KËTA BËJNË SIKUR, EDHE NE SIKUR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

KËTA BËJNË SIKUR, EDHE NE SIKUR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Këta të BE-së bëjnë sikur na paqëtojnë, por edhe ne bëjmë sikur kërkojmë BE! Këta bëjnë sikur “na gënjejnë, edhe ne bëjmë sikur i besojmë... Sarkazma që qarkullonte nëpër Europë, para disa vitesh, se “kur të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së..., çfarë do të ndodhë?” - më duket se u afrua për të qenë realitet... Europianë që dinin shumë pak mbi Shqipërinë..., dinin veç se këtu rrojnë njerëz të prapambetur, atëherë përgjigjeshin me cinizëm: “Kur të vijë Shqipëria në BE, atëherë nuk do të ketë më BE”.

Ja ku jemi... Europa tani i ka lënë mënjanë cinikët e saj dhe ka rekrutuar lajkatarë profesional nëpër zyrat e BE-së. Këta nuk kanë skrupuj, as aq sa kanë cinikët; këta të thonë se “po na përvëlon dielli” dhe të tregojnë hënën në kupë të qiellit... Po deshe, mos e beso se “hëna nuk është diell”, se atëherë të djegin shtëpinë “europianistët” e tu, që nuk kanë bukë për darkë...

Kështu po jetojmë këto ditë. Eurokratët kishin ardhur qindra herë, kishin ngrënë duzina me pjata makaronash nëpër restorantet me shije të Tiranës, dhe, më së shumti, kishin premtuar se “më 28 qershor” me kësmet, “hapim negociatat e Shqipërisë me BE-në”! Pasi nuk u hapën, thanë “me kësmet”, në qershorin e vitit që vjen...!

Që të merremi vesh: Arsyeja pse nuk u hapen negociatat, nuk është pse “Shqipëria nuk është e denjë” për në BE. Por as se “është e denjë”. Shqipëria është ajo që është, me plot probleme krimi e korrupsioni, plot varfëri, plot prapambetje. Por dihej, kjo Shqipëri do të ishte edhe më 28 qershor; kjo dihej që ditën kur premtuan “negociata”. Është njësoj si në një martesëm ku vajza i thotë djalit “e di se je me një sy..., por unë kështu të pranoj”. Pas një kohem nusja i thotë burrit: “Ik tani, të ndava, ti je me një sy”! Eurokratët e BE-së, as e kishin në plan të afronin Shqipërinë për negociata, as kanë idenë se një ditë Shqipëria do të jetë anëtare e bllokut, as kanë menduar se Shqipëria, brenda një periudhe, do të kthehet nga “Shqipëri” në “Gjermani”. Por me qëllim e bënë demagogjinë.

Demagogjia vazhdon..., në qershorin ose vjeshtën që vjen “keni negociatat”, deklaroi sot komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn. Më erdhi të them se, demagogët tanë janë njëmijë herë më të vegjël se këta...

Atëherë, më duhet të bëj disa pyetje. (Mjerë, ata njerëz që hanë bukë pa bërë pyetje!)

Pyetja e parë:

Ku do të jetë zoti Hahn në fund të qershorit të vitit 2019, ose edhe në vjeshtë të vitit?

Ndoshta, zoti Hahn ka nisur të rrëmojë për misione të tjera, nëpër zyra të Gjermanisë ose Austrisë për ndonjë punë, por ne nuk e shikojmë më këtej rrotull si “komisioner i BE-së”. Po të dëgjojë nga shokët se “po të kërkojnë shqiptarët për premtimin”, zoti Hahn do të gajaset së qeshuri. “Po, sa budallenj këta! – do të thotë për ne - Unë kam faj pse besojnë ata!?”... Thelbi është: Si zoti Hahn, një duzinë e pafund nëpunësish dhe zyrtarësh të lartë të BE-së, në verën që vjen, nuk do të jenë më nëpër zyrat e Brukselit, as të Strasburgut e as të Luksemburgut. Zoti Hahn dhe mijëra të tjerë, nuk janë votuar nga askush për ato role. Por edhe ata që janë votuar, nuk do të jenë më. Në qershor, vendet anëtare të BE-së do të votojnë për Parlamentin e ri të BE-së. Nëse do të ketë BE... Parlamenti do të emërojë organet e tjera si KE, BE, e bla, bla, bla... Atëherë, ku do ta gjejmë zotin “Hahn”, apo çdo Hahn që na premton sot?!

Pyetja e dytë:

A do të jetë kjo, BE-ja që është sot?

Parashikimi “apokaliptik” i disa skeptikëve europianë se, “kur të vijë Shqipëria, nuk do të jemi ne”, ka një lidhje me një të vërtetë thelbësore: Pak nga pak, BE-ja ka rënë në një krizë të tillë që as mbahet dot pa vendet e Ballkanit Perëndimor; njëkohësisht as mund t’i pranojë vendet e e Ballkanit Perëndimor. Nuk mbahet dot pa këto vende, sepse BE-ja ka ndjekur politika majtiste liberale të dështuara, saqë mund ta gjejë veten vetëm në këto vende të prapambetura të Ballkanit. BE-ja nuk është më Europë dhe as përfaqëson vlerat e Europës. Para dy muajsh, presidenti i Francës deklaroi se, “para se të zgjerohet në Ballkan, BE-ja duhet të ndërmarrë reformimin e saj”. Në BE, po vërshon fuqishëm filozofia konservatore djathtiste e cila,  po fiton mbi demagogjinë e qeverive të vendeve anëtare dhe mbi vetë BE-në. Vitin që vjen, askush nuk e di çfarë BE-je do të jetë. Aq më pak njerëz si Hahn, që bën premtime...

Pyetja e tretë:

A do të ketë BE pas ditës së premte, d.m.th., nesër?

Nesër, e premte, zhvillohet samiti i BE-së mbi “problemin jetik” (sipas Merkel), që është emigracioni. Parashikimet janë se, nuk do të arrihet asnjë marrëveshje mes shteteve anëtare. Merkel, “mama” për BE-në dhe emigracionin, deklaroi sot se, “e nesërmja e BE-së varet në çështjen jetike, emigracionin”. Gjatë fjalimit të mbajtur në Bundestag, Merkeli tha se, nëse krerët e qeverive të mbledhur në Bruksel, dështojnë ta bëjnë këtë, ata rrezikojnë krijimin e një situate ku “askush nuk beson më në sistemin e vlerave që na ka bërë të fortë”. Kjo është Gjermania që mbajti më këmbë BE-në, sot thuajse u dorëzua në këtë “pilar”.

Po Italia ku ka fituar qeveria e parë populiste, euroskeptike? “Muajt që vijnë do të jenë vendimtarë, nëse Europa ka të ardhme në këtë formë që është, apo gjithçka është sot, nesër do të bëhet pa vlerë”, - tha Matteo Salvini, lider i të djathtës dhe ministër i Brendshëm. Por sot pasdite, Salvini deklaroi se, “nuk do të firmosë”marrëveshjen mbi emigracionin. Merkeli ka thënë se, “pa këtë marrëveshje” nuk ka më BE.

Pyetje tjetër:

Po Parlamenti shqiptar, ndjek sorrat?

Zhurmë e madhe në Parlament: “Pse nuk u hapën negociatat me BE-në?” Kjo është njëra kërkesë, sikur kemi humbur një gjë që e kishim. E dyta: “Pse aq vonë, në vitin 2019?” - pyesin parlamentarët, si të jetë e sigurt për vitin 2019. Parlamentarët shqiptarë, thua janë kaq naivë apo bëjnë? Ku e kanë BE-në? Çfarë gjejnë në BE? A nuk mund të shërbejnë të paktën një herë në jetë, të vërtetën e dukshme? Ndërsa ata të BE-së bëjnë demagogji me popullin e Shqipërisë, edhe parlamentarët e Shqipërisë bëjnë demagogji me popullin e Shqipërisë!? Këta nuk tregojnë hënën - si ata të zotit Hahn - por ndjekin sorrat për “gjah” të dobishëm.

Po ne të tjerët, të bëjmë sikur besojmë?!...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: