Lian Luftija, penelata “blu” e impresionizmit

Lian Luftija, penelata “blu” e impresionizmit
Një vështrim dhe një bisedë e shkurtër me një nga emrat më të talentuar të pikturës impresioniste në Europë, piktorin Lian Luftija, i cili ka lindur në Tiranë, por jeton prej shumë vitesh në Stamboll. Ekspozita e tij me 33 punime në galerinë Maltepe, u nderua me pllakat nderi nga kryetari i bashkisë së Maltepesë në Stamboll.

Nga Juela Meçani

Nëse kërkon të dish më tepër mbi një nga përfaqësuesit më të denjë të impresionizmit të brezit tim, Lian Luftija, nuk do të gjesh shumë. Si pjesa më e madhe e piktorëve të talentuar, ai hesht ose flet pak e me modesti mbi veten, por flet shumë me veprat e tij. Lian Lutfija është një nga përfaqësuesit më të suksesshëm të brezit të ri të artit impresionist. E këtë nuk e thotë asnjëherë ai mbi veten, por mjafton të bësh një “shëtitje” të shkurtër në portalet më të rëndësishme turke dhe do të lexosh këtë vlerësim. Sapo nisa të hedh rreshtat mbi një profil mbi piktorin, më erdhi menjëherë në mendje se, gjëja e parë që mora nga veprat e tij, ishte një freski nostalgjike, ngjyra blu me variacionet e saj në sytë e mi, që kundronin veprat në vaj. Ishte ngjyra e detit që lag brigjet e fëmijërisë dhe të së tashmes së tij, ngjyra e qiellit që lag të ardhmen shpresëdhënëse, ngjyra e shpirtit të trazuar të një artisti. Personazhet që janë tek-tuk në tablo, përhumben në mjegullën ose ujërat blu. Por pavarësisht se Turqia është një vend i madh, me një shkollë arti tepër të famshme e me shumë talente, peneli i Lian Luftisë dalloi, madje, u nderua edhe nga personalitetet e vendit. Në këtë fillim vere, Lian Luftija, 40-vjeçari nga Tirana, qyteti ku u lind, tërhoqi shumë artdashës në Galerinë “Maltepe” - në bashkinë Maltepe në Stamboll.

Ngjarja dhe ekspozita

Piktori impresionist shqiptar, Lian Luftija, lindur në vitin 1978 në Tiranë, pas mjaft ekspozitave në Muzeun Kombëtar në atdheun e tij, si dhe në shumë qendra kulturore në Stamboll, këtë radhë shpalosi veprat e tij në Qendrën Kulturore më të re e të madhe të Stambollit - qendrën “Turkan Saylan” - me ekspozitën “As time fading away “ - Kohë të pluhurosura - ekspozitë që u çel më 23 maj dhe u mbyll më 3 qershor. Ekspozita u organizua nga bashkia  Maltepe e Stambollit dhe në të artisti paraqiti 33 tablo në vaj në stilin impresionist të përmasave të ndryshme, kryesisht të dimensioneve të mëdha deri në 200×180 cm. Punimet ishin të periudhës së studimeve universitare dhe pasuniversitare, të cilat i kreu në Stamboll. Piktura me një natyrë magjepsëse plot gjetje të një talenti dhe intuite të veçantë artistike. Ekspozita tërhoqi vëmendjen e medias, botës artistike dhe autoriteteve turke. Vetë kryetari i bashkisë Maltepe e vlerësoi piktorin e njohur shqiptar, Lian Lutfija, me pllakat nderi!

Pak biografi

Liani ka nisur të pikturojë qysh i vogël, në rrethet e pikturës në Pallatin e Pionierëve e në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Në vitet 1992-1996, kryen Liceun Artistik, “I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi”, në degën e pikturës në Stamboll.

Në vitin 1997, fiton konkursin në “Milwaukee Institute of Art&Design” në SHBA, ku për rezultate të shkëlqyera u mbështet edhe me bursë.

Në vitet 1998–2004, kryen Universitetin e Arteve, “Arkitekt Sinani”, dega pikturë po në Stamboll, ku kualifikohet me nivelin “I pari”.

Më pas, karrierën e tij e ka zhvilluar kryesisht në Stamboll, me ekspozita vetjake dhe kolektive, ku një prej të cilave është edhe pjesëmarrja në Bienalen e Stambollit, duke tërhequr vëmendjen e qarqeve të larta artistike turke dhe duke rrokur prej tyre vlerësime entuziaste. Në mjaft vite karrierë, Lian Lutfija ka realizuar me dhjetëra ekspozita në shtete të ndryshme, por kryesisht në Stamboll. Në qarqet artistike ku është prezantuar, artisti është vlerësuar nga mediat prestigjioze turke, si artist "me këndvështrime të reja pasuruese".

Rrënjët

“Nuk më kujtohet kur e kam nisur pikturën” - thotë Liani - “por, sipas thënieve të prindërve, e kam filluar qysh në moshën 3-vjeçare, kur vizatoja kuaj me 2 këmbë që luftonin midis tyre dhe sigurisht të mirët fitonin. Ngjarja e rrënjosur më tepër në memorien time është kur hyra në konkursin e pranimit në Liceun Artistik në Stamboll. Koha e provimit ishte vetëm 3 orë, unë nuk dija turqisht, nuk kuptova temën e duhur, fillova të skicoj një temë të lirë, ndërkohë tema e dhënë ishte ajo mbi një burrë të ulur në park duke lexuar gazetën. Pasi kaluan 2 orë e gjysmë, një mësuese vuri re gabimin tim, pasi konstatoi që nuk dija turqisht, me fletën time në dorë, e alarmuar, vrapoi në drejtori dhe më sollën një fletë të re për të zhvilluar provimin, me pak anglisht, me duar e shenja, më shpjeguan temën dhe unë me 20 minutat që mbetën, arrita të kualifikohem i gjashti në mes të qindra vetëve që konkurruan, nga e gjithë Turqia!”

Pse zgjodhi impresionizmin?

“Më tërheq impresionizmi, sepse mendoj që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre. Ndaj, në punimet e mia, përpiqem të përdor sinqeritet, dritë, harmoni, reaksionet ngrohtë-ftohtë. Edhe në këtë ekspozitë, jam munduar të thyej rregullat standarde, të zbatoj parimin siç na këshillonin profesorët tanë të universitetit, të cilët kishin ardhur nga Akademia e Sofjes në Bullgari: Rregullat janë bërë nganjëherë për t’u thyer.”

Piktorët e preferuar

“Kozinsky, Van Goghu, Modigliani, John Bergeri, William Blake, Picasso, Matisse, Santana, Bob Marley, Cezanne, Gipsy King - këta piktorë të mëdhenj më japin jetë!

Një artist shumëdimensional

“Edhe kur krijoj muzikë, sepse luaj në kitarë dhe bateri, unë frymëzohem e qetësohem pa masë. Por fqinjët, jo. Ha ha ha. Dashuri dhe Paqe!”

Mediat turke shkruajnë...

Lian Lutfija, një nga përfaqësuesit më të suksesshëm të brezit të ri të artit impresionist, hapi ekspozitën e tij në qendrën kulturore, “Türkan Saylan”, në galerinë Maltepe. Ai shquhet për risitë unike të lëvizjes impresioniste, larminë dhe pasurinë e ngjyrave, duke tërhequr vëmendjen e qarqeve artistike të Stambollit, ku edhe menaxherët e artit kanë qenë gjithashtu tepër të përfshirë. Kjo ekspozitë u ndoq nga artdashës të shumtë.  Studimet për art i vazhdoi në Stamboll, por ka lindur në Shqipëri, i emigruar në Turqi në moshën 14-vjeçare bashkë me familjen e tij.

“Kam lindur nga toka mëmë, ku kam pasur folenë time të ngrohtë. Jam larguar nga shtëpia e prindërve dhe kemi emigruar në Turqi, bashkë me familjen time. Duke jetuar në një vend tjetër, u përpoqa të përshtatem me jetën në Turqi. Kam përjetuar emocionet e mia në kujtimet mbi kalimin e fëmijërisë dhe adoleshencës, që kanë qenë dëshmitarët e mi në hapat e parë drejt pikturës. Veprat e mia, ndikimet e emigracionit, gjurmët, shkatërrimi, kujtimet, vështirësitë, janë reflektuar në artin dhe veprat e mia. Për këtë arsye, i dhashë ekspozitës emrin e kohës kur pasioni im ishte në gjumë, gati për t’u zgjuar.”

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: