ME KË TA MBUSHIM VENDIN? – OPINION NGA PLATOR NESTURI

ME KË TA MBUSHIM VENDIN? – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Parlamenti po humb funksionalitetin, madje po shndërrohet i padobishëm. U bën shumë muaj që nuk zhvillohet një seancë normale, ndonëse në fund të ditës mësojmë se janë miratuar ligje. Kaq e kaq seanca që nuk është bërë një debat mbi ligje të caktuara dhe tashmë nuk dihet dhe cilat do të jenë në rendin e ditës. Kjo, së paku, në drejtim të informimit e transparencës, pa vajtur te detaji aspak "i rëndësishëm" për të kuptuar se, sa në favor të shoqërisë dhe qytetarit dhe sa brenda kuadrit kushtetues, janë ligjet e miratuara.

Në sallën e Parlamentit, kjo është detyrë e opozitës. Së paku, kështu është në vendet e tjera. Në këtë aulë, duhet të debatohet jo thjesht për probleme të politikës së përditshme, por dhe për mënyrën se si qeveriset e ardhmja. Aty duhet të zbërthehen ligjet, reformat e iniciativat qeveritare, dhe nga kjo përplasje mendimesh, krijohet ideja e përgjithshme nëse po shkojmë më keq, më mirë, a në vend numëro.

Në vend të kësaj, jemi të mbërthyer në një skemë të përsëritur konfliktualiteti fals, ku debati është zëvendësuar me një butafori, ku nuk zgjidhet asgjë dhe ku parlamenti përfundon i zbrazët pas një ore. Opozita po i ngjan asaj ushtrisë që shan së largu kundërshtarin, betohet që do bëjë namin dhe më pas braktis fushën e betejës. U bënë muaj që kauza e ndërmarrë ka qenë ajo kundër ministrit të Brendshëm. Kërkohet dorëheqja dhe vetëm kaq. Thua se ky mund të jetë problem i vetëm. Së fundmi, u shtua si kauzë dhe çështja e Teatrit, por dhe kjo thjesht për ta përdorur si show në komisionin parlamentar që drejtohet nga opozita, asgjë më shumë. Të tjerat janë shashka ditore, që nga dekorimi i Gafurrit e deri te formularët e Lindita Nikollës.

Së fundmi, më tepër sesa çështja e negociatave - nëse do të hapen apo jo - ajo çfarë ka përbërë shqetësim publik ka qenë lajmi i shpërndarë për mundësinë e ngritjes së kampeve për refugjatët e luftës nga vendet e Lindjes së Mesme. Për më tepër që nuk ka asnjë sqarim zyrtar. Për këtë temë shkruhet në mediat e huaja dhe këtu të zotët e shtëpisë nuk dinë ende kush do t;u vijë mysafirë. Tashmë, nëse duhet që së paku të zbardhet kjo çështje, i takon dhe opozitës të ngrejë pyetjet përkatëse dhe kjo më mirë se kudo, bëhet në sallën e Parlamentit. Por nga gjithë rrëmuja e atyshme, nuk prodhohet asgjë.

Është interesant fakti që, kryeministri i vendit, për të dhënë një prononcim mbi këtë çështje, nuk e bën në sallën e Kuvendit, por si përgjigje në FB ndaj komentit të një qytetari. Mirë që është FB dhe që kryeministri ka nge të përgjigjet ndaj komenteve të fansave të faqes, se gjithçka do mbetej më në mjegull. Më mirë kaq, se pa asnjë prononcim të paktën. Opozita nuk ka fuqi ta bëjë kryeministrin të përgjigjet. Për kthim xhevapi, detyrimi mund të shkojë deri në nivelin e Taulant Ballës.

Në këtë rrumpallë politike, asgjë nuk motivon për mirë. Dhe qytetarët bëhen më të pashpresë për të ardhmen, se nuk kanë më kë të besojnë. Për këtë arsye, ikja u mbetet e vetmja rrugë për të ndjekur.

Shqiptarët ende ikin. Vetëm kohët e fundit janë riatdhesuar 500 shtetas shqiptarë nga vende si Franca, Belgjika dhe Gjermania. Por kjo duket se nuk e ka ndalur dukurinë. Ndonëse shqiptarët nuk kanë asnjë shans të përfitojnë një status si azilkërkues për t’u legalizuar si emigrant ekonomikë në vendet e Bashkimit Europian, pasi vetë statusi si një vend i sigurt nuk ua mundëson këtë shans. Megjithatë, ata vijojnë të ikin duke shfrytëzuar çdo mundësi udhëtimi drejt Europës a më përtej. Ndërkohë që vendi zbrazet, në mediumet politike deklamohet se po ndërtojmë shtet dhe tashmë nuk na mbetet tjetër veçse që këtu duhet të ndërtojmë të ardhmen. Sidoqoftë, shqiptarët ikin. Ikin nga sytë këmbët, megjithëse e dinë se pak shanse kanë të përfitojnë statusin.

Çdo qeveri natyrshëm që duhet të merret me çështjen e dinjitetit të vendit dhe në këtë rast, mbushja e shesheve të qyteteve europiane me shtetasit e tu që kërkojnë azil jashtë, padyshim që ul vlerat dhe njollos fytyrën e shtetit. Pasi mesazhi që jep nga jashtë, është se nuk arrin dot të mirëmbash qytetarët e tu e tu garantosh të ardhme, se nuk di të menaxhosh këtë pasuri të madhe njerëzore e cila detyrohet që kontributin e saj ta japë jashtë e të përdoret përtej kufijve të tu. Problem është se çfarë bëhet për këta njerëz që tu sigurosh shpresë dhe punë, vëmendje dhe shërbim, në mënyrë që të jenë kontribuues për vendin e tyre dhe jo krahë të tepërt pune. Dhe kjo nuk bëhet duke deklaruar shifra punësimi, por dhe me vëmendje e shpresë. Si dhe transparencë se çdo të bëhet në këtë vend, cilat janë programet dhe zgjidhjet që do ndërmerren. Dhe kjo bëhet duke e pyetur. Që lajmet shqiptari të mos i marrë vesh nga mediat e huaja, se çfarë bëhet a çfarë do të ndodhë me vendin e tij. Deri sa kjo gjendje vijon të mbetet e njëjtë, shqiptarët do të vazhdojnë të ikin. Për të qenë një vend i zbrazët, për të tjerë që mund të vijnë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: