MATURA SHTETËRORE/ Sot provimi i parë i gjuhës së huaj, çfarë duhet të dini

MATURA SHTETËRORE/ Sot provimi i parë i gjuhës së huaj, çfarë duhet të dini
Maturantët do t’i nënshtrohen sot provimit të parë, hartuesit e tezave të ngujuar pranë QSHA-së. Si do të kryhet korrigjimi i provimeve

Sonila Isaku

Sot, të gjithë maturantët, do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore, pikërisht atij të gjuhës së huaj. Prej disa ditësh në godinën e Qendrës Shtetërore të Arsimit, janë ngujuar hartuesit e testeve. Të parët kanë qenë mësuesit më të mirë të gjuhëve të huaja të cilët do të përzgjedhin pyetjet për katër gjuhët e para që bëhen në shkollat e mesme, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Por drejtues në Qendrën e Vlerësimit të Arritjeve tregojnë se, maturantet kanë mundësi të zgjedhin për provim edhe gjuhën që ata ndihen më mirë, pavarësisht çfarë kanë bërë gjatë viteve të shkollës. Provimi zgjat 2 orë e gjysmë dhe vetëm pas daljes së maturantëve nga testimi, del nga ngujimi edhe grupi që ka hartuar tezën.

Për të parandaluar kopjimet e mundshme gjatë testimit, këtë vit është menduar që provimi të zhvillohet në mjedise më të hapura, në korridore dhe palestra. Distanca nga njëri-tjetri do të jetë rreth 1 metër e gjysmë, ndërsa nuk do të mungojnë aparaturat që ndalojnë valët telefonike. Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar, është të paktën 40x30 cm. Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

Sa i takon procesit të korrigjimit të testeve të provimit të gjuhës së huaj, do të bëhet nga mësues të certifikuar, ndërkohë që testet janë shpërndarë në mënyrë të tillë që, asnjë qendër të mos korrigjojë qytetin ku ajo është ngritur.

“Ka masa shumë të rrepta për korrigjimin, pasi asnjë mësues nuk e di çfarë po korrigjon, sepse testet shpërndahen nëpër qendra dhe asnjë qendër nuk korrigjon testet e rrethit. Për shembull, nuk ndodh që Tirana të korrigjojë Tiranën. Asnjë mësues nuk e di cilin rreth po korrigjon. Ky është parimi kryesor, që kur bëhet ndarja e testeve. Kemi shumë kujdes që në Shkodër, të mos shkojë kurrë Shkodra, në Fier të mos shkojë Fieri, por të ketë një lloj përzierjeje. Kjo bëhet në mënyrë që të mos lindin dyshim, në lidhje me cilësinë e korrigjimit”, - thonë drejtuesit e QSHA-së.

 

Këshilla për provimin

Provimi fillon në orën 10:00 dhe do zgjasë 2 orë e 30 minuta, por ju duhet të paraqiteni më herët në shkollat përkatëse.

Të gjithë maturantët duhet të kenë kartën origjinale të identitetit ose pasaportën.

Nuk duhet të keni celularë me vete, pasi në të kundërt nëse kapen nga mbikëqyrësit, ju përjashtoheni automatikisht nga provimi.

Testet janë hartuar nga specialistë të gjuhës në QSHA dhe në përputhje të plotë me nivelin B1.

Maturanti nuk quhet kalues nëse merr më pak se 20% të pikëve të testit.

Rezultatet e provimit do të shpallen brenda dy javëve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: