Mbetësit në 9-vjeçare, publikohen datat e provimeve të vjeshtës

Mbetësit në 9-vjeçare, publikohen datat e provimeve të vjeshtës
Ende pa përfunduar provimet e detyruara të arsimit bazë, ministria e Arsimit ka publikuar datat e provimeve të vjeshtës për të gjithë ata nxënës që nuk do munden të marrin nota pozitive gjatë provimeve të lirimit

Sonila Isaku

Nga data 24 deri më 31 gusht, të gjithë ata nxënës të cilët nuk do të rezultojnë fitues në provimet e maturës, do t’i nënshtrohen sërish testimit në mënyrë që të kenë mundësi të regjistrohen në shkollat e mesme ose ato profesionale.

Datat

Ende pa përfunduar provimet e detyruara të arsimit bazë, ministria e Arsimit ka publikuar datat e provimeve të vjeshtës për të gjithë ata nxënës të cilët nuk do munden të marrin nota pozitive gjatë provimeve të lirimit. Kështu, provimi i parë ai i  gjuhës së huaj, do të jetë në datën 24 gusht, më pas ai i gjuhës shqipe më 28 gusht dhe matematika do të zhvillohet në datën 31 gusht. “Nxënësit e pakicave kombëtare do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën gjuhë amtare, testi i së cilës do të zhvillohet në datën 15 qershor”, - saktësohet në udhëzim.

Aktualisht, nxënësit i janë nënshtruar vetëm provimit të gjuhës së huaj, ndërkohë që, gjatë ditës së sotme, do të zhvillojnë provimin e gjuhës shqipe dhe, më pas më 22 qershor, atë të matematikës.

Kriteret për testin e gjuhës së huaj

Lista e gjuhëve të huaja që do të jepen si provime të detyruara, janë: Anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Testi i gjuhëve të huaja do të hartohet në përputhje me gjuhën e cila, në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2. Nxënësit e klasave të 9-ta parapërgatitore për seksionet dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze, janë të lirë të zgjedhin midis gjuhës së huaj të parë, që kanë zhvilluar në klasën e tretë dhe gjuhës së huaj të seksionit përkatës, të filluar në klasën e pestë. Në të gjitha këto raste testi do të hartohet dhe korrigjohet në bashkëpunim me mësuesit e huaj dhe shqiptarë të këtyre seksioneve.

Provimet kombëtare të arsimit bazë do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Nxënësit me aftësi të kufizuara do t’i zhvillojnë provimet kombëtare, në përshtatje me veçoritë e tyre.

Rregullorja e provimit

Rregullorja e provimeve të lirimit është e ngjashme me atë të provimeve të Maturës Shtetërore. Së i takon mjediseve se ku do të zhvillohen Provimet e Lirimit, MAS ka vendosur që si mjedise të Provimeve të Lirimit të shërbejnë vetëm shkollat publike. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë drejtorive arsimore ose zyrave arsimore skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Pas çdo provimi, dërgohet skema e vlerësimit në Komisionin Shkollor të Provimeve të Lirimit, e cila afishohet dhe informon çdo nxënës për të. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga DAR/ZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Ndërkaq, DAR/ZA ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast, të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Së fundi, nga sa përcakton rregullorja, shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi.

 

Sezoni i vjeshtës

Gjuhë e huaj:  24 gusht 2018

Gjuhë shqipe: 28 gusht 2018

Matematikë : 31 gusht 2018

Shpërndajeni me miqtë tuaj: