Marrëveshja historike Greqi-Maqedoni për emrin, Rama, Bushati dhe Meta përshëndesin vendimin

Marrëveshja historike Greqi-Maqedoni për emrin, Rama, Bushati dhe Meta përshëndesin vendimin
Pas marrëveshjes historike të arritur sot nga Greqia dhe Maqedonia lidhur me çështjen e emrit, këtë vendim e kanë përgëzuar edhe kryeministri Rama, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati si dhe kreu i shtetit Ilir Meta

Pas negociatave të shumta mes palëve, dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras zyrtarizuan akordin për emrin e ri të vendit fqinj i cili nga sot do të quhet Republika e Maqedonisë Veriore.

Marrëveshja zgjidh problemin që zgjaste prej disa dekadash mes dy vendeve, që i ka pamundësuar Maqedonisë anëtarësimin në NATO.

Deri në zyrtarizimin përfundimtar, pritet ratifikimi i marrëveshjes nga parlamenti dhe ndryshimi i kushtetutës së Maqedonisë.

Pas dakordësisë mes vendeve fqinje ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama i cili ka përshëndetur marrëveshjen ndërsa ka përgëzuar dy homologët Cipras dhe Zaev.

“Dy liderë progresivë të vendeve fqinjë e bënë historinë sot dhe i treguan BE dhe botës se si vizioni dhe vullneti për të kapërcyer të kaluarën mund të gjejë hapësirë për të ardhmen. Sot Ballkani një vend më i mirë falë jush”, shkruan Rama.

Gjithashtu ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, kreu i diplomacisë shqiptare përgëzon dy vendet.

Bushati shkruan se “pavarësisht gjithë veçantive, diplomacia funksionon”

“Urime fqinjëve dhe miqëve tanë që përparuan duke arritur marrëveshjen mbi çështjen e emrit. Kjo hap rrugën e integrimit në familjen euro-atlantike jo vetëm të një vendi por për gjithë rajonin. Pavarësisht gjithë veçantive, diplomacia funksionon”, shkruan ministri Bushati.

Ndërkohë ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta duke përshëndetur arritjen e marrëveshjes për emrin e ri të Maqedonisë. Përmes një deklarate, Meta është shprehur shumë i gëzuar për arritjen e kësaj marrëveshjeje historike.

Ndërkohë kreu i shtetit ka vlerësuar, punën e bërë nga dy kryeministrat Zaev dhe Tcipras, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: