Maturantët e vjetër, sot afati i fundit për aplikim në portal

Publicitet
Publicitet
Maturantët e vjetër, sot afati i fundit për aplikim në portal
Ministria e Arsimit u ka dhënë edhe një shans tjetër të gjithë kandidatëve, të cilët kanë përfunduar maturën para vitit 2017, për të plotësuar formuarin në data 1 deri në 4 qershor

Maturantët të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm përpara vitit 2017, dhe sot kanë mundësinë e fundit për plotësimin e formuarit A1z, nëse dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në universitetet e vendit. Me anë të një njoftimi të nxjerrë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, këta maturantë kanë mundësinë për plotësim online të formularit në datat 1 deri në 4 qershor.

“Njoftohen të gjithë maturantët e viteve të kaluara, që nuk kanë aplikuar me formularin A1Z në Portalin Matura Shtetërore 2018, se Portali i Maturës Shtetërore online do të hapet në periudhën 1 – 4 qershor 2018, nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Për kandidatët që kanë detyrimin për të dhënë provime të Maturës Shtetërore, ky është afati i fundit që u vihet në dispozicion” - thuhet në njoftimin e nxjerrë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Plotësimi online i Formularit A1Z, për kandidatët e sipërpërmendur, bëhet në shkollat ku kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.

“Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Përfaqësuesit e shkollës marrin kontaktet e kandidatit për ta njoftuar më vonë për paraqitjen në shkollë për futjen e të dhënave shkollore të tre viteve të arsimit të mesëm” - përcakton udhëzimi.

Kandidatët për të plotësuar formularin A1Z, duhet të paraqesin te mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga shkolla ku ka dhënë provimet. Vërtetimi, veç gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna si provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati. Po kështu, edhe provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati.

Pas përfundimit të këtij procesi dhe dhënies së provimeve të Maturës Shtetërore, dhe këta kandidatë do t’i nënshtrohen raundit të parë të aplikimit për në universitet. Ky raund ka për qëllim procesin e aplikimit online në portalin Matura Shtetërore Online. Të drejtën e aplikimit e kanë vetëm ata kandidatë të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe plotësojnë dokumentacionin dhe kushtet, të cilat kanë të bëjnë me pajisjen me dokumentacion ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm, plotësimi i notës mesatare e cila duhet të jetë mbi 6 dhe në disa universitete të tjera më e lartë, sipas kriterit të vendosur nga vetë ata, apo nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër. Maturantët përpara aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën e 2 mijë lekëve në zyrat e Postës Shqiptare ose bankat e nivelit të dytë. Gjatë aplikimit, kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve që ofrojnë universitet për këtë vit akademik.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: