LEKSIONI I BREZIT TË ARTË KUQEZI QË PO PUSHTON BOTËN - OPINION NGA ALFRED PEZA

Publicitet
Publicitet
LEKSIONI I BREZIT TË ARTË KUQEZI QË PO PUSHTON BOTËN - OPINION NGA ALFRED PEZA

Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fotografia e presidentit Nikos Anastasiades, duke parë të pasmet e këngëtares shqiptare Eleni Foureiras gjatë pritjes në pallat, bëri me shpejtësi rrufeje xhiron e rrjeteve sociale. Kreu i shtetit e përgëzoi këngëtaren shqiptare për performancën e saj në Eurovizion si përfaqësuese e Qipros, ku arriti të siguronte lartësinë e vendit të dytë, me këngën "Fuego". Pas kësaj, askush nuk e kishte më mendjen te fjalët e kortezisë së presidentit, drejtuar artistes nga Fieri:

"E ndjeja të nevojshme t'ju takoja nga afër për t'ju përgëzuar...!"

Eleni Foureira, nga një vajzë emigrantësh në Greqi ku nuk guxonte të tregonte prejardhjen e saj nga Shqipëria, është sot një nga yjet në ngjitje të muzikës moderne europiane dhe nuk është çudi që, pas pak kohësh, ta shohim edhe në majat e klasifikimeve botërore. Ajo nuk ishte e vetmja shqiptare që ngjitej këtë vit në skenën e Eurovizionit. Bashkë me Eugent Bushpepën ishte edhe një tjetër shqiptar: Ermal Meta - po nga Fieri, si edhe Eleni - i cili, pasi triumfoi në Festivalin e Sanremos, përfaqësoi Italinë në një skenë ku, për herë të parë ndoshta në historinë e saj, kishte një komunitet prej tre këngëtarësh me të njëjtën kombësi, por që konkurronin për flamujt e tri shteteve të ndryshme të Europës.

Tre të rinjtë e talentuar përsëritën këtë pranverë në muzikë, një histori të shkruar më parë në sport, nga të tjerë të rinj shqiptarë po aq të talentuar sa edhe ata, të cilët ia kanë dalë nëpërmjet futbollit, atletikës, lojërave me dorë, mundjes, boksit, etj., të jenë pjesë e rreth 20 ekipeve përfaqësuese, duke nisur nga Greqia në Suedi e Finlandë, e për të përfunduar deri në SHBA e Kanada.

Është një dukuri e re. Është një fenomen i ri. Është një tendencë e re. Nga përfaqësuesit e një brezi të ri shqiptarësh, të lindur e rritur në liri pas 1989. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Pas rënies së Perdes së Hekurt. Pas rënies së komunizmit. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Është historia e një brezi fëmijësh shqiptarë të lindur në demokraci në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku jetojnë e punojnë në emigracion e diasporë familjet e tyre. Të cilat pavarësisht shteteve ku kanë lindur e janë rritur, edukuar dhe shkolluar, janë mësuar e edukuar të jenë krenarë që janë shqiptarë.

Të parët që i ngjitën majat, ishin djemtë. Ishte brezi i talentuar i atyre fëmijëve që, për t’ju larguar historisë së vuajtjeve dhe sakrificave të prindërve të tyre në Shqipëri, në Ballkanin e luftërave të vjetra e të reja, në kontinentin e vjetër ose përtej oqeanit, iu futën rrugës së sportit, më së shumti futbollit. Vetëm në Europë numërohen me qindra shqiptarë në klubet profesioniste, pjesë e kompeticioneve më të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare. Dhjetëra prej tyre, ia kanë dalë të jenë pjesë e 10-12 kombëtareve të futbollit, duke u shpallur deri edhe kampionë Europe dhe Bote.

Fenomeni i shkëlqimit të talentit kryesisht të djemve shqiptarë në sport, do të ishte i mangët, i cunguar, i paplotë dhe i varfër, nëse nuk do të shoqërohej edhe me shkëlqimin e pjesës sonë më të mirë, femrave tona. Të cilat kanë pushtuar një sferë tjetër, me po aq, për të mos thënë me më shumë shkëlqim, famë, pará dhe ndikim te rinia dhe opinioni ndërkombëtar në përgjithësi. Në art. Në kulturë. Në muzikë. Në këngë. Në performancat artistike. Na e rikujtoi duke na e bërë më të prekshme këtë dukuri, një nga përfaqësueset më frymëzuese të këtij brezi, Rita Ora me koncertin e saj të jashtëzakonshëm në mbrëmjen e 3 qershorit në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Vetëm dy netë përpara saj, po në të njëjtin vend, performoi Ermal Meta. Ashtu siç kanë ardhur me radhë shumë e shumë artistë të tjerë shqiptarë të këtij brezi të talentuar, që kanë fituar një famë të jashtëzakonshme ndërkombëtare sot. Rita Ora është padyshim njëra prej tyre, e cila përveç të tjerash, ia ka dalë që falë talentit, hiteve muzikore të regjistruar në bashkëpunim me artistët më në zë botërorë, të jetë edhe njëra prej artisteve të reja më të pasura, jo vetëm në Britaninë e Madhe ku jeton prej vitesh familja e saj.

Vetëm 10 ditë më parë, një tjetër artiste e madhe shqiptare, këngëtarja Dua Lipa me hitin e saj "New rules", performoi në stadiumin e Kievit përpara qindra milionë njerëzve që prisnin të ndiqnin finale e "Champions League" - mes Real Madridit e Liverpoolit. Ndërkohë që, Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam është pjesë e performimit të këngës së Botërorit të Futbollit “Rusia 2018”, me këngën "Live it up" - që pritet të dëgjohet në finalen e madhe nga 2 miliardë njerëz. Duke siguruar që tani, të jetë një nga hitet e kësaj vere në të gjithë botën.

Kjo listë do të ishte e paplotë, nëse asaj nuk do t;i shtoje edhe emrin e këngëtares Bebe Rexha, e cila ka arritur në lartësi të tilla të paimagjinueshme deri dje për një shqiptar, duke drejtuar ceremoninë e çmimeve "Ema" dhe që ta shkruaj emrin e saj në histori, si e para shqiptare e nominuar për çmimet "Billboard Music Awards".

Këto dhe shumë emra të tjerë të një brezi të ri e të talentuar, po kaq, ose më pak të njohur, jo vetëm në sport, art e kulturë por edhe në shkencë, biznes, arsim, etj., janë ata që e kanë pasuruar dhe po e lartësojnë gjithmonë e më tepër emrin e shqiptarëve, vlerat dhe kontributin e tyre.

Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia Jugore dhe kudo gjetkë ku jetojnë e punojnë shqiptarët në trojet e tyre në Ballkan, janë tregje shumë të vegjël dhe kanë hapësira shumë të ngushta, për të kultivuar kaq shumë talente ndërkombëtarë brenda një brezi 20-30-vjeçarësh, që ia kanë dalë e po dëshmojnë çdo ditë se po ia dalin që të pushtojnë majat e muzikës, artit, kulturës dhe sportit.

Sepse ne jetojmë vërtetë në shtete të hapura, por vazhdojmë ende të jemi shoqëri të mbyllura. Jemi tregje të vogla. Jo funksionale. Pa kërkesë-ofertë dhe mekanizma që do të çonin herët ose vonë në shumicën e rasteve, në triumfin e meritokracisë. Pa instrumentet e duhura që mundësojnë fitoren e më të mirit dhe më të talentuarit.

Megjithëse, prej më shumë se çerekshekulli në liri, sistemet e çdo shteti ku jetojnë shqiptarët sot në Ballkan, janë jofunksionalë dhe nuk të japin garancitë e duhura, se çfarëdo që të ndodhë, në fund puna, pasioni, djersa dhe mundi, bashkë me dozën e duhur të dellit artistik dhe talentit të lindur ose të kultivuar, do të triumfojnë dhe do të shpërblehen. Është ndoshta kjo arsyeja që, edhe sot e kësaj dite, mijëra të rinj e të reja kryesisht, por edhe një brez pak më i rritur se ato, vazhdojnë të kërkojnë fatin në perëndim. Ose nëpërmjet lotarisë amerikane ose Kanadeze, apo emigrimit nga legal e deri në më të shumtët, në atë ilegal.

Përveç të tjerash, ata e kuptojnë se kur ia kanë dalë Rita, Eleni, Era, Dua, Bebe, Ermal Meta e shumë e shumë të tjerë, edhe ata mund t’ia dalin një ditë. Duke e provuar ndoshta në fund, jo vetëm shijen e ëmbël të triumfit, por edhe farmakun e dështimit. Edhe po dështuan, ata do të ikin të qetë nga kjo botë, duke e patur të pastër ndërgjegjen e tyre para zotit, sepse të paktën e provuan. Por për aq kohë sa jeta po tregohet kaq bujare me një brez të artë kuqezi që po pushton botën, nuk ka pse edhe shumë e shumë të tjerë të mos ëndërrojnë e të luftojnë si ata, për të realizuar ëndrrat e tyre.

Nuk i dihet se çfarë ka rezervuar ora e fatit një ditë, edhe për secilin prej tyre. Në mos për t’u ftuar në audiencë në pallat, nga presidenti i vendit që do të përfaqësosh, e që mund të përfundojë duke admiruar fundshpinën tënde, për të performuar edhe ti një ditë në sheshin "Skënderbej". Sepse, nuk është e thënë që të gjithë duhet të performojnë domosdoshmërisht në finalen e "Champions League" ose në një finale të futbollit botëror, në skenat e "Eurovizionit" ose të çmimeve "EMA" e "Billboard Music Awards".

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

 Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: