitetit të sëmundjes: Derivatet e saliciluara (Mesalazine), përdoren kryesisht në format e moderuara të sëmundjes; Kortikoidet me veprim sistemik (Prednizon, Prednizolon, Metilprednizolon), përdoren për të induktuar remisionin gjatë puseve të moderuara dhe të rënda të sëmundjes dhe kortikoidet me veprim lokal (Budesonid), që indikohen në format e moderuara me lokalizim në ileumin terminal ose në kolonin e djathtë; Imunosupresoret (Azathioprine, 6-mercaptopurine, Methotrexat), përdoren pothuajse pas çdo puseje në të cilën ka qenë i nevojshëm përdorimi i kortikoterapisë. Anti TNF (Infliximab, Adalimumab), përdoren në Morbus Crohn aktive të rëndë, në të sëmurët të cilët nuk i janë përgjigjur trajtimeve të mësipërme.

Evoluimi i sëmundjes

Është e vështirë në pusenë e parë të parashikohet evolucioni i sëmundjes. Megjithatë, pavarësisht faktorëve individualë të çdo të sëmuri, duket se ekziston një tendencë për të kaluar në remision pas 15 vjetësh evolucion të sëmundjes. Vdekshmëria është pak më e rritur se në popullatën e përgjithshme dhe vetëm ¼ e vdekjeve janë direkt të lidhura me sëmundjen. Është me rëndësi të përmendet se, duhanpirja është një ndër shkaktarët që shpjegon pjesërisht rritjen e sëmundshmërisë.

Këshilla

Ka disa lloj ushqimesh apo grup ushqimesh, të cilat përkeqësojnë simptomat tuaja, veçanërisht gjatë shpërthimeve të sëmundjes. Prandaj është e këshillueshme të evitohen përkohësisht këto ushqime. Megjithatë, eliminimi i të gjithë grupeve të ushqimit, mund të shpjerë në kequshqyerje. Flisni me mjekun ose me një dietolog, i cili mund t'ju ndihmojë me përshtatjen e dietës.  Të tjera rekomandime për mënyrën e jetesës, janë aktiviteti i rregullt fizik i cili është një ide e mirë për këdo, duke përfshirë edhe njerëzit me sëmundjen e Crohn-it.  Pirja e duhanit mund të përkeqësojë sëmundjen e Crohn-it e, për pasojë, rrit rrezikun e nevojës për operacion. Njerëzit me sëmundjen e Crohn-it nuk duhet të pinë duhan.  Shmangni marrjen e ilaçeve antiinflamatore josteroidale si p.sh.,: ibuprofen) dhe naprosyn, pasi mund të përkeqësojnë sëmundjen.

 

Simptomat e sëmundjes

  • Plagët e gojës - Plagët e gojës (të ashtuquajtura aphthous stomatitis), mund të zhvillohen gjatë shpërthimit të sëmundjes së Crohn-it. Ato gjenden, zakonisht, midis mishrave të gojës dhe buzës së poshtme ose përgjatë anëve dhe pjesës së poshtme të gjuhës. Plagët e gojës janë, shpeshherë, të dhimbshme. Ilaçet që përdoren për trajtimin e traktit tretës, ndihmojnë edhe në trajtimin e plagëve të gojës.
  • Inflamacioni i syve - Inflamacioni i syve (i cili quhet uveitis ose scleritis), ndodh deri në 5 për qind të njerëzve me sëmundjen e Crohn-it. Këto probleme mund të prekin njërin ose të dy sytë. Simptomat e uveitis përfshijnë "lëkundje" të shikimit, dhimbje sysh, shikim të turbullt dhe ndjeshmëri ndaj dritës. Skleritis mund të shkaktojë djegie ose të kruara të syrit të prekur. Trajtimi bëhet, zakonisht, me anë të pikave.
  • Problemet anale – Sëmundja e Crohn-it mund të shkaktojë probleme në zonën përreth anusit. Problemet më të zakonshme, përfshijnë: çarjet, ulçerat, fistulat (një kanal komunikimi midis zorrës dhe organeve të tjera), zonat e infektuara të lëkurës dhe stenoza (ngushtimi i anusit). Këto probleme mund të ndodhin më vete ose të kombinuara. Problemet anale ndonjëherë shërohen vetë, pa trajtim. Në raste të tjera, kërkohet trajtimi me ilaçe ose operacion. Njomja e fundshpinës me ujë të ngrohtë, disa herë në ditë, si dhe pastrimi i kujdesshëm i zonës në fjalë, mund të ndihmojë në përshpejtimin e shërimit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: