LEKU NË DREJTIM TË PADITUR – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
LEKU NË DREJTIM TË PADITUR – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Është “arratisur” leku dhe është bërë aq i kërkueshëm në treg, sa si mall i çmuar që është, ka thyer të gjitha valutat e huaja. Që nga euro e dollari, deri tek ato aziatiket. Gjatë javës së fundit, vlera e tij arriti majat dhe u desh ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë për të blerë euron e tepërt në qarkullim, për të normalizuar disi pikiatën në të cilën po shkonte monedha evropiane. Prej mëse dy muajsh, ishim të parët në “Albanian Free Press” që e ngritëm këtë alarm. Ishte periudhë pranvere, kur si zakonisht, euro e rriste vlerën e saj dhe në fakt, kishte nisur të ndodhë e kundërta. Dhe kjo nuk i dedikohej ndonjë krize ndërkombëtare në horizont, që të influenconte mbi proceset e çuditshme të tregut monetar shqiptar. Në fakt, ende nuk ka ndonjë shpjegim konkret për këtë. Është folur për spekulim, por nuk ka patur adresë. I është vënë theksi se ka patur rritje ekonomike, por të gjithë kanë qeshur me këtë shpjegim. Pra, asgjë konkrete ku të vihet gishti. As analistët ekonomikë nuk duket se po thonë diçka të qartë. Në debatet e fundit mbi këtë temë është folur edhe për krizë, edhe për futje të parave të pista apo informale në qarkullim, sidomos më sektorin e ndërtimit dhe deri tek paradhënia që ka marrë sektori i turizmit për prenotimet e shumta nga turistët e huaj për sezonin veror. Por asnjëra prej tyre nuk dilte të ishte shkaktari i “arratisjes” së lekut. Një kombinim i këtyre faktorëve, thonë ekspertët, duke shtuar me këtë rast edhe elementin frikë të qytetarëve, që nga paniku i uljes së vlerës së euros, kanë nxituar ta këmbejnë atë me lekë.

Në këtë aspekt, vërtet që mund të ketë edhe kombinime faktorësh, por sidoqoftë, diçka mbetet e qartë. Që në këtë mes, të humbur janë fermerët shqiptarë, bizneset prodhuese vendase dhe qytetarët e thjeshtë, për të cilët çmimet e mallrave nuk ndryshojnë, ndërsa ka më pak kapital në përdorim. Ndërsa fituesit e mëdhenj janë bankat dhe eksportuesit e mëdhenj. E kjo nuk ka ardhur nga kushtet e tregut që shërbejnë dhe si rregullator të ekonomisë. Por me pëlqim nga lart. Për këtë, le të ta shohim ngjarjen në historikun e vet. Periudha e muajve te parë dhe sidomos në pranverë, ka qenë fenomen i njohur që monedha euro të ketë një forcim të saj në raport me lekun. Është pikërisht periudha ku deri në mars kompanitë e mëdha, bankat etj, të cilat kryesisht janë degë të kompanive të huaja, pasi kanë mbyllur bilancet me tatimet dhe detyrimet e tjera karshi shtetit shqiptar, të fillojnë të blejnë euro me fitimet e kryera gjatë një viti. Këto të ardhura që realizohen në lekë, pasi kjo është dhe monedha në tregun shqiptar, konvertohet në valutë huaj dhe u dërgohet kompanive mëma jashtë vendit. Ndaj përgjithësisht, kjo periudhë njihet dhe si koha e forcimit të valutave të huaja karshi monedhës vendëse.

Në realitet ndodhi ndryshe. Leku u forcua dhe euro edhee monedhat e tjera u dobësuan. Kjo ka çuar padyshim në fitime shtesë të bankave dhe kompanive të huaja që fitimet i çojnë jashtë. Dhe kjo vetëm prej kursit të këmbimit, që i favorizoi. Interesant është fakti se në çdo vend tjetër, ndryshimet dhe ajo çka ndodh në fushën e financës, do të ishin në fokus të opinionit publik, duke krijuar një debat të gjerë midis specialistësh për efektet negative dhe pozitive mbi ekonominë dhe veçanërisht për xhepat e qytetarit. Në realitet, kjo gjendje po kalon thuajse në heshtje.

Një tjetër aspekt, i cili hapi debat ishte ajo e ndërhyrjes nga institucionet  shtetërore për të ulur në shifra borxhin e brendshëm, në mënyrë që ekonomia të bëhej atraktive për thithjen e kredive të reja. Në biseda me ekspertë financash, një mundësi pse politika e ndjekur për forcimin e lekut nga Banka e Shqipërisë, mund të jetë një akt me efekt politik për të zbutur borxhin e shtetit. E thënë më troç, nëse shteti ka një borxh që shkon deri në 75% apo 74% të PBB, kjo i jep pak mundësi të kërkojë kredi të tjera shtesë për reformat apo punët publike që ndërmerr. Por nëse forcon vlerën e lekut, vetëm nga këmbimi në fjalë, atëherë borxhi mund të shkojë në 70%, çka i jep mundësi të kërkojë kredi të tjera shtesë. Por kjo në vetvete bëhet me koston pse arrihet duke mbledhur më lirë valutën që vjen nga vetë qytetarët, të cilët mbeten të dëmtuar.

Ulja e vlerës së monedhës vendase avantazhon eksportin me jashtë, ndërsa forcimi i monedhës i vlen importit dhe bëhet një barrë për prodhimet vendase për të qenë rentabël në eksportet jashtë. Nëse leku është forcuar pra, ai fermeri që do të shiste domate jashtë vendit ku do t’i jepte me euro, në realitet do të dalë më i humbur në të ardhura, pasi veprimet e tij me tatimet, taksat e pagat e punëtorëve do t’i bëjë në lekë, ashtu siç e ka detyrim. Ndërsa ai që blen televizorë jashtë vendit, ku do t’i blejë me të njëjtin çmim në euro jashtë, do të rezultojë akoma më me fitim, pasi me kursin e këmbimit do të arrijë të marrë më shumë kur t’ia shesë qytetarit shqiptar me lekë. Në këtë mënyrë, kjo politikë e forcimit të lekut do të bjerë direkt në xhepat e qytetarëve dhe njëkohësisht do të bëhet një barrë më shumë për prodhimin vendas, i cili do të ketë shpenzime shtesë. Në vetvete pra, dëmi bëhet më i pallogaritshëm, sesa thjesht shifrat e këmbimit në tregun valutor.

Pasojat se çfarë sjell e gjithë kjo situatë në ekonomi dhe tek vetë qytetari, duken të qarta dhe ekspertët e fushës t’i sqarojnë me detaje në biseda të lira. Por në daljet publike, duket që ka një stepje për të sqaruar njerëzit dhe biznesin si të orientohen. Por më e keqja është mostransparenca e vetë institucioneve që merren me financat. Të dhënat dhe statistikat janë  të tyret, porse asnjë interpretim profesional nuk e shoqëron këtë proces, që në fund të fundit ndikon direkt, si në ekonomi, edhe në xhepat e qytetarit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: