“Lulëzojnë” fustanet e kësaj vere!

Publicitet
Publicitet
“Lulëzojnë” fustanet e kësaj vere!
Në fillim ishte “Moschino” që lançoi tendencat e veshjeve me lule e që më pas u bënë një trend për pranverën dhe verën 2018. Një shpërthim lulesh dhe ngjyrash mbi veshje dhe aksesorë. Veshja që mbetet ikonë, është ajo e veshur me hijeshi nga Gigi Hadid dhe nga Kaia Gerber, më pas e rimarrë nga Michelle Hunziker në Sanremo, në formë buqete me ngjyra të larmishme.

Është kjo një tendencë që ka infektuar të gjithë, që nga stilistët e koleksioneve të reja e deri te dizenjatorët e mjediseve të brendshme në shtëpi e bare. Kirsten Dunst, Jessica Alba dhe Kate Middleton e shumë të tjera, e ndoqën menjëherë këtë tendencë.

Të veshësh fustane me lule në pranverë ose në verë, është vallë një zgjedhje banale? Ndoshta, por pas një stine të errët e të zymtë si ajo dimërore që sapo kaloi, kush vallë nuk do kishte dëshirë të veshë fustane të hareshme e me shumë ngjyra!

Nëse bëjmë fjalë për një fustan të shkurtër që të kombinohet me atlete sportive në raste jo formale; nëse bëjmë fjalë për një fustan deri te gjuri, i përshtatshëm për në zyrë, me një palë këpucë me pak takë ose balerina; nëse bëhet fjalë për një fustan të gjatë me pëlhurë të çmuar si mëndafshi dhe jo vetëm, për t’u veshur në ceremoni ose gëzime familjare, të kesh në dollap një veshje me ngjyra dhe lule, mund të jetë një ide brilante.

Tepër femërorë, fustanet me lule mund të përshtaten për çdo rast ose aktivitet dhe sjellin freski, si dhe ulin shumë moshën e femrës që i vesh. Sigurisht pastaj, nëse kombinohen me ngjyrat pastel që ishin në fuqi edhe gjatë dimrit, atëherë këto fustane marrin edhe më shumë vlerë e nuk ka mundësi që të mos dashurohesh me to.

Nuk ka pranverë e verë pa lule! Është një diktat i vërtetë i modës këtë vit, sepse bota ka më shumë nevojë për romantikë. Trëndafila delikatë, si të ishin pikturuar në porcelan britanik, por nuk mungojnë edhe disa penelata nga Azia, me lulet e qershisë. Por tendenca mbizotëruese është ajo, pëlhura me lule shumë të mëdha, si një buqetë me stil dhe fantazi që duket sikur sapo ka dalë nga faqet e një enciklopedie të botanikës.

*në shkrim ka pjesë të përkthyera nga www.foxlife.it

Shpërndajeni me miqtë tuaj: