Kristina Marku: Sikur të kisha edhe 100 jetë, këngën do zgjidhja!

Kristina Marku: Sikur të kisha edhe 100 jetë, këngën do zgjidhja!
Flet këngëtarja e muzikës popullore të trevave të veriut, Kristina Marku: Shumë njerëz mendojnë se “paska qenë kjo jetë për ty”, mirëpo ne jemi gjithmonë në stres, në udhëtime, në ankth, se si do të pritemi në atë vend ose në atë mbrëmje; dua të them se, krahas kënaqësisë që marrim, kalojmë edhe mjaft stres. Por unë përsëri e dashuroj këtë pasion!

Këngëtarja pukjane, Kristina Marku, i mbaroi studimet për mësuesi në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. Me familjen, shpërngulet në fund të viteve nëntëdhjetë, përfundimisht në Tiranë. Pas një eksperience si drejtuese shkollore, në fillim të viteve 2000,  ajo i rikthehet skenës muzikore, por tashmë muzika për të nuk është vetëm një pasion, por është bërë preokupim dhe përkushtim profesional. Kristina Marku ka marrë pjesë në disa festivale dhe turne artistike, ndërsa nga viti 2008, ajo pjesën më të madhe të jetës artistike e kalon duke kënduar në Zvicër, pa i anashkaluar edhe koncertet e saj në Gjermani, Austri, Belgjikë dhe Greqi. Në vitin 1984, në Festivalin e Këngës Popullore Pukjane, ajo u vlerësua me çmimin e parë me këngën “Hidhe vallen Puka jonë”, e më pas, për një kohë të caktuar do të shkëputej nga skena publike për t’iu përkushtuar vetes, familjes dhe profesionit të mësueses. Ajo vjen në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press dhe na tregon për repertorin e saj, ku ka me dhjetëra këngë origjinale, disa albume muzikore, si dhe shumë klipe të realizuara me mjaft sukses, të cilat kanë bërë jehonë në gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni kënduar me pasion këngën për shumë vite. Por si erdhët deri tek kënga?

Kënga është një pjesë e imja, nuk mund ta mendoj veten pa të. Kënga më duket sikur ka lindur për mua, pasi kam filluar të këndoj qysh e vogël, pavarësisht pamundësive objektive dhe subjektive për të marrë pjesë në festivalet e fëmijëve e organizime të tjera. Në ato vite, unë merrja pjesë në konkurrimet shkollore në shkollat 8-vjeçare të zonës ose rrethit, aktivitete të cilat nuk kishin mundësi të pasqyroheshin.

Kur kujtoni fëmijërinë, çfarë ju vjen ndërmend?

Kam lindur në një fshat të thellë të rrethit të Pukës. Fshati Dardhë shtrihet buzë Liqenit të Fierzës, mes bjeshkëve të bukura e magjepsëse të Pukës, Tropojës dhe Hasit. Një zonë malore me një dimër tepër të ashpër, por me njerëz të mrekullueshëm, bujarë e mikpritës. Aty kalova fëmijërinë time të vështirë, pasi prindërit rritën me sakrifica tetë fëmijë. Fëmijërinë e kujtoj me nostalgji, për shoqërinë e pastër dhe humanizmin, cilësi të cilat sot duken një iluzion.

Si e kujtoni herën tuaj të parë në skenë dhe emocionet që përjetuat?

Hera ime e parë në skenë ka qenë në qytetin e Pukës. Ishte një konkurrim i shkollave 8-vjeçare dhe kujtoj se dridhesha si shelgu. Mirëpo kujtoj edhe që duartrokitjet e publikut më dhanë shumë zemër dhe besim. Kënga që këndova titullohej “I ëmbël zëri i gjyshes” dhe “Kërcet pushka e gjëmon trolli” - ishte një këngë që transmetohej në Radio Kukësi në ato vite.”

Nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten?

Kam mbaruar shkollën pedagogjike dhe kam studiuar mandolinën, më pas mbarova dhe studimet e larta në universitet për mësuesi - cikli i ulët - fushë në të cilën edhe kam punuar për disa vite si drejtuese - ishte një kohë kur u shkëputa nga skena. Por përsëri them se, sikur 100 jetë t’i kisha, përsëri këngën do zgjidhja!

Publiku ju ka vlerësuar ndër vite dhe ju ka mbajtur në skenë. Po ekonomikisht, ndiheni të shpaguar sa duhet nga puna juaj?

Publiku është ai që mban gjallë artistin. Jam mirënjohëse dhe përulem sot, me shumë respekt, përpara publikut tim në mbarë trojet shqiptare dhe diasporë! Jam e shpërblyer! Do isha hipokrite të thosha jo; po, artistët në përgjithësi punojnë ta paorganizuar dhe të pambrojtur nga ligji dhe shteti i tyre.

Ka miqësi në art? Keni hasur xhelozi mes këngëtareve në karrierën tuaj?

Në art i gjen të gjitha ndjenjat e njeriut. Gjen aty miqësinë, por gjen edhe xhelozinë. Kush thotë të kundërtën e thotë me hipokrizi. Unë jam përpjekur të ruaj raportet miqësore me kolegët e mi dhe kam parë punën time.

Si e shikoni brezin e ri të këngëtarëve të muzikës shqiptare?

Ka zëra mjaft autentikë, të bukur dhe ndjej vërtet kënaqësi kur i dëgjoj, por, tendencat për të imituar këngëtarë të huaj nuk më bëjnë të lumtur. Duhet të jenë vetvetja!

Jeni këngëtare që preferoni të këndoni live. A duhet të rikthehet më shumë të kënduarit live në trend?

Unë gjithmonë kam kënduar live. I përkas brezit që ka kënduar live prej fillimit. Të kënduarit live mbart emocione, ndjenja të forta dhe kjo e bën publikun të të vlerësojë. Të kënduarit live duhet të bëhet rregull në çdo aktivitet. Dasmat, gëzimet familjare, janë vendi ku testohet të kënduarit live sot. Aty të takon të performosh 4-5 orë live dhe aty duket potenciali vokal dhe interpretues i secilit këngëtar e këngëtare.

Cilin interpretim tuajin, keni më për zemër?

“Shtatë bajrakë së bashku përjetë” mbetet kënga më e dashur për mua, si dhe ajo më e realizuara. Këtë e vërteton edhe shikueshmëria e saj nga publiku.

Jeni gjithmonë e kuruar në skenë. Po jashtë saj?

Përpiqem të jem sa më e rregullt në paraqitjen e jashtme, pasi sot vlerësohet edhe prezenca e artistit. E konsideroj respekt për veten, kujdesin për pamjen. Jashtë skenës dua të jem sa më sportive, e thjeshtë, komode, me veten dhe mjedisin.

A është e vërtetë që, të jesh artiste në Shqipëri, do të thotë edhe të shpenzosh shumë për pamjen dhe videoklipet?

E vërtetë e s’e luan as topi! Unë kam shpenzuar shumë për videoklipet dhe këngët e mia. Për këtë arsye thashë më lart se, artistët janë të pambrojtur. Shtëpitë diskografike duhet të funksionojnë ndryshe, si në të gjithë botën.

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin tuaj për këngën?

Familja më ka mbështetur, por edhe nuk më ka mbështetur. Ish-bashkëshorti dikur më tha: “Mos e përmend këngën!” Por pas disa vitesh më tha: “Këndo, se ti fiton shumë!” Mosmarrëveshjet sollën edhe divorcin.

Sa e vështirë është jeta e një artisteje, gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

Në fakt, Juela, shumë njerëz mendojnë se “paska qenë kjo jetë për ty”, mirëpo ne jemi gjithmonë në stres, në udhëtime, në ankth se si do të pritemi në atë vend ose në atë mbrëmje. Dua të them se, krahas kënaqësisë që marrim, kalojmë edhe shumë stres. Por unë përsëri e dashuroj këtë pasion!

Si i keni përballuar vështirësitë në jetën tuaj?

Vështirësitë jam munduar t’i kaloj me vendosmëri dhe arsyeja për t’i përballuar, janë fëmijët e mi.

Cilat janë planet në ardhmen në këngë?

Kam gati një album më këngë dasmash dhe 2 këngë të reja, që janë një surprizë për publikun tim të dashur.

Cilat janë pasionet tuaja jashtë këngës?

Pasione të tjera për mua, janë fotografia dhe gatimi.

Cila është gjëja për të cilën do të luftonit më fort?

Familja ime është gjëja për të cilën kam luftuar më fort dhe vazhdoj të luftoj. Për të do të luftoj sa të kem frymë!

Keni një mesazh për femrat shqiptare, duke qenë një përfaqësuese e tyre në art?

Mos u dorëzoni përpara vështirësive që ju sjell jeta! Vlerësoni veten dhe luftoni për të qenë të dobishme në shoqëri dhe jo të ktheheni vetëm në shtëpiake.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: