Komisioneri Hahn: Shqipëria shumë pranë ëndrrës europiane, duam t'iu shohim si anëtarë në 2025

Komisioneri Hahn: Shqipëria shumë pranë ëndrrës europiane, duam t'iu shohim si anëtarë në 2025
Komisioneri Johanes Hahn ka deklaruar se tashmë Shqipëria ka momentin të bëjë sa më shumë progres me Reformën në Drejtësi dhe me procesin e Vetting-ut.

Sipas Hahn, “vendet e Ballkanit dëshirojmë t’i shohim në 2025 si anëtare të BE-së.

“Mund të gjykohem si optimist nga disa për datën që e them sot këtu për herë te parë: por Ballkani është Europë”,  është shprehur Komisioneri Johanes Hahn.

Deklarata e Komisionerit Hahn ka ardhur në konferencën e organizuar në Vjenë nga FMN dhe JVI (Instituti i Përbashkët i Vjenës), vend në të cilin komisioneri theksoi mbështetjen e tij për integrimin e vendeve të Ballkanit, duke bërë publike për herë të parë një datë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisioneri Hahn ka përshëndetur faktin që Austria nga data 1 korrik do të marrë radhën e Presidencës së BE, duke theksuar se vendi i tij ka një mirëkuptim dhe ndërgjegje më të thellë me Ballkanin, si pjesë e Europës.

Sot ishte dita e parë e kësaj konference dhe fokusi ishte për vendet e Ballkanit Perëndimor, strategjia e tyre drejt BE-së, ku ndër të tjera ne morëm edhe një herë qëndrimin pozitiv dhe sigurinë që Shqipëria tashmë është më afër se kurrë drejt ëndrrës europiane, si dhe një notë pozitive më shumë për vendimin që pritet të merret në fund të qershorit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe pjesëmarrës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria përfaqësohet nga 4 deputetë, si dhe anëtarë të parlamenteve të Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: