KOMENT/ Panucci ndryshon nga De Biasi! (por jo vetëm për fajin e tij)

KOMENT/ Panucci ndryshon nga De Biasi! (por jo vetëm për fajin e tij)
Nga Aranit Muraçi

Christian Panucci është përballur me kritika të ashpra, pas tre humbjeve në miqësoret e këtij viti.

Kombëtarja shqiptare sidomos pas dy humbjeve të fundit, 3-0 me Kosovën dhe 4-1 me Ukrainën, nuk bind aspak, për të realizuar objektivin e saj: kualifikimin në Euro 2020.

Panucci e justifikoi lojën e dobët në humbjet e fundit me gjendjen fizike të lojtarëve që kishte grumbulluar. Ndërkohë koha për të kryer teste të tjera e për të gjetur lojtarët e duhur nuk premton.

Ndeshjet zyrtare të shtatorit, të vlefshme për Ligën e Kombeve, mund të jenë vendimtare mbi ecurinë e mëtejshme të trajnerit, i cili pasoi patriotin e tij në stolin e Shqipërisë, Gianni De Biasi.

Nën drejtimin e De Biasi Shqipëria në Euro 2016 arriti kualifikimin historik, por ai u shkarkua katër ndeshje para se të mbyllej fushata kualifikuese e Kupës së Botës, madje pas një fitoreje bindëse 3-0 në Izrael, me pretendimin se “cikli de Biasi kishte mbaruar”.

Tashmë janë të shumtë tifozët që pyesin: pse u largua Gianni de Biasi?

Në fakt para se të arrihej kualifikimi historik, Gianni de Biasi, bëri ndryshime të mëdha në Kombëtaren shqiptare, duke afruar në pesë vjet drejtimi të saj mbi 50 futbollistë. Pjesa më e madhe e tyre treguan se ishin të denjë të përfaqësonin ngjyrat e kombit.

Panucci deri tani, pavarësisht risive, nuk i ka sjellë ende asnjë emër bindës ekipit kombëtar.

Gjelbrim Taipi, i cili u grumbullua pak kohë më parë nga Kosova, tha për “Albanian Free Press”,  se ishte prej kohësh në  pritje të një ftesë nga ana e Shqipërisë. Ai madje akuzoi stafin kuqezi, por jo trajnerin personalisht, se lojtarët e tjerë që ishin ftuar në Kombëtaren shqiptare nuk ishin ftuar me qëllim konsolidimin e ekipit. Qëllimi ishte që përmes fanellës së kombëtares atyre t’iu rritej vlera në treg, që të shiteshin në liga të njohura gjatë merkatos.

Dhe tani para se të jetë vonë Panucci duhet të pranojë që zgjedhjet e tij, ose nuk kanë qenë të goditura, ose atij i janë të sugjeruar nga manaxherë që qëndrojnë pranë FSHF-së.

Dhe qëllimi i tyre cenon rëndë objektivin, që ai i ka vënë vetes.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: